Kirurgu në Spitalin e Përgjithshëm të Pejës dhe ish-ministri i Shëndetësisë, Numan Baliq, të enjten është shpallur fajtor nga Gjykata Themelor e Pejës për veprën penale “Sulm seksual”. Sipas aktgjykimit të shpallur nga gjykatësi i lëndës, Shaqë Curri, i pandehuri Numan Baliq është dënuar me burgim dhe dënim plotësues.
“I pandehuri sot është shpallur fajtor për vepër penale “Sulm seksual” dhe për këtë vepër është dënuar me burgim prej dy vjetësh dhe me dënim plotësues të ndalimit të ushtrimit të profesionit në kohëzgjatje prej dy vjetësh, pas plotfuqishmërisë së aktgjykimit”, ka bërë të ditur për KOHËN zëdhënësja e Gjykatës Themelore të Pejës, Tringa Zhuti.
Pas përpilimit të aktgjykimit në formën e shkruar, Zhuti tha se do të njoftohen të gjitha palët në procedurë dhe ndaj këtij aktgjykimi palët kanë drejtë ankese në Gjykatën e Apelit.
E këtë të drejtë e ka ndërmend ta ushtrojë i pandehuri Numan Baliq, i cili i tha KOHËS se fajësia ndaj tij nuk është argumentuar.
“Gjykimi që e ka shqiptuar gjykatësi ka qenë juridikisht i padrejtë, pa asnjë argument, pa asnjë bazë juridike, pa asnjë provë materiale dhe unë jam i pafajshëm”, ka pohuar Baliq.
Në Prokurorinë Themelore të Pejës, siç i tha KOHËS zëdhënësi i saj Shkodran Nikçi, do ta presin aktgjykimin në formën e shkruar dhe pastaj prokurori do ta vlerësojë nëse ka elemente për apelimin e aktgjykimit.
Pas shpalljes së aktgjykimit ndaj kirurgut Baliq, drejtoria e Spitalit të Pejës ka paralajmëruar se do të ndërmarrë masa posa t’i konfirmohet spitalit zyrtarisht aktgjykimi nga Gjykata Themelore e Pejës.
“Ne do t’i drejtohemi gjykatës me një shkresë që të marrim informatë zyrtare mbi vendimin e saj dhe nëse ky vendim qëndron, patjetër që ne do t’i marrim masat e parapara ligjore, që nënkupton vendimin për suspendim deri në vendimin përfundimtar të gjykatës”, tha për KOHËN drejtor i Spitalit të Pejës, Skënder Dreshaj.
Nëse ky aktgjykim bëhet i plotfuqishëm, Dreshaj tha se kirurgu Baliq do të përjashtohet nga puna nga Spitali i Pejës.
Pasi ishte arrestuar Baliq, si i dyshuar për këtë vepër, drejtoria e spitalit e kishte suspenduar atë nga puna për gjashtë muaj dhe Baliq, siç tha Dreshaj, është kthyer serish në punë para dy muajve.
Numan Baliq është akuzuar se natën e 12 gushtit të vitit të kaluar, derisa ishte në detyrë të kujdestarisë në Spitalin e Pejës, e kishte sulmuar seksualisht në zyrën e tij nënën e një foshnje të hospitalizuar.
“Më datë 12.08.2020, rreth orës 22:00, në Spitalin e Përgjithshëm në Pejë, pikërisht në zyrën e tij, me dashje, në cilësi të profesionistit shëndetësor, duke keqpërdorur gjendjen shëndetësore të foshnjës së të dëmtuarës, e prek të njëjtën me qëllim seksual pa pëlqimin e saj, në atë mënyrë që natën kritike e dëmtuara duke qenë nënë dhe shoqëruese e foshnjës së saj të hospitalizuar, aty vjen i pandehuri i cili në cilësi të mjekut kujdestar shkon kinse për ta vizituar foshnjën e viktimës dhe më pas e fton të dëmtuarën që të shkojë në zyrën e kujdestarisë së tij për t’u konsultuar dhe kinse për ta udhëzuar. E dëmtuara shkon pas tij dhe sapo ofrohet te dera e zyrës së kujdestarisë i pandehuri e kap për dore dhe e fut brenda në zyrë, e mbyll derën me çelës dhe e ndal rrymën. Por, viktima arrin ta shtyjë nga vetja, ta hapë derën dhe të largohet, me ç’rast e lajmëron rastin në polici”, thuhet në komunikatën e Gjykatës Themelore të Pejës pas shpalljes së aktgjykimit dënues ndaj Baliqit nga Departamenti i Përgjithshëm Penal në këtë gjykatë.
Seancat e këtij procesi gjyqësor, me kërkesën e Prokurorisë dhe palës së akuzuar, prej fillimit të muajit shkurt ishin zhvilluar prapa dyerve të mbyllura. Kjo nuk është hera e parë që Baliq ka dalë para gjykatës për sulm apo ngacmim seksual gjatë orarit të punës në spital. Edhe një herë tjetër Baliq ishte akuzuar me dyshimet se në shtator të vitit 2018 kishte ngacmuar seksualisht një praktikante në spital. Ai ishte arrestuar e pastaj edhe suspenduar nga puna. Prokuroria Themelore e Pejës kishte ngritur aktakuzë ndaj tij për atë rast, por Gjykata Themelore e Pejës, në korrik të vitit 2019, e kishte liruar nga akuza për veprën “Ngacmim seksual”, me arsyetimin se nuk është arritur të provohet se ka kryer vepër penale. Këtë vendim e kishte vërtetuar edhe Gjykata e Apelit në shtator të vitit 2020. Por, një muaj më pas, Baliq është arrestuar po për sulm seksual, për çfarë ai të enjten u dënua me dy vjet burgim.