Arbëri

Ish-komandanti i Llapit do të dëshmojë me zë në rastin e ish-krerëve të UÇK-së

Kërkesa e Zyrës së Prokurorit të Specializuar që dëshmia në formë të shkruar e ish-komandantit të Zonës Operative të Llapit, Rrustem Mustafa, dhënë në një proces të mëhershëm gjyqësor dhe gjatë intervistimit të tij nga Specialja të pranohet, është hedhur poshtë nga kryetari i Trupit Gjykues, Charles Smith. Kjo formë e të dëshmuarit u kundërshtua edhe nga mbrojtësit e të akuzuarve.

Kryetari i trupit gjykues, Charles Smith, ka refuzuar kërkesën e Zyrës së Prokurorit të Specializuar në rastin Thaçi dhe të tjerët për pranimin e deklaratave të mëhershme të dëshmitarit me numër 4647, të dhëna në një proces tjetër gjyqësor dhe gjatë intervistës së tij dhënë për Specialen vite më parë.

Kërkesa e prokurorit James Pace u bazua në nenin 154 të Rregullores së procedurës së provave, ku parashihet pranimi i deklaratave dhe i transkripteve në vend të pyetjeve të drejtpërdrejta.

Pace ka bërë të ditur se dëshmitari ishte komandant i Zonës Operative të Llapit në kohën e luftës. E komandant i kësaj zone ishte Rrustem Mustafa, i njohur si “Remi”.

“Shkurtimisht, ato trajtojnë strukturën e UÇK-së, rolin e dëshmitarit si komandant i Zonës Operative të Llapit, gjithashtu përfshijnë edhe udhëzimet dhe urdhrat që janë dhënë nga Shtabi i Përgjithshëm. Secila prej deklaratave që ne kërkojmë të pranohen sipas Rregullës 154 ose janë bërë përpara një gjykate në kontekstin e proceseve gjyqësore në një gjykatë në Kosovë, ose në mënyrë të drejtpërdrejtë ZPS-së. Dhe këto deklarata janë të regjistruara audio dhe video”, ka thekuar ai.

Kjo kërkesë u kundërshtua nga mbrojtësit e të akuzuarave Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi, meqë, sipas tyre, dëshmitari është intervistuar në cilësinë e të dyshuarit dhe se me anë të dëshmisë me shkrim pamundësohet që atij t’i shtrohen pyetje.

“Ne kemi javë, për të mos thënë muaj që po përgatitemi që ky dëshmitar të vijë këtu dhe të japë dëshminë e vet me zë. Materialet me shkrim mund të përdoren në kundërpyetjet e këtij dëshmitari, ndërkohë që tani na thuhet që dokumenti me shkrim do të jetë prova ose dëshmia e këtij dëshmitari. Kështu që e gjithë puna që ne kemi bërë ka shkuar dëm”, ka theksuar avokati i Krasniqit, Aidan Ellis.

Ndërsa Lluka Mishetiq, avokat i Thaçit ka thënë se “të tillët janë dëshmitarë të cilët duhet të japin dëshminë e tyre me zë”.

Komandant Remi më herët pati konfirmuar se ka pranuar ftesën e ZPS-së që të dëshmojë në këtë proces.