Arbëri

Intervistë me ish-kryetarin e Palermos: Si luftohet mafia?

Në një intervistë me “Java Sonte Me Rronin” në KTV, ish-kryetari i qytetit të Palermos në Itali, Leoluca Orlando, flet për përshtypjet e tij për Kosovën dhe metodat të cilat ai i përdori për ta luftuar mafinë.

Java Sonte me Rronin: Z. Orlando, faleminderit që pranuat të flisni me mua sonte!

Orlando: Faleminderit për ftesën, që ma dhatë mundësinë të flas për përvojën time me “Manifestan”, përshtypjet e mia për Prishtinën dhe Kosovën.

Java Sonte me Rronin: Jeni një figurë shumë inspiruese. Kur lexova për historinë tuaj ishte si të lexoje një roman. Çka ju solli këtu, në ditët më të nxehta të verës në Prishtinë?

Orlando: Isha shumë i impresionuar që të vija në Prishtinë. Më parë nuk kam qenë ndonjëherë në Kosovë dhe nuk kisha informacion specifik për të. Natyrisht, e di historinë, e di çka ka ndodhur në të kaluarën, e di për konfliktin me Serbinë. Por, nuk kisha ide për njerëzit që jetojnë në Kosovë dhe më lanë përshtypje, sepse zbulova një vend shumë të ri. Zbulova një vend me potencial të jashtëzakonshëm për të ardhmen. Pata këtë ndjesinë e të qenit në një vend me potencial të jashtëzakonshëm për të ardhmen. Më la përshtypje, sepse kryetarët e vendeve dhe kryeministrat e njohin Kosovën, por qytetarët nuk e njohin Kosovën. Ajo çka unë sugjeroj të bëni është që të mos ftoni më kryeministrat, por të ftoni turistët, të ftoni njerëz normalë. Sepse, ju keni luajtur dhe luani një rol të rëndësishëm në mbrojtje me shtete të ndryshme në botë – Perëndim, Lindje. Por, ajo që shpresoj është që ju do të jeni të pushtuar nga turistët. Kjo ka ndodhur edhe në Palermo. Në Palermo jemi tërësisht jashtë limiteve. Palermo ishte mafia. Palermo ishte kryeqyteti i mafisë. Kur fillova përvojën time nuk ishte e mjaftueshme të thuash që kishte mafi në Palermo. Palermo ishte mafia. Qeveria e Palermos ishte mafia. Mafia ishte fytyra e kryetarit të komunës. Mafia ishte fytyra e kryeministrit. Mafia ishte fytyra e priftërinjve. Mafia ishte fytyra e shtetit. Dhe, unë fillova ta luftoja mafinë kur isha 14 vjeç. Në shkollë konsiderohesha i çmendur. Pse duhet të flasësh kundër mafisë? Nuk kemi asgjë të bëjmë me të, prandaj nuk ke nevojë të flasësh. Mafia kishte 100-200-300 persona me armë, por kishte nevojë për miliona njerëz normalë, njerëz të mirë, që nuk shohin, nuk flasin, nuk dëgjojnë. Sepse mafia ka nevojë për heshtje dhe për errësirë. Unë e theva heshtjen, e theva errësirën dhe u konsiderova ateist e komunist. Jam ateist, më vjen keq, por asnjëri s'është perfekt. Kam qenë edhe komunist, më vjen keq! Pasi isha kundër mafisë, prifti katolik më tha që isha ateist. E, pasi isha kundër mafisë, ministri tha që isha komunist. Mund ta kuptoni që në atë kohë nuk kishte turistë në Palermo. Në aeroportin e Palermos vinin dollarët e mafisë dhe ndonjë gazetar për të organizuar ndonjë intervistë për mafinë, asgjë tjetër. Tash ne kemi fituar, por mafia ekziston jo vetëm në Prishtinë, por edhe në Palermo, jo vetëm në Nju-Jork, edhe në Palermo, jo vetëm në Paris, edhe në Palermo, jo vetëm në Nju-Jork, edhe në Palermo. Por, mafia nuk e qeveris më qytetin dhe aeroporti quhet “Falcone Borsellino”, sipas emrave të dy gjykatësve të guximshëm që u vranë më 1992 nga mafia. Miliona e miliona udhëtarë vijnë në aeroportin e Palermos "Falcone Borsellino" dhe njerëzit e kuptojnë që të mosqenit pjesë e mafisë është e volitshme, jo vetëm morale dhe ligjore, por edhe e lehtë. Shpresoj që edhe ju, kur të hapet Kosova, ta mirëprisni të gjithë.

Java Sonte me Rronin: Po, do ta bëjmë. Z. Orlando, u mundova t’ia shpjegoj publikut historinë tuaj, që është një histori aq e bukur sa nuk mund të shpjegohet në 2-3 minuta, siç u mundova më herët. Do të doja t’ua bëja disa pyetje se si filluat gjithë këtë? Më 1976 u bëtë këshilltar i Piersanti Mattarellas, është vëllai i presidentit të Italisë apo jo? Sergio Mattarella. Ky më vonë u bë president i rajonit të Sicilisë dhe ju ishit këshilltar i tij. Pas dy vjetësh ai u vra nga mafia. A mund të na tregoni si ndodhi kjo dhe pse?

