Ministria e Punëve të Jashtme dhe ajo e Punëve të Brendshme nuk kanë pranuar të japin detaje për shtetasit kosovarë të evakuuar nga Afganistani e as për refugjatët afganë që pritet të vijnë në Kosovë. Për të njëjtën çështje nuk janë deklaruar as kryeministri e presidentja, derisa ministri i Shëndetësisë tha se ata do të testohen për COVID-19
Katër kosovarët e evakuuar nga Afganistani ende nuk dihet nëse janë kthyer në Kosovë. Burime të KOHËS kanë thënë se deri të enjten ata ishin të vendosur nëpër shtete të tjera.
Por zyrtarisht ka pak informata. Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, e pyetur nga KOHA për këtë çështje, ka thënë që vetëm duhet t’i referohemi një komunikate të një dite më parë.
MPJD-ja nuk është përgjigjur as në pyetjen nëse ka kosovarë të tjerë që ende nuk janë evakuuar nga Afganistani dhe nuk ka dhënë informacione rreth numrit të përgjithshëm të kosovarëve që mund të ishin me mision në Afganistan deri në shpërthimin e krizës atje dhe marrjes së pushtetit nga talebanët.
Numër i madh i kosovarëve që gjatë viteve kanë punuar në Afganistan janë nga rajoni i Ferizajt, por shumica e tyre hezitojnë të flasin para kamerave për situatën aktuale.
Lidhur me kthimin e shtetasve të Kosovës nga Afganistani pas përshkallëzimit të situatës atje nuk janë përgjigjur as presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani e as kryeministri Albin Kurti.
Të pyetur gjatë paraqitjes para mediave me rastin e pranimit të vaksinave nga SHBA-ja, as Osmani e as Kurti nuk kanë folur për të evakuuarit kosovarë, por as për refugjatët afganë që pritet të vijnë në Kosovë.
KOHA ka kërkuar detaje rreth sistemimit të refugjatëve afganë nga Ministria e Punëve të Brendshme, por edhe nga ky institucion ka munguar përgjigjja të premten.
I vetmi që ka folur pak rreth temës ishte ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, i cili tha se të gjithë afganët që hyjnë në Kosovë do të testohen për COVID-19. “Ju i keni parë masat e reja. Secili qytetar që vjen nga vendet me rrezikshmëri të lartë të gjithëve do t'u bëhet testi dhe nëse janë Covid pozitivë natyrisht se ata do të karantinohen për një kohë dhe të gjithë ata që kanë nevojë dhe do të qëndrojnë në Kosovë natyrisht se do të vaksinohen”.
Vitia shtoi se Ministria e Punëve të Brendshme është duke punuar edhe për gjetjen e një lokacioni se ku mund të karantinohen ata që rezultojnë pozitivë. Përveç Kosovës, edhe Shqipëria po përgatitet për pritjen e refugjatëve afganë, por që ende nuk dihet se kur do të arrijnë.