Nuredin Abazi ka filluar dëshminë në Hagë, në rastin ku po gjykohen Thaçi dhe të tjerët. Abazi gjatë kohës së luftës ka shërbyer si këshilltar juridik në Zonën e Pashtrikut.
Para Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë, të hënën ka nisur dëshminë Nuredin Abazi, ish-ushtar i UÇK-së dhe ish-këshilltar juridik në Zonën Operative të Pashtrikut, konkretisht në Batalionin në Budakovë.
Abazi po dëshmon në rastin ku për krime lufte po gjykohen ish-udhëheqësit e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së: Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi.
Ai fillimisht u mor në pyetje nga prokurori James Pace lidhur me Latife dhe Rrushe Kololli, që sipas aktakuzës, trupat e tyre u gjetën gjashtë ditë pas ndalimit nga UÇK-ja në Budakovë të Suharekës.
Dëshmitari Abazi tha se në cilësinë e këshilltarit ligjor ka rekomanduar lirimin e tyre.
“Kam thënë që të lirohen pastaj unë nuk kam qenë kompetent të japë çfarëdo urdhri ku të shkojnë. Por, kam thënë të lirohen sepse nuk kanë të bëjnë asgjë me spiunazh. Krejt ato kanë qenë për motive të ulëta çka kam kuptuar unë gjatë bashkëbisedimit me to”, ka thënë Abazi.
Pasi u mor në pyetje nga prokuroria, dëshmitarit iu drejtua avokati i Thaçit, Lluka Mishetiq. Ai e pyeti lidhur me një organo-gram.
“Ju thoni që nuk keni qenë pjesë e strukturave ushtarake por a ju kujtohet që në fillim prokurori të tregoi një organo gram dhe në një kuti atje ishte edhe emri i juaj, kështu?”, ka pyëtur Mishetiq.
“...Por sa ka funksionuar është problemi, nuk ka mundur të funksionoj. Ka qenë i vështirë funksionimi sepse organo grami është shumë bukur, ashtu duket perfekt. Por, kontaktet në mes këtyre personave kanë qenë shumë të vështirësuara, ne kemi qenë të përqendruar në vende të caktuara”, është përgjigjur dëshmitari.
Abazi tha se në cilësinë e Këshilltarit Juridik në Zonën e Pashtrikut, ai merrej edhe me masat disiplinore ndaj ushtarëve. Ai tha se kryesisht i caktonin ditë shtesë në rojë.
“Nuk kemi mundur ne të bëjmë presion. Pak kur bënim presion ai ikte, prej ushtrisë dhe shkonte në shtëpi. Nuk kemi pasur mekanizma që pengojnë ose që detyrojmë të bënin diçka. Çdo gjë ka qenë vullnetare asgjë nuk ka mundur të bëhet më dhunë. Askush nuk ka mundur ta obligoi askënd. Nëse nuk i pëlqente ai e linte”, ka thënë Abazi.
Pas luftës, Abazi ka ushtruar profesionin e avokatit në Gjykatën Themelore në Prizren, dega në Suharekë. Ai tani është avokat. Dëshminë do ta vazhdojë edhe të martën.