Bozho Kovaçeviq, analist i njohur politik dhe ish-ambasador i Kroacisë në Moskë, ka thënë se në rast se nuk do të ketë marrëveshje për paqe në Ukrainë atëherë lufta do të përhapej në rajone të paqëndrueshme, siç është Ballkani Perëndimor.
“Ndërkaq, është e qartë pse Trump po e shpëton Putinin… Nëse marrëveshja e paqes nuk arrihet, nuk duhet të përjashtuar mundësinë e përhapjes së luftës dhe të shpërthimit të konflikteve në rajone të paqëndrueshme siç është edhe Ballkani Perëndimor”, u shpreh diplomati i njohur kroat.
“Qëllimi i Trumpit është të nënshkruajë marrëveshjen për eksploatimin e mineraleve ukrainase si parakusht për fillimin e negociatave të paqes. Kjo na sjell një hap më afër armëpushimit, por nuk jam i sigurt se do të arrihet një marrëveshje paqeje që do të duhet të rregullojë në mënyrë më të qëndrueshme marrëdhëniet në atë pjesë të Evropës. Objektivat deklarative të Ukrainës dhe Rusisë janë diametralisht të kundërta. Zelensky priste që Trumpi të thoshte paraprakisht se do të gjykojë në favor të Ukrainës, gjë që është joreale”, ka thënë Kovaçeviq për “Jutarnji List”.
“Takimi në Uashington ishte një shfaqje, regjisor dhe kryeprotagonist I së cilës është Donald Trump. Zelensky u përpoq të ishte personazhi kryesor që do të ndryshonte skenarin e dhënë dhe kjo ishte dënuar paraprakisht me dështim. Mendoj se Zelensky u udhëzua nga këshilltarët e tij evropianë Macron dhe Starmer, të cilët nuk arritën ta bindin Trumpin të bënte atë që donin – të merrnin pjesë në plaçkitjen e Ukrainës, kurse për këtë, Amerika ishte garantues sigurie. Zelensky i bëri dëm edhe vetes, edhe Ukrainës dhe e zemëroi edhe më shumë Trumpin, i cili ka qenë i zemëruar me të që më parë”, u shpreh Kovaçeviq, i cili beson se pa ndihmën amerikane, Ukraina nuk do të ishte e aftë të ndërmerrte veprime sulmuese dhe perspektiva e saj do të ishte e zymtë.
“Me këtë ishte kushtëzuar letra e Zelenskyt në të cilën i kërkoi falje Trumpit. Episodi në Zyrën Ovale ishte pasojë e nxitimit të ekipit të Trumpit, i cili nuk respektoi konventat diplomatike për përgatitjen e takimeve të tilla, dhe ambicieve joreale të presidentit Zelensky, të cilin liderët evropianë, si dhe Joe Biden, e ftonin dhe e paraqisnin si një yll, ndaj priste që edhe këtë herë ai e jo Trumpi, të ishte ylli. Trump dhe Vance e ofenduan qëllimisht. Me këtë ata e dëmtuan edhe veten”, ka deklaruar tutje ish-ambasadori, duke shtuar se pas kësaj, u rrit mbështetja e Zelenskyt në mesin e ukrainasve.
“Amerika, si ndërmjetëse, vendos kushte për Ukrainën, kurse me asgjë nuk e kushtëzon pjesëmarrjen e Rusisë në negociata dhe me këtë lëshon pe para kërkesave maksimaliste të Rusisë. Qëllimi i SHBA-së është të fillojë negociatat dhe më pas do të përdorin dajakun kundër Rusisë. Nëse nuk do të jetë kështu, kjo do të thotë se Amerika e ka detyruar aleatin të kapitullojë në interes të armikut të saj nominal të luftës”, pohon Kovaçeviq, duke nënvizuar se edhe Rusia ka dobësi të shumta për shkak të të cilave edhe ajo do ta kishte vështirë për të mbajtur për më gjatë intensitetin e operacioneve luftarake që aktualisht janë duke u zhvilluar.