Orlando: Isha profesor i ri i ligjit publik, isha profesori më i ri i këtij ligji në Itali, në universitet. Isha këshilltar ligjor i Piersanti Mattarellas. E njihja Piersantin për shumë vjet, sepse ishte asistent i babait tim në universitet. Ishte avokat i ri në zyrën e babait tim. Pra, e njihja atë për shumë vjet dhe më caktoi si këshilltar ligjor. Më tha: "Jam i detyruar të të caktoj ty se ti je i vetmi profesor për ligj rajonal në Sicili; pra, nuk është një vendim i lirë, nuk është se të njoh ty ose që jam shoku yt, por se je i vetmi ekspert në Sicili". Unë u bëra këshilltar i tij, për dy vjetët që ishte guvernator i Sicilisë, ishte president i rajonit të Sicilisë. Jeta ime ndryshoi më 1980. Jeta ime ndryshoi kur mafiozët dhe politikanët vranë Piersanti Mattarellën, sepse Piersanti ishte një lider politik fantastik, ai ishte një person me një vizion për të ardhmen, ishte politikan që i konsideronte politikat si shërbim ndaj njerëzve. Përballë trupit të vrarë të presidentit të rajonit të Sicilisë ishte vëllai i tij, Sergio, ishte e veja e tij, ishin shokët, isha aty. Të gjithë më thanë që "nuk mund ta pranosh që Piersanti do të vdesë për herë të dytë. Je i ri, je 30 vjeç, je profesor i ri i ligjit publik, nuk ke takuar kurrë politikanët që kanë urryer Piersantin dhe je goxha i çmendur." Isha dhe jam, me siguri, goxha i çmendur, sepse pushtova Fakultetin Juridik, ku babai im ishte dekan. Pastaj shkova në Gjermani, pushtova Fakultetin Juridik, por dekan nuk ishte babai im. Pra, të paktën kisha paqe në familje. Nuk mund t’u thosha jo. Sergio, vëllai, ishte kandidat për asamble të qytetit. Bashkë me mua punonim që unë të bëhesha kryetar në asamble të qytetit të Palermos. Unë ia dedikova gjithë jetën time që të mos qeverisej më Palermoja nga mafia. Kur më 31 janar 2015 Sergio Mattarella, profesori Sergio Mattarella, kolegu im në universitet, ai ligjëronte ligjin parlamentar unë ligjin kushtetues, u zgjodh për herë të parë president i Republikës, e thirra dhe i thashë: "Sergio, misioni u arrit me sukses, je president i Republikës dhe kryetari i Palermos e politikanët që vranë vëllain tënd nuk e qeverisin më qytetin e Palermos. Misioni u arrit. Nëse vdes sonte, vdes i lumtur. Misioni u arrit. Jo i përmbyllur, por i arritur." Ia dedikova gjithë jetën Palermos që të mos qeveriset më nga mafia. Por çdo dy herë duhet të ndalem, sepse, sipas legjislacionit tonë, nuk mund të kandidosh për tri herë me radhë. Pra, ndërkohë kam qenë deputet i Italisë ose deputet evropian, por gjithmonë duke menduar që të kthehem në Palermo. E tash, në muajin e fundit, në qershor, e përfundova përvojën time dhe nuk mund të kandidoj për herën e tretë. Tani provoj të bëj aq sa mundem në dy mandate, të mundohem t’ia sqaroj vetes kuptimin e përvojës së kësaj. Nëse më lejohet, dua të të tregoj, duke parë TV-në, për diçka që në Palermo i them procesi i paqes. Procesi i paqes filloi me luftë, me luftë me armë me mafinë, luftë e shtetit me ligjin, luftë e shtetit me Aula Bunker, ndërtesa ime e parë më 1985 ishte të ndërtoja Aula Bunker. Vendi për gjykimet e mëdha ndaj më shumë se 400 shefave të mëdhenj të mafisë. Pra, Bunker do të thotë luftë dhe ishte luftë. Mafia përdorte armë, shteti përdorte ligjin. Ishte luftë. Kjo luftë shkatërroi shumë njerëz, ateistë dhe komunistë. Në vetmi, lufta kundër mafisë. Kardinali i Palermos, kryepeshkopi i Palermos, ishte kundër mafisë. Ishte komplet i izoluar nga peshkopët e tjerë. Komplet i izoluar nga priftërinjtë. Ata e paraqesin atë si të çmendur. Njëjtë edhe për prokurorët, ishin të izoluar brenda zyrave të tyre, sepse shumë nga prokurorët e tjerë ishin duke mbrojtur sistemin e fuqisë. Mafia nuk është krim, mos harroni. Mafia nuk është krim, është një sistem i fuqisë. Është një sistem i kontrollit të fuqisë, sistem i fuqisë ekonomike, sistem i fuqisë politike, sistem i fuqisë fetare, dhe natyrisht, sistem i fuqisë kriminale.

Java Sonte me Rronin: Natyrisht.

Orlando: Dhe ata kriminelët normalë, kriminelët normalë janë kundër shtetit dhe jashtë shtetit, kundër bankës dhe jashtë bankës, kundër kishës dhe jashtë kishës, kundër shoqërisë dhe jashtë shoqërisë. Kriminelët normalë janë kundër dhe jashtë. Mafiozët, mafiozët e sinqertë, edhe nazistët janë mafiozë, edhe terroristët janë mafiozë, sepse ata jo vetëm që janë kundër, ata janë brenda shtetit, janë brenda kishës, janë brenda bankës, janë brenda shoqërisë. Nëse mund të tregoj një tregim: një kriminel normal që ka nevojë për paratë e bankës ndërsa fshihet, ndërsa përdor armën, ndërsa hyn në bankë dhe thotë "m’i jep paratë" duke përdorur armën, ky është normal kriminel. Mafiozët vetëm shtypin butonin, drejtori e hap derën dhe ia jep paratë. E kuptoni dallimin?

