Arbëri

Inspektorati aktivizohet në Podujevë, kontrollohen çmimet e librave nëpër librari

Kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, ka thënë se inspektorati komunal po i kontrollon çmimet e librave dhe mjeteve të tjera shkollore nëpër libraritë e qytetit.

Në Facebook, ai ka shkruar se kjo po bëhet me qëllim që të mos abuzohet me çmime.

“Inspektorët e tregut komunalë gjatë këtyre ditëve kanë zhvilluar kontrolle te libraritë e qytetit për t'i inspektuar në lidhje me çmimet e librave dhe materialeve shkollore. Këto inspektime po zhvillohen me qëllim të ruajtjes së çmimeve të përcaktuara nga shtëpitë botuese. Drejtoria e Inspeksionit do të vazhdojë me kontrolle të tilla për të parandaluar çfarëdo abuzimi eventual që mund të shkaktohet me ngritje të çmimeve nga shitja e librave dhe materialeve shkollore", ka shkruar Bulliqi.