Për 72 ditë radhazi, Inspektorati i Lipjanit ka bërë inspektime në aeroportin “Adem Jashari”, për parandalimin e taksistëve pa leje. Ndërkohë, aksioni është shtrirë edhe në parandalimin dhe ndëshkimin e kompanive të autobusëve, që dyshohet se devijojnë linjat, mbingarkojnë autobusët me udhëtarë dhe vonohen në orar, për t’i dëmtuar kompanitë e tjera.
Dhjetëra gjoba janë shqiptuar të enjten mbrëma nga inspektorët e Komunës së Lipjanit, të mbështetur nga Policia.
Aksioni i tyre, i nisur prej më se dy muajsh, fillimisht pati në cak parandalimin e disa kompanive të autobusëve, që dyshohet se po i devijojnë linjat, po i mbingarkojnë autobusët me udhëtarë dhe nuk po e respektojnë orarin, për t’u marrë pasagjerët kompanive të tjera.
Rreth kësaj çështjeje, në të kaluarën ka pasur fjalosje e përleshje fizike ndërmjet pronarëve të kompanive. Ndaj tyre inspektorët komunalë shqiptuan gjoba, për të vazhduar më tej në parandalimin e taksive pa leje edhe në Aeroportin “Adem Jashari”.
Bujar Curri, inspektor i trafikut në Komunën e Lipjanit, bëri të ditur se në aeroport u ndëshkuan dhjetëra taksistë pa leje.
“Sot kemi zhvilluar një aksion në bashkëpunim me Policinë e Kosovës ku janë inspektuar disa kompani të autobusëve të cilat nuk e respektonin rendin e udhëtimit, po ashtu janë ndëshkuar me disa gjoba. Aksioni ka vazhduar edhe në aeroportin e Prishtinës, ku prej disa muajsh me radhë kemi ardhur në aeroport dhe sot është nata e 72 që jemi këtu për parandalimin e taksive pa licencë”, ka thënë Curri.
Pronarët e taksive që paguajnë taksa dhe kanë në rregull dokumentacionin tregojnë për dëmet që u shkaktohen nga taksistët pa leje.
“Ne kemi pasur rregullisht probleme prej pas luftës me taksistët ilegalë të cilët jo vetëm se na kanë bërë konkurrencë të pandershme, por shpeshherë kanë kërcënuar dhe ka pasur raste që kanë përgjakur taksistët tanë, duke përdorur presione dhe dhunë fizike”, ka thënë taksisti Meqan Zotaj.
Për parandalimin e taksistëve pa leje dhe mbajtjen e rendit të përgjithshëm në komunikacion po kujdeset edhe Policia e Kosovës.
“Detyrë dhe mision yni është që t’u ndihmojmë qytetarëve natyrisht edhe institucioneve dhe të gjithë ata që kërkojnë mbështetje, që ne i asistojmë dhe i ndihmojmë. Kemi pasur kërkesë nga ana e inspektoratit dhe natyrisht kemi dalë për asistim, pra detyrë dhe mision yni sot është vetëm asistim për inspektoratin komunal”, është shprehur rreshteri Naser Korpusi.
Inspektorati komunal në Lipjan ka njoftuar se ky aksion do të vazhdojë.