Arbëri

Kryeziu: Zvarritja e konstituimit të Kuvendit mund të përfundojë në Kushtetuese

Ish-gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese, Kadri Kryeziu, ka paralajmëruar se zvarritja e konstituimit të Kuvendit mund të përfundojë në Kushtetuese për interpretim të mëtejshëm.

Ai ka theksuar se, sipas Kushtetutës, pas certifikimit të rezultateve zgjedhore, fillon afati kushtetues prej 30 ditësh, brenda të cilave presidentja e vendit duhet ta thërrasë mbledhjen e parë konstituive të Kuvendit. Në këtë mbledhje, sipas procedurave kushtetuese, duhet të zgjidhet kryetari dhe nënkryetarët e Kuvendit, duke e bërë kështu institucionin funksional.

“Këto çështje, të cilat hipotetikisht mund të ndodhin, siç është pamundësia për të zgjedhur kryetarin e Kuvendit në mbledhjen e parë (v.j. meqë asnjëra parti nuk i ka numrat), nuk janë të parashikuara në Kushtetutë. Ka një zbrazëti në Kushtetutë dhe një situatë e tillë mund të sjellë zvarritje të mëtejshme,” ka deklaruar Kryeziu në “60 Minuta” të KTV-së të premten.

Ai ka shtuar se, në rast të paqartësive, grupet parlamentare mund t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese për sqarim të mëtejshëm, çka mund të çojë në një proces të gjatë procedural. Sipas tij, nuk ka afate të sakta për konstituimin e Kuvendit, por pasi të konstituohet, brenda 60 ditëve duhet të formohet Qeveria, në të kundërtën, vendi shkon në zgjedhje të jashtëzakonshme, të cilat presidentja duhet t’i shpallë brenda 40 ditëve, ndërsa fushata zgjedhore do të zgjasë 10 ditë.

Duke folur për procesin e zgjedhjes së kryeministrit, Kryeziu ka potencuar se partia fituese e zgjedhjeve, në këtë rast Lëvizja Vetëvendosje, ka të drejtën dhe obligimin të propozojë emrin e kandidatit për kryeministër, të cilin më pas presidentja e dekreton si mandatar. Ky mandatar ka 15 ditë afat për formimin e Qeverisë. Nëse dështon, procedura përsëritet, por me një emër të ri nga e njëjta parti. Në rast se as ky proces nuk ka sukses, atëherë presidentja mund të emërojë një kandidat tjetër që siguron 61 vota në Kuvend, pavarësisht nga cila parti politike vjen ai.

“Kosova është republikë parlamentare, dhe për këtë arsye, vendimmarrja për Qeverinë dhe presidentin bëhet përmes Kuvendit”, ka përfunduar Kryeziu.