Java Sonte me Rronin: Po e kuptoj.

Orlando: Të jesh kundër dhe jashtë, kriminel normal. Të jesh kundër dhe brenda, mafioz. Ishte vetëm nevojë të lësh problemet të dalin jashtë. Mendoj që njerëzit kuptuan që ishte e volitshme, por ishte një rrugë e gjatë. Pas 1992-tës vrasjet e mafisë u bënë shumë dhe u kthyen si bumerang. Dhe njerëzit më 1992, pas vrasjeve të Falcones dhe Borsellinos, pas vrasjeve të truprojave, të Francesco Morvellos; gratë, fëmijët, që iknin maleve, thanë: "Mjaft! Boll është boll! Nuk duam më të largohemi!" dhe qeveria e mafisë. Ky ishte një shpërthim i guximit qytetar dhe kaluam nga ligji në të drejta. Për shumë vjet ishim për ligjin, ligji, burgu, prokurorët, dhe kishte gjyqësor. Pas 1992-tës, kur nuk kishte më izolim, kur njerëzit thanë jo, kur gratë, fëmijët, studentët, pleqtë, thanë jo, vetëm duke u organizuar në rrugë, një zinxhir njerëzor, duke protestuar, zbuluam rëndësinë jo të ligjit, por të të drejtave. Në shumë raste ligji është kundër të drejtave. Zbuluam rëndësinë e së drejtës për të vërtetën, të drejtën për drejtësi, të drejtën për të jetuar. Pas vitit 1992 i dhashë nënshtetësi një personi të dënuar me vdekje, një krimineli. Kjo dërgoi një mesazh që askush nuk mund të vrasë, as shteti, dhe që u kishim dhënë nënshtetësi të Palermos shumë kriminelëve të dënuar me vdekje, duke përfshirë një burrë, i dënuar me vdekje në Virgina në Amerikë, në Richmond. Ky burrë kishte marrë nënshtetësi në Palermo dhe na tha "faleminderit, faleminderit, nuk e dija çka është Palermo, ku është Palermo. Jam një person që jetoj në periferi të shoqërisë. Jam kriminel. Por unë nuk e kam vrarë gruan që thuhet se e kam vrarë". Unë i thashë: "Joseph, nuk është problemi im. Ke të drejtën të jetosh. E, nëse e ke vrarë rri në burg, por jeton." Ky burrë u ekzekutua dhe para se të vdiste ai kërkoi si dëshirë të fundit të njeriut të dënuar me vdekje që të varrosej në Palermo. Palermo është i vetmi vend në botë që mban trupin e një personi të dënuar me vdekje në Virginia, në ShBA. Dërgon mesazhin që jemi për jetë, jo për vdekje. Kemi organizuar në Palermo paradën më të madhe gej në Evropën Jugore. Të drejtën e të qenit ndryshe, të drejtën për diversitet. Ne i mirëpresim të gjithë. Ta jap një kopje të Statutit të Palermos.

Java Sonte me Rronin: Faleminderit shumë!

Orlando: Nëse më pyet mua se sa emigrantë janë në Palermo, nuk them 2.000 ose 19.000, them asnjë. Kryetari i komunës nuk bën dallim mes atyre që kanë lindur në Palermo dhe atyre që jetojnë në Palermo, sepse jemi racistë. Po, jam racist. Unë mbroj të vetmën racë ekzistuese - racën njerëzore. Dallimi kryesor mes racistëve të Parisit dhe Dacau e Aushvic. Ne jemi një racë - raca njerëzore. Pra, kur të vish në Palermo, më vjen keq për ty, do të dënohesh të jesh Palermotan. Mund të largohesh nga Palermo kur të duash, por kur rri je palermotan. Jemi një racë - 7 miliardë identitete. Më beso! Identiteti nuk vjen nga gjaku i prindërve. Unë nuk jam palermotan, sepse babai dhe nëna ime janë palermotanë. Unë jam kush jam, sepse unë vendos të jem kush jam. Unë nuk jam identiteti i babait tim. Vajza ime nuk është identiteti im. Unë nuk jam identiteti i vëllait tim. Emigrantët na dërgojnë mesazh që mund të jesh bengalez dhe sicilian. Në fund të këtij fjalimi ndoshta do të vendosja të isha tunizian dhe hebre. Jo, jo. Gjerman dhe hindu. Secila qenie njerëzore është një koktej ndryshe. Dy njerëz nuk janë të njëjtë. Pra, mund ta kuptosh çka nënkuptojmë kur flasim për një racë. Shtatë miliardë identitete. Dhe vetëm një Zot. Vetëm një Zot. Unë besoj në Zot. Por, të lutem, mos më pyet për emrin e tij. Pra, kur jam në xhami, lutem tek Allahu. Kur jam në sinagogë lutem te Javeh. Kur takohem me Dalai Laman, Dalai Lama është rezident i Palermos, jo vetëm të dënuarit me vdekje, por edhe Dalai Lama. Kur takohem me të, lutem te Buddha. Kur jam në një tempull hindu, lutem për Shiva. Kur jam në kishë, lutem për Jezusin. Sepse Zoti nuk është çka, është kur. Nuk është që e bëj këtë për jetën time të dytë, që kur të shkoj të them "Allah edhe për ty jam lutur", "Jezu Krisht edhe për ty jam lutur". Jo, jo. Është për të shmangur atë Zotin, është një çështje për të ndarë njerëzit. Nuk mund të pranoj që Zoti i ndan njerëzit. Është Zoti i gabuar. Unë duhet të jem kundër teje në emër të Zotit. Unë mund të jem kundër teje për arsye të tjera, sepse nuk jam simpatik, jam gënjeshtar, nuk jam i sinqertë, çfarëdo. Por, jo në emër të Zotit, të lutem! Mund të kuptosh çka them kur flas për procesin e paqes. Procesi i paqes mund të jetë i nevojshëm në Kolumbi, në Tihuana Meksikë, mund të jetë i nevojshëm në Ukrainë, kur të përfundojë lufta. Është e kundërta e hakmarrjes. Mund të jetë i nevojshëm në marrëdhënien mes Prishtinës dhe Beogradit. Mendoj që është e mundshme të kalosh nga lufta në paqe. Është e mundshme të kalosh nga lufta në paqe. Jo vetëm duke rindërtuar ndërtesat, por edhe rindërtimin e shpirtit të njerëzve. Të ndryshosh mendjet e tyre. Mendoj që në përvojën tonë në Palermo mund të jetë e dobishme edhe për Prishtinën. Mund të jetë e dobishme edhe në Tihuana, edhe në Kiev. Është një shprehje tradicionale që unë nuk e pranoj, po e them në italisht e pastaj e përkthej në anglisht. "Kush ka lindur i rrumbullakët nuk mund të vdesë katror." Gabim. Kush ka lindur i rrumbullakët, mund të vdesë katror. Ndryshimi është i mundshëm. Ndryshimi është i mundshëm, në një mënyrë pozitive, por edhe mund të jetë negativ. Mendoj që është shumë e rëndësishme prezenca ime në Prishtinë, sepse kam zbuluar rëndësinë e “Manifestas” në Prishtinë. “Manifesta”, një ekspozitë arti.

