Arbëri

Instituti i Bujqësisë dëmtoi buxhetin për 98 mijë euro, ministri paralajmëron denoncim

Keqmenaxhim e keqpërdorim të buxhetit ka evidentuar Zyra Kombëtare e Auditimit në Institutin e Bujqësisë së Kosovës, që vepron në kuadër të Ministrisë së Bujqësisë. Në raport thuhet se ka pasur dëmtim të buxhetit rreth 100 mijë euro. Ani se gjetjet i referohen periudhës së viteve 2017-2022, ministri i Bujqësisë, Faton Peci, thotë se shkeljet janë bërë para ardhjes së tij në pushtet dhe se për to do ta informojë Prokurorinë

Për rreth 100 mijë euro është dëmtuar buxheti i shtetit nga Instituti i Bujqësisë, shkaku i mosmenaxhimit të projekteve të teknologjisë informative.

Sipas Zyrës Kombëtare të Auditimit (ZKA), Ministria e Bujqësisë dhe Instituti nuk kanë menaxhuar si duhet projektet e Teknologjisë Informative (TI), në vlerë mbi 700 mijë euro.

“Janë zhvilluar dy sisteme të ndara në vlerë 567,406 euro për të njëjtin qëllim, për më tepër ato nuk po përdoren. Mungesa e sigurimit të cilësisë, mangësitë në konfigurimin e sistemit dhe mangësitë në sigurinë dhe vazhdimësinë e sistemit të informacionit kanë rezultuar në shpenzime të panevojshme dhe dëmtime buxhetore”, thuhet në raport.

Sipas raportit, Instituti nuk ka bërë hulumtim të tregut për blerjen e infrastrukturës harduerike dhe zhvillimit të sistemeve.

“IBK-ja nuk ka arritur të sigurojë planifikimin për zhvillimin dhe blerjen e projekteve të TI-së si rrjedhojë, ka dyfishuar sistemet e informacionit për inventarizimin e tokave bujqësore në mungesë të një analize paraprake dhe planifikimi të mirë të projekteve, prandaj janë shkaktuar shpenzime të panevojshme dhe dëmtim të buxhetit me vlerë rreth 98 mijë euro”, thuhet aty.

Bazuar në këtë raport, në mungesë të planifikimit të mirë të investimeve, mungesës të analizave dhe planifikimit të projekteve nga profesionistët e fushave përkatëse dhe specifikacionit teknik për projektin, ka zhvilluar projekte joefektive dhe joefikase duke shpenzuar vlerë milionëshe pa bërë një vlerësim të kostos.

Ky auditim përfshin periudhën midis viteve 2017-2022. Por, sipas ministrit të Bujqësisë, Faton Peci, shkeljet janë të periudhës para ardhjes së tij në pushtet. Ai ka drejtuar një varg akuzash ndaj menaxhmentit të Institutit, i cili vepron në kuadër të dikasterit që ai e udhëheq, dhe ka bërë të ditur se për shkeljet do ta informojë Prokurorinë.

“Kur flitet për IBK-në apo Institutin Bujqësor të Kosovës në Pejë, asocimi me shkelje nga më të llojllojshmet është i pashmangshëm. Thënë ndryshe, IBK-ja është institucioni me shkeljet më flagrante në Kosovë, besoj unë”, ka thënë ai.

Ai ka renditur keqpërdorimet në këtë institut.

“Nga tjetërsimi i pronave, uzurpimi e ndërtimi i pronave private në pronat institucionale; Keqpërdorimi e keqmenaxhimi i financave publike; e deri tek sistemi i IT-së jashtë çdo rrjeti qeveritar e vërtetojnë se IBK-ja është trajtuar si plaçkë lufte”, ka thënë ai.

Në raportin e ZKA-së janë evidentuar një sërë mangësish në menaxhim tek Instituti.

