Arbëri

Institucionet në pritje të rezultateve për praninë e mundshme të variantit të ri të COVID-19

Tri ditët e fundit në Kosovë është rritur numri i personave që kanë rezultuar pozitivë për Covid-19. Brenda 24 orëve 320 persona kanë rezultuar pozitivë me Covid-19, në 1 mijë e 683 mostrat e marra.

Sipas të dhënave të IKSHPK-së, 6 persona kanë vdekur nga Covid-19 gjatë 24 orëve të fundit, duke e çuar në 1 mijë e 426 numrin e të vdekurve që nga fillimi i pandemisë.

Në Klinikën Infektive aktualisht janë duke u trajtuar 84 pacientë, gjysma e të cilëve janë në oksigjenoterapi, ndërsa 3 pacientë janë në gjendje të rëndë.

Drejtoresha e Infektives, Lindita Ajazi – Berisha, ka shprehur shqetësimin për pacientët që po paraqiten me vonesë për hospitalizim dhe gjendja e tyre pastaj po përkeqësohet.

“Kemi pacientë vijnë në ditët e para por ecuria klinika e tyre varet nga vet organizmi dhe gjendja e atyre. Kemi pacientë që vijnë më vonë në klinikë është më e rëndë kemi pacientë që vijnë në javën e dytë megjithatë po mundohemi që t’i ofrojmë ndihmën shëndetësore por kur vijnë vonë. Edhe përkundër përpjekjeve maksimale ka mundësi të ketë ecuri të rëndë, ka thënë Ajazi - Berisha.

Ajazi ka thënë se deri më tani nuk kanë vërejtur ndonjë simptomë specifike tek pacientët e hospitalizuar sa i përket variantit të ri të virusit. Ajo ka bërë të ditur se janë në pritje të mostrave të dërguara dy ditë më parë në një qendër spitalore në Berlin.

“Priten rezultatet e mostrave që janë marrë, po pa marrë parasysh çfarëdo varianti ose mutacioni jemi të gatshëm për trajtim edhe më herët kemi pas mutacione të tjera por që i kemi trajtuar. Ne i kemi marr mostrat që i marrim edhe për Covid dhe janë dërguar në IKSHPK”, ka shtuar ajo.

Drejtori i Departamentit të Mikrobiologjisë në IKSHPK, Xhevat Jakupi, i ka thënë KOHËS nëpërmjet telefonit se i kanë dërguar mostrat jashtë vendit, për të vërtetuar praninë e mundshme të variantit të ri të virusit edhe në Kosovë.

Që nga fillimi i pandemisë në vend janë regjistruar mbi 56 mijë raste me koronavirus, ndërsa mbi 49 mijë janë shëruar. 5 mijë raste vazhdojnë të mbesin aktive.