Java Sonte me Rronin: Si mund të jetë kaq e rëndësishme?

Orlando: Një ekspozitë arti bashkëkohor. Çka ka të bëjë me jetën ditore të njerëzve? Por, ishte fantastike kur “Manifesta” u organizua në Palermo në 2018. Erdhi në qytet ku kishte ndarje të të drejtave të njeriut. Ndarje e lejimit që muri të bjerë, të mos ketë kufij. Ishte e rëndësishme për rigjallërimin e qytetit. Sepse, ekspozita e artit nuk ishte brenda muzeve, ishte në rrugë. Kjo i lejoi njerëzit të kuptojnë që është e mundur të jetosh artin duke mos qenë ekspert ose koleksionist. E njëjta po ndodh edhe këtu në Prishtinë. Më la përshtypje ceremonia fantastike e hapjes që ishte të premten e kaluar. Mijëra njerëz të rinj, nuk do flas për udhëheqësit shtetërorë, nuk më intereson ajo, nuk kam parë aq pjesëmarrës të nivelit të lartë - presidentja e Republikës së Kosovës, presidenti i Shqipërisë, kryeministri, krejt ministrat, krejt ambasadorët. Por, më lejo të them se ajo që më surprizoi më shumë ishte të shihje aq shumë njerëz të rinj. Aq shumë njerëz të rinj, ata janë e ardhmja e Prishtinës, e ardhmja e Kosovës. Siç thashë, Kosova është shumë e njohur nga kryetarët e shteteve, por duhet të njihet nga qytetarët e botës. Shpresoj që aeroporti i Prishtinës të mos presë vetëm kryetarë shtetesh, por edhe turistë normalë, që vijnë dhe shijojnë bukurinë e qytetit tuaj. Inauguruam edhe Korridorin e Gjelbër. Shumë e thjeshtë. Ishte një hekurudhë e braktisur, pa kuptim, dhe është bërë një mesazh. Nuk është hapësirë publike, i thashë kryetarit të Prishtinës, dua ta falënderoj për entuziazmin e tij. Ai është po ashtu diasporë apo jo?

Java Sonte me Rronin: Po, është.

Orlando: Një arkitekt. U impresionova nga ai. I thashë atij që është shumë e rëndësishme, sepse ky Korridor i Gjelbër çon mesazh që është e mundur të ndryshosh mendjen. Por, të lutem, i thashë, mos fol për hapësira publike, nuk është hapësirë publike, është diçka më shumë. Është një e mirë e përbashkët. Një e mirë e përbashkët është më e mirë se një hapësirë publike. Ne flasim kryesisht për publiken dhe privaten, kontrastin e tyre. Por, ajp që na duhet është jo të kemi pronë private, ose prona publike, por të kemi të mira të përbashkëta. P.sh. Shtëpia e Operës a duhet të jetë publike apo private, jo, duhet të jetë e mirë e përbashkët. Një hapësirë e këmbësorëve, publike apo private? Jo, duhet të jetë e mirë e përbashkët. Një korridor i gjelbër, publike apo private? Jo, duhet të jetë e mirë e përbashkët. Kështu ne zbuluam rëndësinë e të mirave të përbashkëta që tejkalojnë dallimet mes privates dhe publikes, me të mirat që iu konfiskuan mafisë. E dini. Kryetari i Palermos është kryetari më i pasur në botë.

Java Sonte me Rronin: Si është e mundur?

Orlando: Pronat e konfiskuara të mafisë. Pra, është më i pasuri.

Java Sonte me Rronin: Pra, para kryetarit mafia ishte më e pasura.

