Ish-kryetari i Gjykatës Ushtarake të UÇK-së, Sokol Dobruna, i është bashkuar Lëvizjes Vetëvendosje.
Këtë e ka bërë të ditur lideri i kësaj partie, Albin Kurti, ku ka treguar për jetën dhe veprimtarinë e Dobrunës ndër vite.
“Baca Sokol është ish i burgosur politik dhe veprimtar i kamotshëm i çështjes kombëtare, pjesëmarrës në lëvizje e organizata të ndryshme legale e ilegale të kohës. Në dimrin e ashpër 1998/1999, jemi takuar në Shtab të Përgjithshëm në malet e Berishës kur Adem Demaçi përfaqësonte dhe mbronte UÇK-në duke udhëhequr zyrën e saj në Prishtinë. Gjatë luftës, Baca Sokol asnjë ditë të vetme nuk ka qenë jashtë Kosovës dhe e ka ecur në këmbë Kosovën nga Shala e Bajgora deri në Vrri të Prizrenit. Me tetë dekadat e jetës së tij ai është dëshmi e gjallë se është e mundur të plakesh duke qenë edhe patriot edhe i ndershëm”, ka shkruar Kurti në Facebook.
Sokol Dobruna ishte ftuar gjatë vitit 2018 nga Gjykata Speciale për intervistim. Ai, ndër të tjera ishte pyetur nga prokurorët e Speciales lidhur me rastin e zyrtarit të AAK-së, Blerim Kuçi, ku thuhej se kishte dhënë urdhër për vrasjen e tij, nën akuzat për dezertim.
Dobruna vite më parë kishte deklaruar se në rolin e kryetarit të Gjykatës Ushtarake, kishte dënuar Kuçin me pushkatim.