Arbëri

Iseni konsideron se BDI-ja do të jetë vendimtare për Qeverinë e re në Maqedoni

Politologu Xhenur Iseni ka thënë se Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) do të jetë vendimtare për krijimin e Qeverisë së re në Maqedoninë e Veriut, pas zgjedhjeve parlamentare të 8 majit.

Në një intervistë në “Interaktiv”, Iseni ka thënë se këtë vlerësim e ka bazuar në anketat që janë bërë në Maqedoninë e Veriut katër muaj para zgjedhjeve. Siç thotë ai, VMRO-DPMNE do të jetë fituese e zgjedhjeve duke u bazuar në anketat. Kryeministri që u dorëhoq për t’i lënë vend Qeverisë teknike, Dimitar Kovaçevski, sipas Isenit, do ta kërkojë shpëtimin te shqiptarët.

“BDI sërish do të jetë ‘king-maker’ pas 8 majit. E tregojnë edhe anketat. Sipas anketave, VMRO-DPMNE ka 15 deputetë më shumë se LSDM-ja. Më shumë është çështja ekonomike pse ka ndikuar që të rritet VMRO-DPMNE. Kovaçevski do të jetë humbës – shpëtimi i vetëm është koalicioni me “frontin evropian” dhe shpëtimin e sheh te shqiptarët për të dalë me lista të përbashkëta. E sheh BDI-në si partner. Ali Ahmeti është më komodi në këtë situatë”, ka thënë ai.

Të dielën pritet të votohet Qeveria teknike në Maqedoni të Veriut, e cila për herë të parë do të udhëhiqet nga një kryeministër shqiptar. Talat Xhaferi i BDI-së pritet të votohet në këtë post. Por Iseni thotë se ai do të jetë kryeministri i parë teknik shqiptar.

“Jashtë kufijve të Maqedonisë, emërimi i së dielës po bëhet me shumë pompozitet dhe datë historike, ndoshta edhe është. Nuk mohohet se si simbolikë është pasi ajo pozitë ka qenë monopol vetëm i maqedonasve. Nuk është kryeministri i parë shqiptar, është kryeministri i parë teknik shqiptar. BDI-ja para katër vjetësh ka marrë pjesë në fushatë me premtimin se për herë të parë do të ketë kryeministër shqiptar. Për mua nuk e ka realizuar. Kjo është veç për 100 ditë, për organizimin e zgjedhjeve. Ka fuqi minimale. Maqedonia e ka në sistem që në 100 ditët e fundit të qeverisë politike patjetër duhet të ketë qeveri kalimtare”, ka shtuar ai.

Iseni ka thënë se opozita shqiptar nuk do të jenë prezentë në votimin e së dielës. Dhe ai e konsideron që me të drejtë nuk do të marrin pjesë.

“Opozita shqiptare nuk do të jenë prezentë. Ata janë duke bojkotuar Parlamentin qe një javë, veçanërisht Xhaferin. Deri diku edhe me të drejtë. Xhaferi e ka pamundësuar zgjedhjen e një njeriu të opozitës shqiptare në Komisionin për Zgjedhje. Është njeriu kryesor për rregullimin e zgjedhjeve. Ajo pozitë i takon opozitës shqiptare. Është shenjë e mjaftueshme që ka tendenca për t’i manipuluar zgjedhjet. Që tani, opozita shqiptare është në defensivë”, ka shtuar politologu shqiptar nga Maqedonia.

Sa i përket Aleancës për Shqiptarët, që udhëhiqet nga Arben Taravari, Iseni ka thënë se ende nuk është vendosur nëse do të shkojë në zgjedhje me opozitën apo BDI-në.

“Aleanca për Shqiptarët është në pushtet, dhe ata që po i shijojnë benefitet e pushtetit, dëshirojnë të shkojnë me BDI-në, ndërsa këta që s’kanë benefite po duan të shkojnë me opozitën”, ka deklaruar Iseni.

Iseni ka thënë se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka arritur në nivel të kultit te votuesit shqiptarë në Maqedoni. Ai e ka vlerësuar maturinë e Kurtit në vizitën e fundit që e pati në Maqedoni, ndryshe nga herët e tjera.

“Kurti ka arritur një kult në Maqedoni, kështu e shohin njerëzit. Dhe kjo ka ardhur nga mungesa e lidershipit të opozitës. Me vizitën e së hënës, Kurti ishte më i përmbajtur. Ndoshta pati ndikim biseda me ndihmëssekretarin O’Brien dhe me Ramën që në këto zgjedhje mos të përzihet aq shumë në Maqedoni. Në të kaluarën, Kurti ka marrë pjesë edhe në mitingje të opozitës. Herën e fundit, ishte shumë i moderuar dhe duhet të jetë kështu. Nuk i bën mirë të krijohet një ‘Albin Kurti’ në Maqedoni nga jashtë, por duhet nga brenda”, ka përfunduar politologu.