Arbëri

Institucioni kryesor parashkollor në Pejë jashtë funksionit deri më 1 tetor

Institucioni kryesor parashkollor në Pejë “Pëllumbat e Paqes” nuk është në funksion këtë muaj.

Prindërit po kanë vështirësi ku t’i lënë fëmijët e tyre këtë muaj, ndërsa premtohet se punimet do përfundojnë më 1 tetor.

Drejtoresha e institucionit e edhe kryetari i Pejës premtojnë se pas kësaj date nuk do të ketë punime dhe arsyetojnë vonesën e hapjes së tij. Institucion ky i mbyllur kohë më parë nga Agjencia e Ushqimit për shkak të kushteve jo të mira higjienike.

Është e shtyrë në moshë por po i duhet që të kujdeset për mbesat dhe nipërit e saj. Oliv Devolli nga Pejë thotë se kjo po ndodh për shkak se institucioni parashkollor “Pëllumbat e Paqes” nuk është hapur për shkak të punimeve në të.

Ajo shpjegon për KosovaPress se premtimet u janë dhënë se ajo do hapet më 15 gusht e kjo nuk ka ndodhur.

Mospuna në këtë çerdhe i ka detyruar ata t’i dërgojnë fëmijët në ato private.

“I kam shikuar unë edhe i kemi dërguar pak privat. Tani i kemi dërguar në atë çerdhen tjetër është aneksi i kësaj çerdhes dhe njëherë aty janë vendosur , derisa kanë qenë këtu unë si gjyshe jam ndarë e kënaqur. Pasi ka dal në pushim ky kopsht tri javë“ , shprehet ajo.

Vonesën e kryerjes së punimeve, drejtoresha e institucionit parashkollor “Pëllumbat e Paqes”, Merita Halilaj e arsyeton duke thënë se gjatë procesit të punës është dashur të kryejnë prishje që nuk kanë qenë të parapara në projekt.

Halilaj duke folur për kushtet e këqija që i ka pasur kopshti, tha se ky investim do ndikoj direkt në mirëqenien e fëmijëve.

“Është bërë ndërrimi i krejt ngrohjes qendrore, mandej është bërë ndërrimi i dritareve, dyerve që po bëhen dhe janë në proces ne presim që shumë shpejt me u krye. Janë punime që janë planifikuar shumë më herët por nuk kanë arritur me u krye në kohën e caktuar, por megjithatë jemi të kënaqur sepse po bëhen punime thelbësore, mbarë e mirë që na mundëson që kur të startojmë mos me pas problemin e ngrohjes, problemin e ujërave dhe problemin e rrjedhjes që në fakt çerdhes i kanë bërë dëmtime shumë të mëdha, ka pasur lagështi shumë të madhe”, thotë Halilaj.

Sipas saj, në këtë vit janë regjistruar mbi 180 nxënës të rinj, por deklaron se tani është hapur edhe afati tjetër në të cilën do të pranohen vetëm grupmosha të caktuara.

Drejtoresha e kopshti “Pëllumbat e Paqes” tutje për KosovaPress thotë se kanë ofruar zgjidhje për prindërit që nuk kanë arritur të sigurojnë kujdestari për fëmijët e tyre, ndërsa prindërit tjerë është dashur të bëjnë zgjidhje deri në hapjen e çerdhes, që shpresojnë të bëhet më 1 tetor.

“E di se shumë prej tyre kanë hekur keq për këtë periudhë kohore por janë gjendur me familjarët, me çerdhet private me kujdestaret nëpër shtëpitë e tyre, domethënë në këtë mënyrë e kanë kaluar këtë periudhë. Këtë periudhën e fundit ne i kemi mundësuar vetëm familjarëve që janë burrë e grua dhe janë të dy në punë nuk kanë familjarë tjerë për rreth vetës kemi bërë një grup të vogël të fëmijëve dhe i kemi vendosur në çerdhen e vogël në kushte pak më të urgjencës ashtu deri më 1 tetor kur edhe ne planifikojmë me pas hapjen”, shprehet ajo.

Shumë papastërti në “Pëllumbat e Paqes” të Pejës 

Se ky institucion parashkollor do e nis punën më një tetor e ka konfirmuar edhe kryetari i Pejës, Gazmend Muhaxheri .

I pari i këtij qyteti thotë se po bëhet një investim i jashtëzakonshëm në këtë çerdhe me qëllim që të krijohen kushte më të mirat për fëmijët.

“Do të duhej të gjendeshin, është duke u bërë investim i jashtëzakonshëm domethënë është investuar në rregullimin e nxehjes qendrore, është duke u investuar në ndërrimin e dritareve , është komuna duke investuar për me krijuar një ambient më të mirë dhe më të përshtatshëm për fëmijët që shkojnë në atë kopsht. Do të bëjmë përpjekje të hapet me 1 tetor dhe besojmë që një pjesë e madhe do jetë e gatshme me 1 tetor”, deklaron Muhaxheri.

Ndryshe, në muajin qershor inspektorët e Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinës së Kosovës (AUVK) e patën mbyllur institucionin parashkollor “Pëllumbat e Paqes” në Pejë për shkak të mungesës së kushteve elementare higjienike dhe rrezikut për shëndetin e fëmijëve.