Arbëri

Institucioneve u kërkohet të marrin hapa konkretë për uljen e ndotjes së ajrit

Litafete Latifi, që tash e një kohë është në krye të Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës, punën e saj e zhvillon në objektin e vjetër ndërmjet Prishtinës e Fushë Kosovës.

Puna e 19 punëtorëve të institutit, ndër vite është lehtësuar falë donacioneve që kanë përfituar nga organizata të ndryshme, raporton KTV.

Ndër to, Bashkimi Evropian, Agjencia Japoneze për Bashkëpunim Ndërkombëtar dhe së voni Fonacioni Kosovar i Mijëvjeçarit.

Një prej projekteve më të komentuara së fundmi që ka ardhur si donacion, është ai i monitorëve me të dhëna të cilësisë së ajrit në kryeqytet, i mundësuar nga Agjencioni Japonez për Bashkëpunim Ndërkombëtar.

Projekti ende nuk është implemetuar në tërësi dhe pritet të përmbyllet në 2020-n.

Një prej donatorëve më të mëdhenj në çështje që lidhen me mjedisin, është edhe Bashkimi Evropian.

Sipas Miran Pivotec, nga zyra e BE-së në Kosovë, janë investuar rreth 30 milionë euro çdo vit, derisa ai kërkon që qeveria e ardhshme, të merret më seriozisht më këtë temë.

Një prej parakushteve për trajtimin e sfidës me ajrin e ndotur, ajo për krijimin e një baze të dhënash, sipas Letafete Latifit, gradualisht po arrihet, derisa bënë thirrje që të ndërmerren hapa konkretë në uljen e ndotjes.

Zgjerimi i rrjetit të koogjenerimit, implementimi i ngrohtoreve qendrore në komuna të vendit dhe reduktimi i përdorimit të lëndëve djegëse në amvisëri dhe investimi në trafikun urban, janë disa prej këtyre hapave.