Arbëri

Inspektorati i Shtimes i kërkon Ministrisë së Shëndetësisë sqarime shtesë për punën e pishinave

Komuna e Shtimes njihet si vend rekreacioni në fusha të ndryshme. Po ashtu, në këtë komunë ekzistojnë një varg pishinash, të cilat ende po qëndrojnë të mbyllura si pasojë e pandemisë. Inspektorati i kësaj komune ka kërkuar nga ministria e Shëndetësisë ta sqarojë situatën për këto pishina, derisa në disa komuna të Kosovës tashmë kanë filluar punën këto biznese.

Sherif Sherifi, kryeinspektor në Komunën e Shtimes ka thënë se kanë inspektuar të gjitha pishinat dhe asnjëra prej tyre nuk është duke punuar, ndërkohë ka shprehur shqetësime se si disa komuna ka lejuar funksionimin e tyre, raporton KOHA.

“Ne kërkojmë sqarime zyrtare nga ministria e Shëndetësisë për çështjen e pishinave sepse po e shohim se disa prej tyre sot kanë filluar punën, prandaj kjo çështje nuk është në rregull sepse ne në Shtime ende jemi duke i respektuar rekomandimet e më hershme të nivelit qendror. Prandaj deri tash ende nuk kemi asnjë vendim apo rekomandim zyrtar për t’i hapur pishinat”, ka thënë Sherifi.

Ai ka deklaruar se derisa ministria nuk e sjell një vendim zyrtar nuk, do ta lejojnë hapjen e pishinave në Shtime, megjithëse këto biznese janë të njohura për rekreacione.

Ndërkaq, Gazmend Kadriu, pronar i një pishine në qytetin e Shtimes ka thënë që nga muaji maj kanë bërë përgatitjet për hapjen e pishinave, ndërkaq ka të punësuar dhjetë punëtor të cilët janë duke marrë pagat e tyre të rregullta.

“Kemi bërë shumë investime siç e dinë të gjithë, pastaj që nga muaji maj e gjithë stafi i punëtorëve janë duke marrë paga sepse përgatitjet duhet të bëhen dy muaj më herët. Po ashtu kemi stafin mjekësor, zhytësit, kuzhinierët dhe të tjerë të cilët janë të pajisur edhe me libreza sanitare. Kërkojmë që të hapen pishinat sepse nuk mund të ketë rrezik ashtu siç po ndodh nëpër kafene, sheshe apo rrugëve të qytetit”, ka kërkuar Kadriu.