Orlando: Pikërisht. Para kryetarit, para legjislacionit që ia dha shtetit fuqinë që kryetari të konfiskojë, ua kam dhënë banesën e një ish-kryetari të konfiskuar personave të pastrehë në Palermo. Një akt simbolik.

Java Sonte me Rronin: Tani e kuptoj pse të quajnë të çmendur.

Orlando: Ne ua dhamë vilën ku Toto Riina, shefi i shefave, ishte fshehur për shumë vjet, ua dhashë këtë vilë karabinierëve. Është stacion policor. Në dhomën e gjumit të shefit të mafisë është zyra e komandantit të stacionit. Ky, ndryshim gradual. Ne zbuluam që një e mirë e konfiskuar është një e mirë e përbashkët, sepse është publike, por përdoret për qëllime shoqërore. Një shkollë është e mirë e përbashkët, një arenë është e mirë e përbashkët. Pra, unë mendoj se ajo që na duhet është ta tejkalojmë idenë e publikes dhe privates, sepse edhe një muze privat mund të jetë një e mirë e përbashkët, nëse pronari natyrisht... Ju jeni një televizion privat apo jo?

Java Sonte me Rronin: Po.

Orlando: Jeni privat. A jeni e mirë e përbashkët apo jo? Jeni.

Java Sonte me Rronin: Po.

Orlando: Pavarësisht pronës, sepse çoni mesazh që prezenca juaj është e rëndësishme për jetën ditore të njerëzve. Kur njerëzit nuk e kuptojnë që ju jeni të nevojshëm për jetën e tyre ditore, ju do të dënoheni të bëheni një ndërmarrje private. Shpresoj që do të jeni një e mirë e përbashkët. Do të bëheni një e mirë e përbashkët.

Java Sonte me Rronin: Nuk jam gazetar, si shumica. Kam qenë aktivist. Kam filluar jetën time publike më 2011, kur kam hedhur ngjyrë të kuqe mbi rektorin e Universitetit për shkak të korrupsionit. Ngjashëm me ju.

Orlando: Për ju, Universiteti ishte publik apo privat? Nuk e di.

Java Sonte me Rronin: Publik.

Orlando: Ishte e mirë e përbashkët.

Java Sonte me Rronin: Do të ishte e njëjta nëse do të ishte universitet privat.

Orlando: Po, patjetër.

Java Sonte me Rronin: Mund të jetë publik ose privat. Por, je shkollë private, duhet ta konsiderosh veten një të mirë të përbashkët.

Orlando: Nuk mund të shfrytëzosh arsimin. Nuk mund të shfrytëzosh hapësirën ose jetën e njerëzve. Nuk mund të shfrytëzosh zemrën. Nuk mund të shfrytëzosh muzikën. Nëse je artist, duhet të lësh njerëzit të imagjinojnë që pjesa jote e artit është një e mirë e përbashkët. “Manifesta” po luan këtë rol, po jep kontributin për çka unë e quaj marketing rigjenerativ. Jo marketing. Marketingu tradicional është "unë dua të shes një lëng portokalli". Për të shitur lëng portokalli unë flas për fshatrat, sa bukur janë fshatrat, dhe e shes lëngun e portokallit. Është marketing tradicional. Por, çka po eksperimentoj me profesor Cotto, është marketingu rigjenerativ. Unë nuk jam veçse i sigurt që bukuria e Prishtinës do të shesë lëng portokalli, por unë e promovoj ndryshimin e Prishtinës për të shitur lëng portokalli. Pra, e kupton dallimin?

Java Sonte me Rronin: Po.

Orlando: Në rastin e dytë, roli nuk është vetëm të tregosh bukurinë, por edhe të promovosh një bukuri të re, një ndjesi të re. “Manifesta” e bën këtë. Si Palermotan ne morëm vesh që jemi të pasur, në shumë raste, komuniteti nuk e kupton sensin e pasurisë. Ne themi se kemi nevojë të na vlerësojë dikush nga jashtë. Në Palermo në të kaluarën njerëzit kanë thënë "profesor" ose "kryetar". "Kryetar, një shok erdhi nga Franca dhe më tha që Palermo është shumë e bukur." Zemra ime, a të duhej një shok nga Franca që të marrësh vesh që Palermoja është e bukur? Sepse njerëzit e Palermos besojnë në vlerësimin e njerëzve që nuk janë palermotanë. Ne duhet të kemi një vlerësim të jashtëm. Unë dua të them që Palermoja është fantastike, para se ti ta thuash duke ardhur nga Kosova që ne jemi fantastikë. Dua ta them që Palermo është mafioze, para se ta thuash ti duke ardhur nga Kosova. Pra, e para, duhet ta dimë vetveten. “Manifesta” mund të jetë e dobishme për të lejuar njerëzit e Prishtinës të njohin Prishtinën më mirë. Ta njohin vetveten.

Java Sonte me Rronin: Shumë interesant. E përmendët më herët konfiskimin. Ne jemi në atë periudhë në vendin tonë, në parlamentin tonë është një ligj që do të kalojë, që do të kemi një byro që do të bëjë konfiskimin e pronave ilegale të politikanëve tanë. Sepse, në rastin tonë mafia dhe politikanët janë e njëjta gjë. E di që ishte rasti i njëjtë edhe në Palermo, por këtu nuk ka grupe që janë jashtë fare. Janë vetëm në institucione dhe jo në sfera tjera të jetës. Ne tash kemi shumë diskutime dhe është Komisioni i Venecias që dha disa kundërshtime lidhur me Kushtetutën, e kështu...

Orlando: Të drejtat.

