Arbëri

Ish-i burgosuri inicion peticion për mbrojtjen e burgut të Gurrakocit

Me iniciativë të Burim Kabashit nga fshati Gurrakoc i Istogut, të hënën në këtë fshat ka nisur mbledhja e nënshkrimeve për peticionin kundër vendimit të Komunës së Istogut për rrënimin e objektit të ish-burgut në Gurrakoc.

Kabashi, që edhe vetë ka qenë i burgosur aty në vitin 1999, i ka thënë KOHËS se qëllimi i peticionit është që edhe ish-burgu të shndërrohet në muze dhe të mbahet në kujtesë persekutimi që iu është bërë shqiptarëve me dekada të tëra.

“Ky burg daton pas Luftës së Dytë Botërore në vitet e 50-ta. Këtu ka pasur dhunë sistematike nga pushteti serb qysh nga vitet e 50-ta. Andaj, gjeneratat që vijnë ne do të na gjykojnë për mosruajtjen e këtij burgu”, ka thënë Burim Kabashi, ish-i burgosur në burgun e Gurrakocit.

Duke nënshkruar peticionin, mbështetje kundër rrënimit të atij objekti i kanë dhënë edhe shumë qytetarë të kësaj komune që ditën e parë.

“Jemi për mos me prish këtë monument që është shumë trishtues. Le ta dinë edhe gjeneratat e tjera se çka kanë vuajtur të parët tanë nëpër këto burgje nga Serbia”, ka pohuar Isa Gjocaj, qytetar nga fshati Tomoc i Istogut.

Në komunë, e cila veç kishte nisur përgatitjet për rrënimin e objektit, duket se janë zmbrapsur nga vendimi për rrënimin e tij që kishin sjellë para një muaji.

“Objekti në Gurakoc është në gjendje shumë të vështirë. Por nuk do të rrënohet. Unë besoj që ky peticion është i panevojshëm. Komuna është këtu, është e qytetarëve dhe do të shikojmë të gjitha mundësitë se si do të veprohet më tutje me atë objekt”, ka thënë Agim Ademaj, nënkryetar i Komunës së Istogut.

Ademaj ka pohuar se për këtë objekt, Komuna tash do t’i njoftojë institucionet përkatëse, përfshirë edhe institutin rajonal në Pejë për mbrojtjen e monumenteve.

Objekti i ish-burgut në Gurakoc është në pronësi të Ministrisë së Drejtësisë, kurse toka është pronë e Komunës, e cila kishte marrë leje nga Ministria që ta rrënojë objektin, në të cilin pas luftës kanë jetuar familje skamnore.