Arbëri

Ish-gjyqtari i EULEX-it do të raportojë para deputetëve “për shkeljet nga ky mision”

EULEX

Ish-gjyqtari i EULEX-it, Malcolm Simmons, do të raportojë para Komisionit Parlamentar për Legjislacion, Mandate dhe Imunitete, lidhur me deklarimet e tij se ka pasur "shkelje" gjatë misionit të sundimit të ligjit në disa çështje të profilit të lartë në Kosovë.

Kjo është miratuar në mbledhjen e këtij Komisioni gjatë së premtes, derisa Lidhja Demokratike e Kosovës është shprehur kundër raportimit të Simmons.

Kryetari i Komisionit nga LDK-ja, Shkëmb Manaj, i ka thënë KOHËS se janë kundër një dëshmie nga ish-gjykatësi i EULEX-it, nën arsyetimin se ky ka qenë një mision i themeluar nga Bashkimi Evropian dhe jo institucionet vendore.

“Kërkesa e parashtruar nga anëtarja e Komisionit për Legjislacion, Mandate dhe Imunitete, Donika Kadaj-Bujupi, është mbështetur nga anëtarët e Komisionit. Qëndrimi zyrtar i Lidhjes Demokratike të Kosovës është se z.Simmons nuk duhet të dëshmojë sepse misioni i EULEX-it është mision i themeluar nga Bashkimi Evropian dhe jo nga institucionet e Kosovës”, ka thënë Manaj për KOHËN.

Krahas kësaj, dëshmia e ish-gjykatësit Simmons do të dëgjohet. Komisioni bëhet e ditur se do e njoftojë avokatin e Simmonsit për dëshminë e tij.

Në anën tjetër, deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Donika Kadaj-Bujupi, ka akuzuar deputetin Manaj se e kishte fshehur kërkesën e ish-gjykatësit të EULEX-it për raportim të shkeljeve në sundim të ligjit.

E ftuar në Interaktiv të KTV-së, deputetja e AAK-së ka thënë se letra e pretenduar me shkelje serioze, ishte fshehur nga kryetari i Komisionit, Shkëmb Manaj.

“Ai kishte paraqitur pretendime për shkelje serioze të të drejtave të njeriut nga ana e drejtësisë ndërkombëtare. Kjo letër nuk u bë e njohur për ne edhe pse u drejtua për deputetët. Do të duhej të ndodhte. Me rregullore të Kuvendit ka qenë e paraparë që kryetari që ka marrë informatën nga administrata, edhe s’bëjmë mirë të themi se administrata ka përgjegjësi sepse ajo e ka njoftuar kryetarin e pesha e kësaj letre do të duhej menjëherë të na ftonte në një takim të hapur apo mbyllur sepse s’është e zakonshme një kërkesë e tillë që një zyrtar i lartë”, ka thënë Kadaj-Bujupi të enjten.