Petrit Ajeti është drejtor i ri i AKI-së. Ai u emërua të enjten në këtë post. Deri tash në krye të këtij institucioni kanë defiluar pesë zyrtarë. Ndonëse gjatë ushtrimit të funksionit ata kanë pasur qasje të pakufizuar në informata të klasifikuara, pas largimit shteti nuk i ka sistemuar dhe as nuk ushtron mbikëqyrje mbi ta. Në shoqërinë civile druajnë se nga veprimtaria e ish-drejtorëve të AKI-së mund të cenohet siguria kombëtare, e një nga ish-drejtorët e ka shtruar nevojën që kjo të evitohet, duke bërë ndryshime ligjore
Janë gjithsej pesë zyrtarë që, për kohë të caktuar, kanë qenë në krye të Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI). Ndonëse kanë pasur qasje të pakufizuar në informata të klasifikuara, pas largimit nga detyra, shteti nuk i ka sistemuar dhe as nuk ka mbikëqyrje mbi ta.
Bashkim Smakaj është drejtori i parë i AKI-së dhe aktualisht nuk ka ndonjë punë që bën.
“Pas përfundimit të mandatit, rreth dy vjet nuk kam pasur ndonjë angazhim”, i ka thënë ai KOHËS.
”Pastaj jam angazhuar si këshilltar për siguri kombëtare në Kabinetin e presidentit Thaçi, deri në ditën kur presidenti ka dhënë dorëheqjen”.
Në Presidencë dhe as në Kuvend prej dy ditësh nuk kanë ofruar të dhëna mbi punën që bëjnë ish-krerët e AKI-së.
E, bazuar në informata të KOHËS, vetëm Shpend Maxhuni është pjesë e institucioneve, meqë ishte rikthyer në Polici.
Nga ish-drejtorët e tjerë, Agron Selimaj ushtron profesionin e avokatit.
Driton Gashi nuk ka ndonjë vend pune, prej kur u përjashtua nga pozita e sekretarit të Presidencës, pas skandalit me kasafortën.
Drejtor i fundit i AKI-së ishte Kreshnik Gashi dhe u lirua nga detyra, po për shkak të këtij skandali. Angazhimi aktual i tij nuk dihet.
Në shoqërinë civile shtrojnë nevojën për kontroll dhe akomodim të kësaj kategorie zyrtarësh.
Ehat Miftaraj është drejtor ekzekutiv i Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD) dhe thotë se kjo kategori zyrtarësh do të duhej të sistemohej në pozita ekuivalente, me pagë të njëjtë, në mënyrë që të mos qiten në rrugë, siç ka ndodhur deri më tash, dhe që kjo pastaj të mos përbëjë rrezik për sigurinë kombëtare.
“Duke marrë për bazë që gjatë punës së tyre kanë qasje në informata sekrete, kanë qasje në informata të cilat qoftë lidhen me grupe të caktuara kriminale apo me sigurinë kombëtare, qoftë edhe informata të tjera që i marrin prej shteteve të tjera, një shtet normal këta persona do të duhej t’i rehabilitonte edhe në aspektin e sistemimit të tyre në vende të punës, të cilat janë të përshtatshme për të njëjtit”, thotë Miftaraj.
Në Komisionin parlamentar për mbikëqyrjen e AKI-së, i cili u konstituua të mërkurën, paralajmëruan adresimin e këtij problemi.
Ganimete Musliu, kryetare e këtij komisioni, thotë se në masë të madhe një nismë e këtillë ligjore do të varet nga koalicioni qeverisës që e përbën shumicën në Kuvend, por edhe në komision.
“Nëse ekzistojnë mundësia dhe vullneti i deputetëve të shumicës do të iniciojmë plotësim-ndryshimin e Ligjit për AKI-në që ky rast ose ky fakt të rregullohet me ligj, që drejtorët e AKI-së të cilët emërohen nga presidenti dhe kryeministri i vendit të kenë të garantuar dhjetëvjeçarin e ardhshëm brenda institucioneve, jo për të rehatuar apo për të akomoduar individin e caktuar, por thjesht për ta ruajtur dhe për ta mbrojtur sigurinë kombëtare të vendit”, thotë Musliu.
E Bashkim Smakaj ka një rekomandim se si do të mund të bëhej zgjidhja.
“Vendet e ndryshme kanë praktika të ndryshme për sa u përket këtyre pozitave të ndjeshme në aspektin e sigurisë kombëtare. Disa i mbajnë të angazhuar në kuadër të institucioneve publike në pozita të ndryshme, disa të tjerë ofrojnë beneficione të tjera, si një përqindje të caktuar të pagës, etj.”, thotë Smakaj, nëpërmjet një përgjigjeje të shkruar. “Mendoj që një rregullim i statusit të këtyre drejtuesve duhet të bëhet me ligj. Zgjidhja më e lehtë do të ishte futja edhe e kësaj pozite në kuadër të Ligjit për ish-zyrtarët e lartë shtetërorë ku bëjnë pjesë: ish-kryetari i Kuvendit, ish-kryeministri, ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, ish-kryeprokurori i Shtetit dhe ish-kryetari i Gjykatës Supreme (ligji :04/L-038 dhe 03/L-001)”.
Petrit Ajeti u emërua të enjten drejtor i AKI-së. Në këtë institucion nuk kanë treguar për rrezikun potencial të sigurisë kombëtare, nga puna dhe aktiviteti që ish-drejtorët e bëjnë, pas përfundimit të mandatit.