Kryeshefja e Inspektoratit Policor të Kosovës, Miradije Kelmendi, ka dalë edhe një herë para anëtarëve të Komisionit për Punë të Brendshme, por kjo mund të jetë hera e fundit.
Çështja e parë që kanë diskutuar ka qenë rasti i Drenasit, ku i përfshirë është edhe një zyrtar policor, për çka Kelmendi, në prani të medieve, ka dhënë informata që dihen në publik, raporton KTV.
Megjithatë, Kelmendi ka bërë të ditur se nuk janë vetëm tre të dyshuar, por nuk është lëshuar në detaje - përderisa janë duke vazhduar hetimet - edhe kur është pyetur nëse bëhet fjalë për avokatin Gazmend Halilaj.
Ajo ka sqaruar edhe veprimet e ndërmarra, pasi zyrtari policor i përfshirë në këtë rast, nuk kishte dorëzuar telefonin e tij.
Nga deputeti Rexhep Selimi, është pyetur edhe për rastin e Valbona Osmanit, e cila është e suspenduar tash tri vjet për denoncimin e një kolegu të saj, por Kelmendi është përgjigjur se rasti ndodhet në gjykatë, vendimet e së cilës do t’i respektojnë.
Një pjesë e raportimit të Kelmendit, me kërkesë të saj, është bërë pa praninë e mediave, derisa në pjesën e dytë është shqyrtuar raporti vjetor i IPK-së për vitin e kaluar.
Kelmendit, nga anëtarja e komisionit, Aida Dërguti, i janë kërkuar informata lidhur me policët që përfitonin pensione si invalidë, për çka ka thënë se për këtë rast hetimet janë duke vazhduar.
Pas takimit, anëtari i komisionit, Rexhep Selimi, që është pjesë e një grupi punues për IPK-në, ka paralajmëruar se mund të kërkohet shkarkimi i Kelmendit.
Deputetët anëtarë të këtij komisioni, grupin punues për monitorim të zbatimit të ligjit në IPK, e kishin themeluar një vit më parë, shkaku i disa skandaleve brenda këtij institucioni.