Inspektori i AKI-së ka dorëzuar vjet në Prokurorinë Speciale një raport me gjetje për keqpërdorime të dyshuara të buxhetit vite më parë. Sipas burimeve, pa u ndjekur procedurat e brendshme ka pasur rritje buxheti për informatorët nga një në dy milionë euro, ndërsa shpenzimi i tij është bërë pa u evidentuar pranuesit, apo edhe në rastet kur ata janë ditur nuk ka pasur të dhëna për informatat e marra në këmbim
Dyshime për mënyrën se si është shpenzuar fondi për informatorët janë ngritur në një inspektim të brendshëm të Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, kanë bërë të ditur burime të mirinformuara me gjetjet e inspektimit.
Inspektori i AKI-së, sipas këtyre burimeve, ka gjetur se pa u ndjekur procedurat e brendshme është rritur buxheti për informatorët nga një në dy milionë euro. Po ashtu, sipas gjetjeve, shpenzimi i këtij buxheti është bërë pa u ditur pranuesit, apo edhe në rastet kur ata janë evidentuar, nuk ka pasur të dhëna për informatat e marra në këmbim.
Zyra e inspektorit të përgjithshëm të AKI-së e ka konfirmuar për KOHËN se ka pasur një inspektim që ka ngritur dyshime për keqpërdorim të buxhetit dhe se raporti i inspektimit është dërguar vjet në Prokurorinë Speciale.
Inspektori i Përgjithshëm, Kujtim Shala, ka thënë se për të dëshmuar rreth gjetjeve të inspektimit është intervistuar më 28 shkurt nga Prokuroria.
“Kjo ftesë lidhet me një inspektim të brendshëm, të cilin AKI e ka përcjellë vitin e kaluar në Prokurorinë e Shtetit dhe për të cilin inspektim ekzistojnë dyshime të bazuara për keqpërdorim të buxhetit të shtetit, përkatësisht të AKI-së. Ju sigurojmë se jemi plotësisht të përkushtuar për bashkëpunim me organet e drejtësisë për t’i mbështetur në ndriçimin e dyshimeve të ngritura në këtë inspektim të brendshëm”, ka thënë Shala.
Sipas burimeve të KOHËS, inspektori i përgjithshëm në AKI është marrë me periudhën prej vitit 2017 e këtej dhe përtej dyshimeve për keqpërdorim të buxhetit për informatorët, inspektimi ka zbuluar shkelje edhe në administrimin e dosjeve personale të agjentëve.
Pyetje janë dërguar edhe në Prokurorinë e Shtetit, por nuk kanë kthyer përgjigje për veprimet që kanë ndërmarrë prej vitit të kaluar kur u është dërguar raporti.