Arbëri

Ish-komandanti e quan UÇK-në ushtri të rregullt dhe vullnetare

Naim Maloku

Naim Maloku, ish-komandant në Ushtrinë Çlirimtare, ka dëshmuar në rastin më të madh të Speciales, ku po gjykohen për krime lufte ish-anëtarët e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së. Maloku tha se Shtabi i Përgjithshëm respektohej, porse ajo që e dallonte UÇK-në si formacion ushtarak ishte se të gjithë pjesëtarët e saj ishin vullnetarë.

Ish-anëtari i drejtorisë operative të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së dhe eprori në Zonën e Dukagjinit, Naim Maloku, ka dëshmuar të hënën në rastin më të madh të Speciales. 

Në gjykimin e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, Maloku deklaroi se pjesëtarët e UÇK-së kishin respekt për strukturat, përfshirë edhe Shtabin e Përgjithshëm të UÇK-së.

“Ndoshta e kam paraqitur strukturën organizative dhe zinxhirin komandues si strikt. Unë dua t’ju sqaroj që Ushtria Çlirimtare e Kosovës ka qenë ushtri e rregullt vullnetare. Pra prej ushtarit të parë e deri në të fundit ka qenë vullnetare – krejt pjesëtarët. Nuk ka qenë e mobilizuar në bazë të ligjeve të qeverisë, të Ministrisë së Mbrojtjes etj, por është vetë-organizuar në baza vullnetare”, tha Maloku.

Maloku, tek iu përgjigj pyetjeve të Prokurorisë lidhur me një intervistë që është e publikuar në librin e Agim Zogajt “Dëshmi në rrugën e Lirisë”, tha se nga i pari e deri tek i fundit, në UÇK ishin vullnetarë.

“Për shembull në qoftë se një ushtar që vjen vullnetar, paraqitet në brigadë, dhe vjen vullnetar. Pas një muaji për shkaqe të ndryshme ai e lëshon njësinë, nuk quhet dezertim. Sepse ai vullnetarisht ka ardhur dhe vullnetarisht shkon... Mundet njësia apo ushtari vullnetar të mos e zbatojë ndonjë urdhër edhe ai nuk përgjigjet para organeve që ajo ushtri vullnetare i krijon për të krijuar dhe ndërtuar disiplinë brenda strukturës së asaj ushtrie, tha Maloku.

Ai tha se anëtar i shtabit të përgjithshëm u bë në nëntor të ‘98-s. Në atë kohë, sipas tij, mbaheshin mbledhje mujore të shtabit, e ku komandantët e zonave ishin anëtarë të barabartë, e merrte pjesë edhe Rexhep Selimi si inspektor i përgjithshëm. Për të, beson se nuk e pati mundësinë ta ushtronte siç duhej këtë detyrë. 

Maloku tha po ashtu se drejtoria operative e shtabit të përgjithshëm në koordinim me shefin Bislim Zyrapi, ndërmorën një operacion gjatë luftës ku çuan ushtarë nga zonat e Shalës dhe Drenicës për t’u ndihmuar 10 pjesëtarëve të UÇK-së që ishin të rrethuar në Mitrovicë. Dëshmitari u shpreh se vite më parë, shtabi i përgjithshëm e përdori këtë si argument te ndërkombëtarët se pati zinxhir hierarkik.

E për Jakup Krasniqin, dëshmitari theksoi se mbante kontakte me zyrat e informimit në Prishtinë, Tiranë e disa vende të Evropës. Tha se atë e njihte si zëdhënës të shtabit të përgjithshëm dhe si koordinator për komunikim me mediat.

Lexo përditësimet tjera
Naim Maloku

Maloku: UÇK-ja ishte ushtri me baza vullnetare, kishte respekt për Shtabin e Përgjithshëm

Ish-komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Naim Maloku, ka nisur dëshminë në Gjykatën Speciale në Hagë. ...