Dyshimet për keqpërdorime dhe parregullsi të kandidatit Bajram Krasniqi lidhur me konkursin e pozitës së stomatologut në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Kijevë të Malishevës i ka vërtetuar Inspektorati i Punës dega në Gjakovë.
Pas ankesës së kandidatit Bajram Krasniqi i cili kishte aplikuar për këtë pozitë duke pretenduar se konkursi ishte kurdisje, Inspektorati i Punës e ka anuluar atë, raporton KTV.
Stomatologu Krasniqi thotë se Inspektori ka gjetur shkelje në dokumentacion dhe përmend faktin se kjo pozitë ishte rezervuar për djalin e Aziz Thaçit , i cili është anëtarë i kryesisë së NISMËS dhe stomatolog në QKMF-në e kësaj komune.
Opozita në Malishevë hedh kritika në adresë të udhëheqësve të kësaj komune për faktin se përparësi punësimi për vendet e lira të punës kanë vetëm militantët, simpatizant dhe familjarët e zyrtarëve të NISMËS.
Shkelje në shumë punësime të tjera në administratë dhe për pozitën e mësimdhënësve në këtë komunë ka gjetur edhe Auditori i Përgjithshëm në raportin për vitin 2018.
Në raport thuhet se gjatë vitit komuna kishte angazhuar 65 punonjës përmes Marrëveshjes së Shërbimeve të Veçanta por që në kontrata nuk ishte e specifikuar se në cilën bazë ligjore ishte thirrur komuna gjatë hartimit të kontratave.
Sipas këtij raporti prej tyre 53 persona të njëjtë ishin angazhuar dy herë brenda vitit dhe për këto angazhime nuk ishte zhvilluar ndonjë procedurë e rekrutimit.
I pari i kësaj komune Ragip Begaj i ka pranuar të gjeturat e raportit të Auditorit të Përgjithshëm dhe është zotuar se brenda 30 ditësh do të dorëzoi një plan veprimi auditorit për implementimin e rekomandimeve të dala nga ky raport.