Në Gjykatën Themelore të Prizrenit për mbi katër orë ka zgjatur seanca e radhës ndaj të akuzuarve Iran Badalli e Arben Gashi, të akuzuar për shpërthimin e vitit të kaluar, që e la të vrarë një polic dhe disa të lënduar. Këtë të premte para trupit gjykues ka dëshmuar Artur Mrasori, ish-hetues i Njësisë Antidrogë, e që ishte në aksion në momentin e shpërthimit.
“Aty më ka ardhur një dritë e madhe, ashtu si blic, një nxehtësi jashtëzakonisht e madhe dhe një zhurmë në vesh, pastaj e kam ndier vetëm që jam përplasur në dysheme.” Kështu e përshkruan momentin e shpërthimit të një eksplozivi më 28 janar të vitit 2020 në Zhur të Prizrenit Artur Mrasori, ish-hetues i Njësisë së Antidrogës në Policinë e Kosovës.
Mrasori, i cili ka humbur pothuajse tërë shikimin e ka marrë lëndime në pjesë të ndryshme të trupit, ishte bashkë me kolegun e tij, Sami Thaçi, i cili vdiq për shkak të plagëve të marra nga shpërthimi gjatë një aksioni për bastisje.
Ish-zyrtari policor është dëshmitari i parë që ka rrëfyer para trupit gjykues se çfarë kishte përjetuar në shtëpinë e të akuzuarit Iran Badalli, tek i cili kishin shkuar pas një thirrjeje se i njëjti posedonte substanca narkotike.
Mirëpo në këtë seancë mbi katërorëshe gjyqtares Ajsere Skënderi i ishte dashur të lexonte një nen të Kodit, për shkak të pyetjeve të avokatit mbrojtës të të akuzuarit, për ç’gjë edhe është ndërprerë seanca, për t’u vazhduar më 23 korrik.
Këtë të premte në Gjykatën Themelore të Prizrenit është mbajtur edhe fjala hyrëse, ku avokatët e palës së dëmtuar thanë se atë çfarë ka bërë Iran Badalli është krim dhe se duhet të ketë dënim maksimal për të.
“Burgu për të është luks, sepse jeta që bëri jashtë ishte ferr për familjen dhe që një pjesë e atij ferri goditi edhe të tjerët në krye të misionit të tyre të shenjtë. Me dëshmitë e të dëmtuarve do të provohen jo vetëm pasojat, por edhe dashja e të akuzuarit të parë, ndërkaq ne vetëmbrojtjen e tyre do të provohet gjithçka që është shkruar në aktakuzë e që mjerisht është e dhimbshme e rëndë e besa edhe e papërballueshme”, ka deklaruar avokati i Mrasorit, Besnik Berisha.
“Kolegu tha se Zoti i ka shoqëruar fëmijët e Iran Badallajt. Gjatë procesit gjyqësor do të provohen fakte se Zoti nëpërmjet policëve që sot nuk mund të dëgjojnë e shikojnë mirë i kanë shpëtuar fëmijët e pikërisht këtij krimineli nga urrejtja për policët, të cilët u munduan në çdo formë për dhjetëra krime të tij të mëparshme ta ndalnin dhe ta vinin para drejtësisë, e për ta realizuar urrejtjen dhe hakmarrjen e tij ishte i gatshëm t’i sakrifikonte edhe fëmijët”, ka thënë Blerim Mazreku, avokat i familjes së Sami Thaçit.
“Aktakuza në raport me të mbrojturin tim nuk ka mbështetje ligjore, ngase në dispozitiv të saj nuk përshkruan kurrfarë veprimi inkriminues, përpos përshkrimeve të lëndimeve që të dëmtuarit kanë pësuar si rezultat i një eksplodimi të shkaktuar jo me faj të klientit tim”, është shprehur Nexhat Elashi, avokati i Iran Badallit.
Iran Badalli e Arben Gashi akuzohen për veprat penale “shkaktim i rrezikut të përgjithshëm” dhe “armëmbajtje pa leje”, shkaku që kishin montuar eksploziv në shtëpinë e tyre, ditën kur zyrtarë të policisë shkuan për bastisje.
Situata u tensionua pas përfundimit të seancës nga familjarët e të akuzuarit.