Arbëri

Ish-kryetari i gjyqtarëve të EULEX-it do t’u raportojë deputetëve më 18 janar 2021

EULEX

Malcom Simmons, ish-kryetar i Asamblesë së Gjyqtarëve të EULEX-it, do të raportojë para deputetëve të Kuvendit të Kosovës në janar të vitit të ardhshëm, për parregullsitë e shumta për të cilat thotë që ka informacione, e që kanë ndodhur gjatë kohës kur ai shërbente në misionin e sundimit të ligjit të BE-së. Data e raportimit të tij, për të cilin ishin afatet vetëm në mes të dhjetorit apo të janarit, u vendos në mbledhjen e Komisionit për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit, dhe Mbikëqyrjen e Agjencisë Kundër Korrupsionit, të premten.

Kryetari i këtij komisioni, Shkëmb Manaj, nga LDK-ja tha se mbetet të vendoset se a do të raportojë Simmon online apo në seancë plenare, raporton KOHA.

“Administrata duhet të kujdeset paraprakisht dhe të shikojë interesimin e deputetëve dhe varësisht nga ajo të përcaktojnë vendin, ose këtu, ose në seancë plenare për shkak të kushteve që i kemi shkaku i pandemisë. Dakordimi është që kjo seancë dëgjimore të fillojë më datë 18 janar”, tha ai.

Kurse Abelard Tahiri nga grupi i PDK-së tha se çështja me Simmon nuk është vetëm çështje takimi, por fillimi i një procesi të gjatë e për këtë tha se më mirë do të ishte prezenca e tij në sallë.

“Është e rëndësishme të kemi një konsensus brenda këtij ekipi, këtij komisioni për punën e datës, për punën e zhvillimeve të mëtutjeshme, sepse siç e shoh ka me qenë një proces që ka me vazhdue edhe me disa hapa të tjerë pas kësaj, e nuk do të jetë thjesht një takim qoftë online, qoftë fizik më të, por do të jetë fillimi i një procesi të gjatë dhe dakordimi ynë, konsensusi ynë mendoj që është shumë i nevojshëm. Të gjithë kemi qëllimin e njëjtë: ta nxjerrim të vërtetën e mundshme nga personi në fjalë. Mendoj që po të mbahej takimi në sallë, do të ishte më mirë”, tha Tahiri.

Edhe Alban Hyseni nga Vetëvendosja tha se pesha e çështjes e kërkon që raportimi i Simmonit të bëhet në sallë të Kuvendit fizikisht.

“Besoj që si subjekt politik e si deputetë të lëvizjes, çështjen e EULEX-it e kemi ngritë dhe trajtu më shumë se të gjithë të tjerët. Dhe për shkak të rëndësisë së çështjes, të nxjerrim më shumë argumente e fakte mendoj që duhet të përgatitemi të gjithë. Sa i përket formës së mbajtjes së takimit, mendoj që është më mirë të mbahet në Kuvend”, tha Hyseni.

Ish-kryetari i Asamblesë së Gjyqtarëve të EULEX-it, Malcom Simmons, përmes një letre ka thënë se ka informacione për ndërhyrje në hetimet penale, kërcënime të bëra ndaj dëshmitarëve të mbrojtur, nxitje të dëshmitarëve të mbrojtur, manipulim të paneleve gjyqësore, përpjekje për të ndërhyrë në gjykime penale, fshehje provash, manipulim provash, fshehje të provave për kryerjen e veprave penale, përpjekje për të penguar hetimet penale, hyrje të paligjshme në postat elektronike private, pengim të hetimeve, pengim të drejtësisë e ndërhyrje në çështjet penale për objektiva të mëtejshëm politikë.

EULEX-i kishte reaguar pas letrës, duke thënë se versioni i Simmons ishte “i njëanshëm dhe i pavërtetuar” dhe se ai ka refuzuar të bashkëpunojë me një ekip hetimor që ishte krijuar për hetimin e shkallës së shkeljeve të mundshme të raportuara nga ai. Megjithatë, ndaj këtyre pretendimeve kishte reaguar përsëri Simmons, duke i cilësuar si “hakmarrje ndaj tij shkaku që është sinjalizues”.

Simmons kishte dhënë dorëheqje nga EULEX-i në nëntor të vitit 2017.