“Rusisë e cila po përballet me trazira të mundshme politike dhe paqëndrueshmëri të brendshme, Trumpi po i shtrinë dorën e shpëtimit dhe po i bën shërbim Putinit. Supozoj se Trumpi dëshiron që me këtë të nxjerrë përfitime për Amerikën dhe meraku i tij kryesor është që dollari të mbetet një mjet universal i pagesave. E dimë se organizata BRICS, në të cilën janë edhe Kina, edhe Rusia, ka për qëllim të zhvendosë dollarin dhe të vendosë një mjet tjetër pagese, që në Amerikë do të shkaktonte inflacion”, shpjegon Kovaçeviq, i cili çmon se është joreale që Rusia brenda një të ardhmeje të afërt të tërhiqet nga territoret që ka pushtuar në Ukrainë.
“Duke i dërguar letër-faljen Trumpit, Zelensky konfirmoi tërthorazi pajtimin e Ukrainës me atë që tha ministri amerikan i Mbrojtjes në Munih, se nuk është reale të pritet vendosja e sovranitetit të Ukrainës mbi të gjitha territoret e pushtuara”, shton Kovaçeviq.
Sipas fjalëve të tij, Britania e Madhe po ringjall nostalgjinë perandorake, ndaj pak para se Trumpi të merrte pushtetin në SHBA, në Kiev u nënshkrua një marrëveshje njëqindvjeçare për bashkëpunim midis Ukrainës dhe Mbretërisë së Bashkuar.
“Një pjesë e këtij dokumenti është sekret dhe disa analistë supozojnë se Ukraina është zotuar t’ia lë Mbretërisë së Bashkuar burimet minerale në të cilat llogarit Amerika. Është për të supozuar se amerikanët e morën vesh këtë. Krerët e BE-së dhe shteteve më të mëdha anëtare nuk e llogarisin fare BE-në si një lojtar në marrëdhëniet ndërkombëtare. BE-ja ia pa për të madhe SHBA-së që organizon takim me rusët pa BE-në dhe atëherë shefat e disa vendeve anëtare të BE-së organizuan takimin me kryeministrin britanik, kreun e NATO-s, Turqinë dhe Kanadanë pa informuar për këtë anëtarët e tjerë të BE-së. Me këtë, BE-ja i dha argumente shtesë Hungarisë për kritikën se disa vende po përdorin institucionet e BE-së për të imponuar interesat e tyre”, vlerëson Kovaçeviq.
“BE do t’ju shërbejë lojtarëve të tjerë si mjet për realizimin e interesave. Që Ukraina të pajtohet me lojën e tyre, BE-ja duhet t’i premtojë asaj anëtarësim të përshpejtuar. SHBA-ja është e vetmja me të cilën Rusia dëshiron të negociojë, sepse e konsideron atë si fajtore për shpërthimin e luftës. Nuk ka garanci për Ukrainën. Deklarata e Budapestit e vitit 1994 ka përcaktuar shumë qartë se SHBA, Rusia dhe Britania e Madhe janë garantuesit e sigurisë së Ukrainës nëse dikush e sulmon. E sulmoi njëri nga garantuesit. Rusia dëshiron që në negociatat me SHBA-në të arrijë statusin e partnerit të barabartë në bisedimet për sigurinë globale dhe rajonale, dëshiron statusin e superfuqisë”, thekson Kovaçeviq.
“Nëse Trump ka aspirata territoriale ndaj Grenlandës, Panamasë dhe Kanadasë, atëherë mund të supozojmë se është i gatshëm që edhe rusëve t’ua njohë të drejtën për realizimin e ambicieve të tilla”, u shpreh diplomati kroat.
Kovaçeviq është i bindur se Franca dhe Britania e Madhe duan të instalohen në pozicionin e garantuesit të sigurisë evropiane dhe për këtë arsye insistojnë në rritjen e buxheteve ushtarake të të gjithë anëtarëve evropianë të NATO-s, me çka do të rrisnin tregun për produktet e tyre ushtarake.
“Nëse marrëveshja e paqes nuk arrihet, nuk duhet të përjashtuar mundësinë e përhapjes së luftës dhe të shpërthimit të konflikteve në rajone të paqëndrueshme siç është edhe Ballkani Perëndimor. Prandaj duhet të forcohen aftësitë mbrojtëse”, ka deklaruar Kovaçeviq, përcjell “kdp.mk”.