Java Sonte me Rronin: Ju jeni po ashtu profesor i Ligjit Kushtetues. Pra, dua të di se ç’është përvoja juaj në adresimin e gjitha këtyre shqetësimeve për të drejtat e njeriut tani, për ata që kanë vjedhur këtë shtet për vite dhe janë bërë aq të pasur. Dhe tani, kur vjen puna te konfiskimi i pasurisë së tyre joligjore, thonë që kanë të drejta të njeriut. Si e rregulluat këtë?

Orlando: A mund të flas për luftën dhe paqen?

Java Sonte me Rronin: Po, të lutem!

Orlando: Atëherë, kur mafiozët dhe politikanët vetëm marrin para, para ilegale. Kur të them që ata flasin sikur një luftë ose për të na mbrojtur. Është vetëm një mënyrë për të na mbrojtur, të përdorësh armë. Në këtë rast armët e ligjit. Si në Palermo, kur përdorëm armën e ligjit. Ne kemi një ligj special që quhet La Torre, nga emri i politikanit që e propozoi ligjin dhe u vra për të. U vra, sepse ky person, ky politikan, e kuptoi që shefi e mafisë me prona në burg është shumë më i rrezikshëm sesa një shef i mafisë së lirë, por pa prona. Një shef i mafisë së lirë në rrugë pa prona nuk është i rrezikshëm. Një shef i mafisë në burg, por që ka prona është shumë i rrezikshëm. Natyrisht, më e mira është në burg dhe pa prona. Natyrisht. Me këtë ligj... Jam shumë krenar se e kam prezantuar, isha deputet i Parlamentit Evropian në vitet ‘90, si deputet e prezantova një plan veprimi duke i thënë Bashkimit Evropian që është e nevojshme të konfiskohen pronat ilegale. Është shumë e rëndësishme.

Java Sonte me Rronin: Pse është e rëndësishme?

Orlando: Është e rëndësishme, sepse mafia është një sistem fuqie. Fuqie ekonomike. Duhet t’ia këpusësh marrëdhëniet me ekonominë. Është një sistem fuqie ekonomike dhe ia konfiskon pronat. Është një sistem fuqie fetare? I largon nga kisha. Është një sistem fuqie arsimore? I largon nga universitetet, nga shkolla. Sepse, e përsëris, është një sistem fuqie. Prandaj, na duhet një legjislacion special dhe luftë. Legjislacion dhe luftë. E vetmja mënyrë. Përndryshe...të njëjtit njerëz, që po i mbrojnë ukrainasit nga diktatori Putin, janë të njëjtët që thonë që nuk do t‘i konfiskojnë pronat e mafiozëve. Jo, jo, të lutem! Për të njëjtën arsye që ukrainasit kanë të drejtën të mbrojnë veten, qytetarët kanë të drejtën të konfiskojnë pronat e të korruptuarve. Është legjislacion special, por a mendon që është e mundur të promovosh të ardhmen e Kosovës nëse Kosova qeveriset nga mafia? Nuk e besoj. Nuk flas për Kosovën, flas për përvojën time. E dimë atë. Kur flas për përvojën time, them që normalisht kushdo...Kam përvojë të jashtëzakonshme. George Bernard Shou - autor i famshëm, tha që përvoja është emri që u japim gabimeve tona. Pra, kam përvojë të jashtëzakonshme, sepse kam bërë shumë gabime. A mund të shpresoj që të tjerët nuk do të bëjnë gabimet e mia? Kontributi im është të them që ne ishim të dobët prejse i kemi konfiskuar pronat e mafiozëve. Ishim të dobët prej që kisha i mbronte mafiozët. Ishim të dobët prej që politikanët ishin krenarë të mbështeteshin nga mafiozët. Pra, ndryshimi është i mundshëm. Ne kemi ndryshuar. Ne duhet të vazhdojmë rrugën e njëjtë, sepse përndryshe e ardhmja e Palermos do të jetë jo e volitshme. Jo ilegale. Por, jo e volitshme.

Java Sonte me Rronin: Profesor, e përmendët më herët në fillim që ende ka mafi në Palermo...

Orlando: Natyrisht.

Java Sonte me Rronin: Kur ne nga Kosova mendojmë për një shtet të Bashkimit Evropian, është e paimagjinueshme për ne që ka mafi në një shtet evropian. Si është e mundur?

Orlando: Mafia në Palermo...A mund të flas tri orë për mafinë në Gjermani? A mund të flas tri orë për mafinë në Ishujt Baleare? A mund të flas tri orë për mafinë në Bregun e Fildishtë? A mund të flas tri orë për mafinë në Londër?

Java Sonte me Rronin: A do të thotë kjo që jemi të pashpresë në Kosovë?

