Arbëri

Instituti që ka mbetur “as me shehër, as me Barilevë”

Që nga viti 2006, kur Instituti i Mjekësisë së Punës në Obiliq u nda nga KEK-u, ai u regjistrua si shoqëri aksionare, financimi i të cilit bëhet në bazë të fitimeve nga kontrollet mjekësore që kryen për punëtorët e institucioneve të ndryshme. Por, nuk janë të shumta institucionet që kanë kontratë me të. Drejtuesit e Institutit kërkojnë që ligji i ri ta parashoh përfshirjen e këtij institucioni në sistemin publik

Ka 17 vjet që Instituti i Mjekësisë së Punës në Obiliq është në kërkim të ridefinimit të statusit.

Që nga viti 2006, kur ky institucion që funksiononte në kuadër të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) u regjistrua si shoqëri aksionare, financimi bëhet në bazë të fitimeve nga kontrollet mjekësore që kryhen për punëtorët e institucioneve të ndryshme, me të cilat lidh kontratë.

Drejtori i Institutit, Rexhep Kaçuri, thotë se problemet janë të pafundme, por kryesori është statusi.

“Po e përdori një fjalë popullore: Instituti nuk është apo ka mbetur ‘as me shehër, as me Barilevë’, për arsye se ne privat nuk jemi. Jemi një poliklinikë. Nuk jemi privat, për arsye se pronarë janë të gjithë aksionarët. Nuk jemi me shtetin, ministrinë, për arsye se nuk buxhetohemi. Tash me draftimin e ligjit flitet se është inkorporuar Instituti dhe do të inkuadrohet në Ministrinë e Shëndetësisë”, ka thënë Kaçuri.

E në Ministrinë e Shëndetësisë nuk u janë përgjigjur pyetjeve të KOHËS nëse do të përfshihet ky institut në kuadër të saj.

Kontrollet e syve, veshëve, analizat e shumta laboratorike dhe vizitat te kardiologu, sociologu, neurologu dhe mjeku i punës, janë disa nga shërbimet që punëtorët i kryejnë aty.

Punonjësit e institucioneve si KEK-u, KEDS-i, Ujësjellësi Rajonal, Trafiku Urban, Ibër Lepenci e të tjera kryejnë kontrollet në këtë institut, e shumë të tjera në poliklinika private.

“Ne punëtorët e Institutit të Mjekësisë së Punës, ne si menaxhment mund të ofrojmë apo realizojmë 60 për qind të të hyrave për arsye se nuk kemi buxhet. Edhe sikur të ishin kryer vizitat sistematike siç e parasheh Ligji për Siguri dhe Shëndet në Punë, Ligji numër 04/L 161, atëherë me siguri edhe ne do të kishim pasur benefite që do t’i kishim realizuar me të hyra vetjake të mjaftueshme, por edhe punëtorët kishin për të qenë të kënaqur me vizita”, ka thënë Kaçuri.

Vizitat mjekësore në Institut i kryejnë edhe pjesëtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës, e deri para pesë vjetësh edhe policët.

Aktualisht, nga Ministria e Punëve të Brendshme vetëm punonjësit e Departamentit që merren me prodhimin e dokumenteve i kryejnë vizitat në Obiliq. Pjesëtarët e Policisë tash kontrollet i kryejnë në SHSKUK. E në rastet kur nevojitet vlerësimi i aftësisë për punë, në Polici kanë thënë se vlerësimi realizohet në Qendrën Kombëtare të Mjekësisë së Punës në Gjakovë.

Ligji për Sigurinë dhe Shëndetin në Punë parasheh kryerjen e kontrolleve mjekësore sistematike dhe sipas drejtorit të institutit, Rexhep Kaçuri, vetëm 20 për qind e punëdhënësve në nivel vendi ua mundësojnë të punësuarve kryerjen e vizitave të rregullta.

“Punëdhënësi është i detyruar t’iu sigurojë të punësuarve kontrollime mjekësore në institucionet shëndetësore të licencuara për shërbime nga mjekësia e punës, në pajtim me paragrafin 5. të nenit 17 të këtij ligji. Punëdhënësi është i detyruar t’i dërgojë në kontrollim mjekësor të gjithë të punësuarit së paku një herë në tre (3) vjet”, thuhet në nenin 22 të këtij ligji.

E në nenin 17, te kushtet e veçanta, kërkohen kontrolle edhe më të shpeshta.

“Punëdhënësi të punësuarin, i cili punon në vend të punës me kushte të veçanta të punës, është i detyruar ta dërgojë në kontrollim mjekësor së paku një herë në vit dhe sa herë të paraqitet nevoja, varësisht prej gjendjes shëndetësore të tij”, thuhet në ligj.

Gjatë vitit 2022, në institutin që udhëheq ai janë realizuar gjithsej 5 mijë e 295 vizita dhe janë lëshuar 1 mijë e 200 certifikata mjekësore për punësim.

Ky Institut numëron 48 punëtorë, prej tyre 20 mjekë profesionistë me 40 vjet stazh pune.

Çmimi për një vizitë me kontrolle dhe analiza sillet nga 45 deri në 58 euro, ndërsa në disa nga poliklinikat private që i ka kontaktuar KOHA vetëm një vizitë për sytë kushton 75 euro.

Në kuadër të sistemit publik funksionon Qendra Kombëtare e Mjekësisë së Punës me bazë në Gjakovë.