Arbëri

Ish-Auditori i përgjithshëm, Besnik Osmani, pritet të emërohet nënkryetar i Fushë-Kosovës

Ish-Auditori i përgjithshëm, Besnik Osmani, pritet të emërohet nënkryetar i Komunës së Fushë-Kosovës. Këtë pozitë deri tash e ka ushtruar Fadil Krasniqi, i cili tash e udhëheq Drejtorinë e Arsimit. Vetë Fadil Krasniqi ka thënë se nuk është më nënkryetar i Komunës. Ai i ka thënë KOHËS se këto ditë do të vijë nënkryetari i ri, por nuk ka treguar se kush. Ndërkohë, burime të KOHËS kanë bërë të ditur se nënkryetari i ri pritet të emërohet Besnik Osmani. KOHA ka kontaktuar Osmanin, por ai ka thënë se nuk është emëruar nënkryetar i Komunës së Fushë-Kosovës.

“Nuk jam emëruar nënkryetar i Komunës. Nuk e di si do të rrjedhin gjërat. Të gjitha diskutimet i kemi lënë për javën e ardhshme. Është mundësi për të diskutuar dhe jemi pajtuar (me kryetarin Burim Berisha v.j.) që të gjitha diskutimet t’i lëmë për javën e ardhshme”, ka thënë për KOHËN Besnik Osmani.

I pyetur nëse do të shkojë si anëtar i LDK-së apo i pavarur, Osmani ka thënë se ka qenë aktiv në këtë parti deri në vitin 2000, por pas këtij viti nuk ka qenë aktiv në LDK.

“Janë çështje për diskutim dhe të gjitha janë të hapura”, është shprehur ai.

Osmani ka ushtruar pozita të ndryshme në institucionet e vendit dhe pos si Auditor i Përgjithshëm, ai ka qenë edhe sekretar i përgjithshëm në Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal, drejtor i Administratës Qendrore-Autoriteti Qendror Fiskal e ushëheqës i Divizionit të të Hyrave Publike-Thesari i Kosovës.