Forcat opozitare kanë reaguar, madje edhe kanë thirrur protestë për 18 qershor para ndërtesës së Qeverisë së Maqedonisë së Veriut. Ndërkohë, Rama përmes një postimi në Twitter, i ka dalë në mbrojtje kryeministrit Dimitar Kovaçevski. Tha se ajo që bëri në Selanik, para kancelarit gjerman, Olaf Scholz, ishte ironi për bllokadën që ka vënë Bullgaria
Në samitin e liderëve të shteteve të Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore (SEECP), që u mbajt në Selanik, ditë më parë, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, e prezantoi kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, me kancelarin gjerman, Olaf Scholz, si kryeministër i “Bullgarisë së ardhshme perëndimore”. Por kjo nuk është kuptuar në Maqedoni të Veriut, ashtu siç deshi ta përçojë vetë Rama, sidomos jo nga forcat opozitare.
Udhëheqësi i partisë kryesore në opozitë VMRO-DPMNE, Hristijan Mickoski, ka reaguar ndaj deklaratës së Ramës, madje edhe ka thirrur për protestë në Shkup.
“Dinjitetin ose e ke ose nuk e ke fare. Kur nuk e ke, atëherë sharjet dhe poshtërimet të duken qesharake! Megjithatë, për popullin jo! Ndaloni poshtërimet e shtetit, papërgjegjshmërinë dhe grabitjen e popullit. Është e tepërt!’, ka shkruar Mickoski, pas së cilës edhe një herë ka bërë thirrje për protestë të madhe më 18 qershor para ndërtesës së Qeverisë në Shkup.
Kryetari i Komunës së Kumanovës, Maksim Dimitrievski, në faqen e tij në Facebook, rreth shakasë së Edi Ramës ka shkruar se kjo është e papranueshme dhe se ai duhet të kërkojë falje.
“Shakaja” e Ramës është e papranueshme, ai i ka borxh që t’u kërkojë falje kryeministrit dhe mbarë opinionit maqedonas. Kovaçevski në vend të buzëqeshjes duhet t’ia kthejë me reciprocitet dhe të kërkojë falje. Heshtja është më shumë se një turp! Kështu mendoni për ndërtimin e një Ballkani të Hapur?’, ka shkruar Dimitrievski.
Në reagimin e tij në Twitter, kreu i Qeverisë shqiptare, Edi Rama, i doli në mbrojtje Kovaçevskit dhe tha se ishte ironi ndaj vetos së Bullgarisë për Maqedoninë e Veriut, gjë që po pengon procesin e integrimit të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut në BE.
Rama e ka krahasuar sherrin në Shkup si ato të “mejhaneve mes tymit të qofteve”. Sipas shefit të Qeverisë shqiptare, “histeria e disave në Shkup ndaj kryeministrit Kovaçevski është për të qeshur e për të qarë”.
Gjatë takimit në Samitin në Selanik, kur po shtrëngonin duart kancelari gjerman Scholz me kryeministrin Dimitar Kovaçevski, Rama u bë pjesë e bisedës duke thënë “Maqedonia në të ardhmen do të quhet Bullgaria perëndimore”, ndërsa ka pasur reagime të shumta, pasi Kovaçevski e kaloi me të qeshur.
“Për të qeshur dhe qarë histeria e disave në Shkup ndaj kryeministrit Kovaçevski, pas publikimit të videos së duarshtrëngimeve me kancelarin Scholz në Selanik, ku ironizova bllokadën e shëmtuar ndaj Maqedonisë së Veriut nga ana e Bullgarisë! Sherr mejhaneje mes tymit të qofteve”, shkroi Rama në Twitter.
Në Samitin e liderëve të shteteve të Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore(SEECP), u bënë bashkë 12 shtete për të biseduar rreth thellimit të bashkëpunimit me vendet e rajonit dhe partnerët ndërkombëtarë për të garantuar paqe, siguri, stabilitet, zhvillim ekonomik, politik e shoqëror në rajon. Gjithashtu, liderët folën për luftën në Ukrainë dhe ndikimin e saj në vendet e rajonit.
Pjesëmarrës në këtë takim ishin edhe presidentja e Komisionit Evropian, Ursula Von der Leyen, presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, dhe kancelari gjerman, Olaf Scholz.