Instituti i Psikiatrisë Forenzike posedon 36 shtretër, prej tyre 12 vende për ekzaminim psikiatrik dhe 24 për zbatimin e masës së trajtimit të detyrueshëm psikiatrik me ndalim.
Aktualisht nuk ka më vend për pranimin e pacientëve të tjerë. Por, mungesa e hapësirës është sfidë për këtë institucion tash e 6 vjet.
Në mungesë të saj, pavarësisht moshës, gjinisë apo veprës me të cilën ngarkohen, personat janë të detyruar ta ndajnë të njëjtën hapësirë, raporton KOHA.
Psikiatri Arsim Gashi thotë se trajtimi i pacientëve në këto kushte nuk është i përshtatshëm për ta, andaj, sipas tij, është e domosdoshme ndarja e hapësirës.
Përderisa drejtori i këtij instituti, Gani Halilaj, ka thënë se shumë herë kanë dërguar kërkesa të vazhdueshme në Ministrinë e Shëndetësisë për rritjen e stafit dhe të hapësirave, por gjithmonë janë injoruar.
Edhe Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës e ka evidentuar si problem serioz hapësirën e kufizuar që ka ky institut.
“Sfiduese mbetet trajtimi i të miturve dhe grave në IPFK, pasi që nuk ka hapësira të veçanta për vendosjen dhe trajtimin e tyre. Të miturit dhe gratë vendosen në dhoma të veçanta brenda hapësirave të përbashkëta, duke kufizuar hapësirat për realizimin e aktiviteteve ditore”, thuhet në raportin e vitit 2019 të kësaj qendre, pas vizitës së bërë në këtë institut.
Drejtues të Institutit të Psikiatrisë Forenzike pos kësaj ankohen se kur pacientëve ua bëjnë rishikimin e gjendjes shëndetësore me urdhër të gjykatës, këta të fundit nuk kthejnë përgjigje për kohë të gjatë, duke kufizuar këtë institut që të mbajë pacientë edhe kur ata përmirësohen dhe nuk kanë më nevojë të qëndrojnë aty.