Orlando: Problemi është të mos lejosh mafinë të qeverisë. Në Palermo kemi grupe kriminale, por janë kriminelë. Nuk qeverisin. Në të kaluarën e kanë qeverisur Palermon. Nuk ka qytet në Evropë që ka ndryshuar aq shumë kulturalisht si Palermo në 40 vjetët e fundit. Berlini ndryshoi, Moska ndryshoi, por Berlini dhe Moska ndryshuan në vazhdimësi të ndryshimeve ndërkombëtare. Fundi i Bashkimit Sovjetik, bashkimi i Gjermanisë, rënia e Murit të Berlinit... Ne në Palermo ndryshuam pa e ndryshuar kushtetutën. Ne ndryshuam në mendje, në zemër, në mënyrë të jetesës. Pra, nëse duam të jemi të lirë nga mafia, më fal, nga mafitë, sepse të thashë, që në mendimin tim, nazistët janë mafi. Si arriti Hitleri të çoroditë vlerat e gjermanëve e popullit gjerman? Populli gjerman respekton autoritetin, edhe Adolf Hitleri në emër të autoritetit i bindi gjermanët t’i binden ligjit. Mund të them të njëjtën për terrorizmin në emër të Kuranit. Kush është armiku i parë i kulturës gjermane? Adolf Hitler. Ai donte të prezervonte pastërtinë e identitetit gjerman. Kush është armiku i parë i kulturës islame? Osama bin Laden. Kush është armiku i parë i kulturës së krishterë? Papa që organizon kryqëzata. Kush është armiku i parë i popullit sicilian? Shefi i mafisë. Shefi i mafisë thotë: "Unë jam sicilian i vërtetë. Sicilianët kanë gjuhën e vet. Ne kemi vlera shumë të rëndësishme, si familja, nderi, miqësia, feja" dhe në emër të këtyre vlerave ata vrasin, duke deformuar miqësinë në aleancë kriminale. Familja në grup kriminal. Duke deformuar nderin në turp. Duke deformuar fenë në fondamentin e vrasjes. Pra, mafitë janë, që unë i quaj, kriminalitet i bazuar në identitet. Mafia po ashtu është një person që çorodit vlerat e popullit. Njëjtë në Kolumbi. Kush janë mafiozët në Kolumbi? Popullata kolumbiane qeveris Kolumbinë... Ah, harrova të të them. Unë do të vdes kryetar i Palermos. Sepse unë jam caktuar kryetar i Palermos në Kolumbi. Është një qytet me 45 mijë banorë. Palermoja e dytë në botë. Pra, mos u merakosni, kur vdes, do të vdes kryetar i Palermos. I nderit edhe në Kolumbi. Në Kolumbi vlera më e rëndësishme për popullin kolumbian është drejtësia. Paramilitarët vrasin në emër të drejtësisë. FARK-u vret në emër të drejtësisë. Narkotrafikantët vrasin në emër të drejtësisë. Ata janë mafiozë. Sepse çoroditin vlerat e popullit. Njëjtë si Adolf Hitleri. Njëjtë si Osama bin Ladeni. Njëjtë si një shef mafie. Pra, mund të kuptosh që unë flas për përvojë, që mund të jetë e dobishme në gjithë botën.

Java Sonte me Rronin: E di që keni punuar si këshilltar për shumë qeveri dhe shpresoj që do të jeni këshilltari ynë në zgjidhjen e problemeve tona me mafinë, shumë shpejt.

Orlando: Lufta juaj...

Java Sonte me Rronin: A e keni takuar kryeministrin tonë?

Orlando: Jo vetëm mafinë. Do të ishte interesante të promovoni procesin e paqes mes Kosovës dhe Serbisë. E di që është temë shumë e rëndë, por mendoj që kush e fillon do të dalë më i mirë. E kupton?

Java Sonte me Rronin: Mendoj që është edhe problem i mafisë.

Orlando: Natyrisht.

Java Sonte me Rronin: Ne e kemi këtë qeveri, me siguri e dini, 50% prej nesh votuam për ta vitin e kaluar për një agjendë kundër korrupsionit. Në Kosovë. Por, në Serbi, në Shqipëri, në vende fqinje, situata është shumë keq. Lidhja mes politikanëve dhe mafisë janë shumë të dukshme. Në vendin tonë ne sapo zgjodhëm një kryeministër që të gjithë mund të thonë që nuk është i korruptuar. Si mund të kemi marrëdhënie të mira me Serbinë kur ata qeverisen nga politikanë që janë shumë të lidhur me mafinë.

Orlando: Kemi frikë për demokracinë, kemi nevojë për njerëzit. Na duhet reagimi i njerëzve. Na duhet që njerëzit ta dinë që e ardhmja varet nga vota e tyre. E ardhmja e shtetit varet nga vota e tyre. Prandaj, jam shumë i impresionuar, sepse në Itali kemi probleme, sepse shumë njerëz nuk votojnë më. Mund të imagjinoni çka i bie kur veç 45% e votuesve votojnë. 45%. I bie që nuk janë kundër një partie, për një parti tjetër. Janë kundër politikës. Është shumë mesazh i keq. Prandaj, problemi në Itali është që njerëzit nuk dalin të votojnë. Është problem i kredibilitetit. Problem i kredibilitetit. Nuk varet nga presidenti i Republikës, nuk varet nga qeveria, por varet nga populli. Populli duhet të dijë që në demokraci të votosh është e rëndësishme. Por, unë jam vetëm një? Po. Një. Një. Një. Një. Mund ta bëj dallimin.

Java Sonte me Rronin: Ne e kuptuam këtë. E bëmë këtë. 50% e popullit në këtë shtet votuan kundër korrupsionit. Ky është një mesazh i mirë për botën.

Orlando: Natyrisht.

Java Sonte me Rronin: Kosova ende mbetet shteti më i izoluar. Do të them një tregim timin.

Orlando: Provoni të vini në Bashkimin Evropian. Jam i sigurt që është e mundur.

Java Sonte me Rronin: Do të të tregoj një tregim me Ambasadën Italiane. Gjeta një universitet për të huaj në Peruggia dhe doja të mësoja gjuhën italiane. Desha të shkoja nga 1 deri më 26 gusht. Aplikova për vizë në Ambasadën Italiane dhe kjo ndodhi më 6 qershor.

Orlando: Tani?

