Invalidë të luftës së UÇK-së janë ankuar se Qeveria nuk po i mbështet financiarisht për t’i servisuar protezat nga të cilat janë të varur. Sipas tyre, kjo po u shkakton vështirësi në lëvizje e dëmtim të gjymtyrëve. Në Qeveri nuk treguan nëse do t’u përgjigjen kërkesave të kësaj kategorie e në Shoqatën e Invalidëve të Luftës thanë se protestat kanë mbetur mjet i vetëm presioni
Feim Krasniqi është invalid i luftës së UÇK-së dhe prej një viti i është vështirësuar lëvizja, meqë autoritetet nuk e ndihmuan për ta servisuar protezën e këmbës.
Ai thotë se vetë nuk mund t’i mbulojë shpenzimet e protezës që kushton afro 50 mijë euro, ndërsa nuk i është përgjigjur kurrkush nga institucionet në kërkesat për ndihmë që u ka bërë.
“Institucionet tona për momentin kanë heshtur. Askush nuk po bën asgjë për neve. Kam komunikuar dhe e kam thirrur përfaqësuesin tonë në Qeveri, plus kam folur me kryetarin e invalidëve të luftës Fadil Shurdhën, ai më tha se i bëjmë kërkesat, por 5 pare nuk i japin”, ka deklaruar Krasniqi.
Ky ish-ushtar i UÇK-së nga Damaneku i Malishevës thotë se me protezën e dëmtuar këmba po i dëmtohet çdo ditë.
Ligji për statusin dhe të drejtat e dëshmorëve, invalidëve e veteranëve të UÇK-së, në nenin 9, obligon institucionet që për këtë kategori të bëjë kompensimin për sigurimin e mjeteve ortopedike.
Kryetari i Shoqatës së Invalidëve të Luftës, Fadil Shurdhaj, tha se Qeveria nuk po i zbaton detyrimet ligjore. Ai theksoi se problemin me protezat e dëmtuara e kanë edhe shumë invalidë.
“Deri më tash nuk kemi hasur në mirëkuptim. Kam pasur takim me ministrin e Shëndetësisë para vitit të ri dhe na është premtuar se ky problem do të marrë zgjidhje shumë shpejt, atëherë kur ka nënshkruar një udhëzim administrativ për trajtime jashtë qendrave klinike universitare, por ajo kohë ka shkuar mjaft gjatë qe 3 apo 4 muaj dhe ne nuk po shohim një zgjidhje”, ka thënë Shurdhaj.
Qeveria, Ministria e Shëndetësisë dhe as Shërbimi Spitalor Klinik Universitar nuk u janë përgjigjur pyetjeve të KOHËS lidhur me shqetësimet e invalidëve të luftës.
E, Shurdhaj tha se nëse nuk shihen lëvizje, invalidëve u mbetet protesta si mjet i vetëm presioni.
“Mos të na qesin në rrugë dhe mos të na qesin para Qeverisë, mos të na qesin të protestojmë, sepse e kemi merituar të protestojmë qëmoti. Por duke na zvarritur dhe duke na premtuar sot, nesër, këtë muaj apo atë muaj, ose para vitit të ri dhe pas vitit të ri , për neve shkoi janari e tash po shkon edhe shkurti e ne nuk kemi proteza”.
Invalidët kanë edhe të tjera ankesa. Feim Krasniqi ka treguar se prej më shumë se 3 vjetësh kjo kategori nuk u dërgua në banja për rehabilitim.
“Krejt i kemi të ndërprera, shokët e mi nuk kanë as proteza se u janë deformuar dhe u janë prishur. Kjo protezë duhet të ndërrohet çdo 3 vjet e gjysmë ose katër vjet”, ka theksuar Krasniqi.
Sipas të dhënave të Shoqatës së Invalidëve të Luftës, janë 110 anëtarë të saj me gjymtyrë të humbura e që kanë nevojë për proteza dhe rehabilitim.