Në ditën e tretë dhe të fundit të dëshmisë para Dhomave të Specializuara, Ramiz Qeriqi tha se në kohën sa ka qenë komandant batalioni i raportonte Fatmir Limajt në baza javore. Ai theksoi se asokohe Limaj i pati thënë se ai është personi që merrej me Likoc, ku pretendohet që për një kohë ka qenë Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së. E tek iu përgjigj pyetjeve të anëtareve të trupit gjykues, Qeriqi tha se funksionin e komandantit e ka ushtruar edhe pa u emëruar zyrtarisht
Dëshmitari i 55-të i Zyrës së Prokurorit të Specializuar, Ramiz Qeriqi, tha se Shtabin e Përgjithshëm të UÇK-së e ka konsideruar si institucion sa ka shërbyer si komandant i Batalionit të Dytë të Brigadës 121 të Zonës së Pashtrikut.
Ai e përmbylli dëshminë treditore me përgjigjet në pyetjet e trupit gjykues e edhe në kundërpyetjet e prokurorisë e avokatëve në rastin, në të cilin ish-udhëheqësit e UÇK-së – Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi e Jakup Krasniqi – gjykohen në Hagë për krime lufte.
Gjyqtari Christoph Barthe e pyeti rreth një deklarate të mëhershme kur ai, sipas tij, pati thënë që Fatmir Limaj e kishte njoftuar se është ai personi që merrej me Likocin, ku pretendohet të ketë qenë Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së.
“Zoti Limaj, sipas jush, e kishte fjalën për një institucion, pra, për Shtabin e Përgjithshëm apo për një person konkret, si zotëri Rexhep Selimi, për shembull?”, ka qenë pyetja e gjyqtarit Barthe.
“Është në pyetje institucion, sigurisht”, iu përgjigj dëshmitari Qeriqi.
Qeriqi, që njihej me nofkën “Luani”, ishte komandant i batalionit të brigadës që për një kohë udhëhiqej nga Limaj. Në këtë cilësi, ai tha se i raportoi një herë në javë Shtabit të Brigadës në Kleçkë, dhe theksoi se Limaj, kur donte që urdhri i tij të merrej më seriozisht, thoshte që është nga Shtabi i Përgjithshëm.
Prokurorja Silvia D’Ascoli i prezantoi dy dokumente, që, sipas saj, ishin urdhra të Bislim Zyrapit, që për një kohë ishte shef shtabi.
“Tani që i ke parë këto dy urdhra, a përfaqësojnë ato një shembull të rastit kur Brigada 121 ka marrë urdhra nga Shtabi i Përgjithshëm?”, ka pyetur prokurorja D’Ascoli.
“Po, sipas këtij dokumenti shihet që nuk e ka thënë vetë ai por paska marrë urdhra... Unë s’e kam besuar atëherë, kam menduar që po e thotë vetë”, është përgjigjur dëshmitari Qeriqi.
Urdhrat e kësaj natyre, prokurorja i kualifikoi si dëshmi që e shpërfaqin strukturën dhe hierarkinë ushtarake të UÇK-së.
E tek u mor në pyetje nga anëtari i trupit gjykues, Guenawl Mettraux, Qeriqi e pohoi konstatimin se ai e ushtroi detyrën e komandantit të batalionit, edhe pa u emëruar zyrtarisht.
“Pra, në të vërtetë, de-fakto nëse mund të përdorë një term juridik, ju i keni ushtruar funksionet e komandantit të batalionit edhe para se të emëroheshit me shkrim”, ka thënë gjyqtari Mettraux.
Pasi Qeriqi e përmbylli dëshminë treditore, në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë dëshminë e nisi një dëshmitar i mbrojtur.