Java Sonte me Rronin: Po tani. Më 21 korrik më dhanë përgjigje, 45 ditë më vonë, për të më thënë që termini im për vizë është më 3 gusht. Por, nuk mund të shkoj atëherë, sepse duhet të jem në Peruggia më 1 gusht. Ia kam dërguar një letër ambasadorit italian duke i thënë që është çështje dinjiteti dhe integriteti. Nuk mund t'i trajtosh njerëzit ashtu pa i informuar. Ata kanë mundur të më tregonin një ditë më vonë që nuk është e mundur. Duhet të prisja 45 ditë për të mësuar që nuk mund të shkoj. Ju ma dhatë Statutin e Palermos dhe motoja e saj qenka Lëvizja është e Drejtë.

Orlando: Pikërisht.

Java Sonte me Rronin: Në këtë shoqëri me 75% të popullatës më të re se 35 vjeç është shteti më i izoluar. Paradoksalisht.

Orlando: E dini pse? Propozimi im është të largojmë regjimin e vizave. Propozimi im është të largojmë lejet e qëndrimit. Propozimi im është të njohim të drejtën e largimit, të vdesë, në një shtet tjetër. Nuk mund të dënohem të jetoj dhe të vdes në një shtet ku prindërit e mi kanë vendosur që unë do të lind. Sepse është e drejtë njerëzore, të vendosësh ku do të jetosh.

Java Sonte me Rronin: Patët një luftë me qeverinë qendrore për këtë apo jo?

Orlando: Po. Luftova me ta. Ministri i Punëve të Brendshme në atë kohë, z. Salvini, tha që do ta dërgonte ushtrinë për të ndaluar Orlandon. Me të vërtetë? Pas 3 vjetësh ushtria nuk erdhi. Por, një ditë më vonë 2.000 njerëz të rinj organizuan një flash mob para asamblesë duke thënë: "Jemi me kryetarin kundër ministrit të Punëve të Brendshme", dhe pas një viti e gjysmë Gjykata Kushtetuese tha që unë kisha të drejtë. Për shkak se ligji ishte joligjor. Ndonjëherë, ligjet mund të jenë joligjore. Pikërisht. Por, unë e di kushtetutën, kam lexuar disa nene të Kushtetutës. E dija që ligji është joligjor. Dhe nuk ju binda. Isha kundër. Nënshkrova kundër ligjit. Punëtori i kufirit tha se nuk e nënshkruaj, z. kryetar. Thashë: s'është problem, unë e nënshkruaj në vend teje. Çka munda të jap, dhashë. Ju dhashë rezidencë emigrantëve. Kjo i bie që nuk je më i padukshëm. Sepse me këtë rezidencë mund të kesh kontratë dhe nuk punon në të zezën. Me këtë rezidencë mund të marrësh banesë me qira, jo në të zezën. Me këtë rezidencë mund të marrësh leje qëndrimi. Pra, me rolin tim i lejova të gjithë të jenë të dukshëm. Sepse nëse në një komunitet dikush është i padukshëm, është rrezik. Është rrezik për mafiozët, për ata që ikin, të padukshëm, janë rrezik për veten dhe për të tjerët. Është rrezik. Një person i sinqertë pa dokumente që nuk mund të jetë i dukshëm është i rrezikshëm për veten dhe për të tjerët. Pra, propozimi im është të largojmë lejet e qëndrimit. Më kujtohet ç’ ishte kur isha student në Gjermani. Çdo 3 muaj duhej të shkoja në Konsullatën Italiane në Shtutgart për të marrë një vulë. Tash, Shengen, kaloj kufijtë, Gjermani, Francë, Spanjë, nuk e di ku jam, nuk e di në cilin shtet jam. Shpresoj që Bashkimi Evropian do të jetë në të ardhmen pa kufij, duke pritur ditën që u jap këtë rezidencë të gjithëve.

Java Sonte me Rronin: Z. Orlando, kemi ardhur në fund të kësaj bisede. Por, do doja të dëgjoja një mesazh nga ju për popullin e Kosovës. Sepse, kur flisni jeni kaq inspirues, jam i mahnitur nga çfarëdo që më keni thënë këtu. Të lutem, na e jepni një mesazh, sepse besoj që përvoja juaj...

Orlando: Mesazhi im është që ju duhet vlerësimi i jashtëm. Duhet të filloni me pasurinë tuaj, jeni të pasur dhe, në shumë raste, nuk e përdorni saktë pasurinë tuaj. Pasuria juaj e parë janë njerëzit tuaj. Jeni shtet kaq i ri, kaq i pasur me njerëz të rinj. Keni pasuri artistike. Vetëm duhet të shihni në pasqyrë sa e bukur është Kosova. Duhet të jeni të kujdesshëm, sepse të qenit kaq i pasur do të gjeni rëndësinë e jetesës në paqe me të tjerët. Dëshira ime është që të kalojmë nga lufta, konfliktet, jotoleranca, në paqe, që është së pari gëzim për jetën. Gëzim për jetën.

Java Sonte me Rronin: Aktivist, profesor, kryetar, siç thatë, i përjetshëm. Titulli juaj i Nderit. Ju faleminderit shumë që ishit në programin tonë, në televizionin tonë, dhe faleminderit që jeni në Kosovë.

Orlando: Faleminderit shumë dhe ejani në Palermo, shihni sa e bukur është Palermoja. Do t’iu them palermitanëve që të shkojnë në Prishtinë dhe ta shohin se sa e bukur është Prishtina.

Java Sonte me Rronin: Faleminderit shumë!