Arbëri

Ish-kryetarja e Kushtetueses me mbi 6 milionë euro para të gatshme

Mbi 6 milionë euro para të gatshme në bankë i ka të deklaruara ish-kryetarja e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, Arta Rama-Hajrizi.

Në llogari kursimesh ajo po ashtu ka të deklaruara edhe 3 mijë euro të tjera.

Ndërsa pasuri të paluajtshme i ka mbi 300 mijë euro në prona të përbashkëta familjare e po ashtu ka edhe aksione në dy shoqëri komerciale.

 

Ndryshe prej ish-kryetares së Kushtetueses, shefi i Agjencisë Kosovare të Inteligjencës, Petrit Ajeti, ka të deklaruara vetëm 4 mijë e 452 euro.

Po ashtu, nuk ka të deklaruar në pronësi asnjë pronë të paluajtshme përpos shtëpisë në vlerë prej 250.000.00 eurosh në pronësi të prindit, njëjtë sikur edhe vetura në vlerë prej 4 mijë eurosh.

Pasuri të madhe ka deklaruar edhe kryetari i ri i KQZ-së Kreshnik Radoniqi.

Ka një banesë në vlerë prej 57 mijë eurosh, si dhe një tjetër banesë të blerë si pronë të përbashkët në vlerë mbi 104 mijë euro.

Radoniqi ka deklaruar edhe një truall në vlerë prej 300 mijë eurosh, dy dyqane dhe një shtëpi verore në Shtoj të Ulqinit, derisa një pjesë të madhe të pasurisë së paluajtshme e ka deklaruar në emër të prindërve.

Ai gjithashtu ka deklaruar rreth 18 mijë euro para të gatshme në bankë, si dhe kredi në vlerë prej rreth 107 mijë eurosh për blerje të banesës.

Pasuri të madhe kanë deklaruar edhe anëtarë të kabinetit qeveritar.

Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka deklaruar një banesë në vlerë 38 mijë euro e tokë 23 mijë euro.

Derisa për dallim prej të tjerëve ai ka deklaruar edhe posedimin e letrave me vlerë, në kompani ndërkombëtare derisa gjatë 2020-s ministri Murati ka blerë letër me vlerë prej 8 mijë eurosh në kompaninë “Netflix”.

E ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, ka deklaruar para të gatshme vetëm 14 euro në bankë, ndërsa mbi 3 mijë euro në llogarinë e gruas së tij.

Po ashtu, në emër të bashkëshortes ministri ka deklaruar pasuri të paluajtshme rreth 190 mijë euro.

Disa anëtarë të kabinetit qeveritar kanë tërhequr para nga Trusti edhe pse ata nuk e kishin votuar Ligjin për tërheqjen e 10-përqindëshit.

Shefi i stafit të presidentes Vjosa Osmani, Blerim Vela, ka deklaruar se ka mbi 250 mijë euro të gatshme në institucione financiare, pa llogaritur paratë e gatshme të bashkëshortes.

Para të gatshme të mbajtura në institucione financiare Vela i ka mbi 100 e 11 mijë euro, po ashtu ka deklaruar se në këto institucione i ka mbi 160 mijë dollarë, si dhe mbi 1 mijë funte në Brighton të Britanisë së Madhe.

Vela, po ashtu, të deklaruar ka një truall prej 400 metrash katrorë në vlerë prej 36.000.00 mijë eurosh të blerë nga kursimet personale, ndërsa për postin që mban në Presidencë ai paguhet 1 mijë e 817 euro në muaj.