Sipas dokumentit, Ministria dhe IBK-ja nuk kanë siguruar mekanizma për ruajtjen e të dhënave të interventarizimit të tokës bujqësore, ani se janë zhvilluar dy projekte në vlerë mbi 2 milionë euro.

“IBK-ja nuk ka arritur të sigurojë strukturë organizative, politika dhe procedura për TI në mungesë të rregullores së qartë për organizimin e brendshëm. Ministria nuk ka përditësuar rregulloret për organizimin e brendshëm dhe nuk e ka pozicionuar TI-në në strukturën e organizatës për të mbështetur nevojat e organizatës për zhvillimin e projekteve të TI-së”, thuhet në raport.

Sipas ZKA-së, ka mungesë të përfshirjes së profesionistëve të TI-së në planifikim, zhvillim dhe pranim të projekteve, në atë që e ka shkaktuar zhvillimin e sistemeve të dyfishta dhe mosshfrytëzimin e aplikacioneve si dhe pranimin e produkteve të TI-së në shpërputhje me kërkesa.

“Menaxhimi i mirë dhe kontrolli i projektit nuk është siguruar nga IBK-ja. Menaxhimi i kontratës për projektin e IBK-së: ‘Programin kombëtar për inventarizimin e tokave bujqësore të Republikës së Kosovës’, i vitit 2018, nuk ishte realizuar mirë. Menaxheri i kontratës ka pranuar produktet e sistemeve të informacionit vetë dhe ka realizuar raportin e pranimit dhe pagesën edhe pse disa produkte nuk janë zhvilluar ose nuk janë në përputhje me specifikat teknike dhe funksionale të parashikuara në kontratë”, thuhet në raport.

Sipas ZKA-së, Ministria dhe IBK-ja nuk kanë arritur që ta sigurojnë cilësinë e sistemeve të TI-së që i kanë zhvilluar nëpërmjet projekteve të kontraktuara, pasi që nuk është zbatuar legjislacioni në fuqi për formimin e komisioneve profesionale të pranimit, të cilat do të kryenin testimet e nevojshme dhe do ta siguronin cilësinë. E në mungesë të testimit të sistemeve janë pranuar sisteme që nuk plotësojnë standardet e TI-së dhe sigurisë së informacionit.

“Menaxhimi i konfigurimit të sistemeve të informacionit në IBK ka mangësi në kërkesat teknike të sistemit të informacionit, pasi që ato nuk kanë plotësuar standardet e TI-së për konfigurimin e tyre dhe sigurisë së informacionit. Dy sistemet e zhvilluara janë instaluar në port të njëjtë dhe ia bllokojnë ueb shërbimin njëra-tjetrës, përdorin rrjet jozyrtar dhe funksionojnë jashtë domenit qeveritar. Prandaj, si pasojë e këtyre mangësive, IBK-ja nuk arrin të përdorë sistemet e informacionit në formë të sigurt për qëllimin dhe funksionin e blerjes dhe zhvillimit të tyre”, thuhet në raport.

Aty specifikohet edhe se IBK-ja nuk ka siguruar mekanizma për ruajtjen e të dhënave rezervë dhe vazhdimësisë së biznesit, në rast të ndonjë fatkeqësie dhe nevojës për rikthim të të dhënave.

Të dhëna e regjistruara në këto sisteme, sipas ZKA-së, mund të jenë në rrezik që të humbin dhe mundësia për kthimin e tyre është e pamundur.

“Mungesa e infrastrukturës mbështetëse-rezervë dhe kopjeve rezervë të sistemeve të informacionit rrit rrezikun e ndërprerjes së funksionimit të sistemeve. Mosvendosja e serverit në rrjetin qeveritar dhe funksionimi i serverit pa mbrojtje së paku me antivirus rrit rrezikun e vazhdimësisë së funksionimit të sistemeve të informacionit dhe për të mbrojtur të dhënat dhe integritetin e tyre nga sulmet kibernetike, fatkeqësitë natyrore apo dështimit të sistemit”, theksohet në raport.