Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) i ka rekomanduar Policisë së Kosovës suspendimin e katër punonjësve të PK-së, përfshirë komandantin e stacionit policor në Gjilan, Alban Ramushi, zëvendësin e tij, Naser Rrahmani dhe shefin e operativës, Negovan Mihajloviq, për shkak të tragjedisë së ndodhur të martën në këtë qytet. Po ashtu, është rekomanduar edhe suspendimi i një zyrtari të stafit civil.
Pjesëtarja e PK-së, Valdete Bllaca, dyshohet se të martën në mesditë, me armë zyrtare vrau prindërit, dy vëllezërit dhe veten, raporton Koha.net.
“Pas raportimit për incidentin në Gjilan ku dyshohej se ishte e përfshirë një zyrtare policore, Inspektorati Policor i Kosovës respektivisht hetuesit e IPK-së kanë dalë në vendin e ngjarjes në lagjen 'Bujanina'", thuhet në njoftimin e IPK-së. “Ekipet e hetuesve të IPK-së në koordinim me Prokurorinë e Shtetit dhe zyrtarë të PK-së kanë ndërmarrë veprime hetimore lidhur me këtë rast me pasoja tragjike. Bazuar në këto veprime hetimore dhe pas konsultave me Prokurorinë Themelore në Gjilan, Inspektorati Policor i Kosovës pas grumbullimit të informacioneve dhe hetimit paraprak në stacionin Policor Gjilan i ka rekomanduar, sot Policisë së Kosovës suspendimin e katër punonjësve të PK-së lidhur me këtë rast”.
Sipas komunikatës, rekomandimi për suspendimin e komandantit të stacionit policor, zëvendës komandantit policor, shefit të operativës të stacionit policor dhe një zyrtari të stafit civil, është bërë në interes të hetimit dhe të njëjtit janë duke u hetuar nga IPK me dyshimin së kanë kryer veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.
“Veprimet e mëtutjeshme hetimore lidhur me këtë rast do të vazhdojnë nga hetuesit e IPK-së në konsultim të vazhdueshëm me prokurorin përgjegjës”, thuhet në njoftimin e IPK-së.