Pas 15 muajsh bllokadë, qindra ankesa janë grumbulluar në Organin Shqyrtues të Prokurimit. Sipas analizave të “Iniciativës për Progres”, si pasojë e mosfunksionimit të Bordit të OSHP-së projektet dhe aktivitetet e bllokuara kapin një vlerë prej afërsisht 400 milionë eurosh e pasojat do t’i ndiejnë qytetarët tek vitin që vjen. Kjo organizatë e ka theksuar rëndësinë e zhbllokimit të këtij institucioni, por njëkohësisht përveç vonesës ka kritikuar Qeverinë edhe për procesin e rekrutimit
Se është rreth 400 milionë euro vlera e projekteve të bllokuara në Organin Shqyrtues të Prokurimit si pasojë e mosfunksionimit të këtij institucioni prej 31 marsit të vitit të kaluar, është vetëm njëri fakt. Pasojat e kësaj do të ndihen vitin që vjen.
Kësisoj e ka vlerësuar dëmin e bllokadës organizata “Iniciativa për Progres”.
Vetëm 255 nga 881 ankesa në total sa ishin pranuar në vitin 2021, kanë arritur të shqyrtohen deri në mars nga Bordi i atëhershëm i OSHP-së. E si pasojë miliona euro projektesh e aktivitetesh janë bllokuar.
Që atëherë numri i tyre është rritur edhe gjatë këtij viti, pasi deri para dy ditësh ky institucion ishte jofunksional, si pasojë e moszgjedhjes së kryetarit dhe katër anëtarëve.
Por, bordi aktual që u zgjodh në seancën e fundit të Kuvendit nuk do të ketë mundësi shqyrtimi për shumicën e tyre. Kjo pasi disave tashmë u ka skaduar afati 30 ditësh i vendimmarrjes.
Në raportin vjetor për vitin 2021, OSHP-ja ka theksuar pasojat dhe sfidën e funksionimit pa bordin e saj.
“Mosemërimi i Bordit të OSHP-së ka ndikuar edhe lidhur me ngecjen e procedurave të prokurimit për kontratat e rëndësishme për shëndetin e qytetarëve, si dhe për kontrata të ndryshme për interesin e autoriteteve kontraktuese, me ç’rast është cenuar direkt edhe interesi publik, sepse autoritetet kontraktuese kanë ngecur në furnizimin e ilaçeve dhe medikamenteve të rëndësishme për të sëmurit nëpër institucione shëndetësore”, thuhet në raportin e OSHP-së për vitin 2021.
Qëndrim Arifi nga ”Iniciativa për Progres” ka thënë se afër 400 milionë euro llogaritet të jetë vlera e parave të bllokuara si pasojë e mosfunksionimit të Bordit të Organit Shqyrtues të Prokurimit.
“Për pasojat e mungesës së Bordit të OSHP-së momentalisht kemi vetëm numra, statistika, kaq ankesa, kaq buxhet është i bllokuar, ndërsa në vitin e ardhshëm ne do të flasim për pasojat praktike, të cilat më së shumti do t’i ndiejnë qytetarët e nivelit lokal. Sepse pikërisht atje janë bllokuar fondet dhe të gjitha grandet qeveritare të buxhetit qeveritar, në fund të vitit do të kthehet prapa te Qeveria dhe shpresat janë të vogla që ato mjete do të ridestinohen nga niveli qendror”, ka thënë Arifi.
Ai ka theksuar rëndësinë e rifunksionalizimit të këtij institucioni, teksa ka thënë se bordi i ri ka përpara një gamë detyrash e përgjegjësish.
Teksa ka folur për procesin e rekrutimit të anëtarëve të rinj, hulumtuesi Arifi ka kritikuar Qeverinë duke thënë se ka krijuar një precedent të rrezikshëm.
“Aspak nuk jemi të kënaqur me procedurat konkurruese të rekrutimit të këtyre kandidatëve, sepse ka pasur një kombinim të paparë deri më tash rreth meritokracisë dhe futjes, të them, në mënyrë klandestine, nëse mund të them kushtimisht, të disa kandidatëve që madje edhe në bord tash janë emëruar dy kandidatë që fare nuk kanë hyrë në procedurat rekrutuese. Pra, kemi tre kandidatë që janë nxjerrë nga konkursi sado që ne aspak nuk jemi pajtuar as me mënyrën e vlerësimit, por të paktën iu janë nënshtruar procedurave konkurruese, ndërsa dy prej tyre janë që Qeveria i ka gjetur duke i përdorur, siç thotë, ajo ekskluzivitetin e saj”, ka thënë Arifi.
Kryetare e Bordit është zgjedhur Vjosa Gradinaj-Mexhuani, ndërsa anëtarë Nita Bejta, Kimete Gashi, Vedat Peterqoj dhe Agon Ramadani. Nita Bejta dhe Agon Ramadani janë dy prej kandidatëve që Qeveria ia kishte propozuar Kuvendit, me gjithë faktin që nuk kishin aplikuar fare në konkursin për Bordin e OSHP-së. Ndërsa Mexhuani ishte kandidatja që kishte marrë më shumti pikë nga ekspertët britanikë në konkursin e parë, por i cili kishte dështuar.
Për zgjedhjen e tyre është deklaruar edhe kryeministri Albin Kurti, duke thënë se kanë ushtruar diskrecionin e përzgjedhjes së kandidatëve për Bord të OSHP-së, pasi komisioni ka qenë i pakënaqur me kandidatët që kanë aplikuar.
“Ajo që duhet potencuar është se komisioni ishte i pakënaqur me kandidatët që kanë aplikuar, qoftë në kuptim të përvojës së tyre profesionale dhe profesionalizimit në përgatitjen e kandidaturës. Në këtë kuptim komisioni i kishte rekomanduar Qeverisë që të ushtrojë diskrecionin në përzgjedhjen e kandidatëve sipas së drejtës që i takon. Ky është pranuar dhe ne kemi ushtruar kompetencën tonë të garantuar me ligj dhe kemi votuar listën e kandidatëve”, ka thënë kryeministri.
Konkursi për kryetar dhe anëtarë të Bordit të OShP-së është zhvilluar pa asistencën e ekspertëve britanikë. Ambasada Britanike ishte tërhequr nga ky proces pasi Kuvendi kishte dështuar dy herë të votonte kandidatët e përzgjedhur në bashkëpunim me ekspertët britanikë.
Në bazë të Ligjit për Prokurimin Publik të Republikës së Kosovës, pas intervistimit të kandidatëve, organi përzgjedhës i pavarur listën e kandidatëve të përzgjedhur ia dorëzon Kuvendit, ndërsa Kuvendi i emëron kandidatët me pikët më të larta për pozitën e kryetarit dhe për secilën pozitë të lirë të anëtarëve të OSHP-së.
Sipas paragrafit 2 të nenit 100 të Ligjit për Prokurimin Publik të Republikës së Kosovës, 90 ditë para skadimit të mandatit të kryetarit dhe anëtarëve të OSHP-së, Qeveria i propozon Kuvendit së paku dy kandidatë për pozitën e lirë të kryetarit të OSHP-së dhe së paku dy kandidatë për pozitën e lirë të anëtarëve të OSHP-së.
Qeveria Hoti kishte shpallur konkurs për kryetar dhe anëtarë të OSHP-së më 12 janar 2021, pasi që më 31 mars 2021 kryetarit dhe anëtarëve aktualë do t’u skadonte mandati. Mirëpo, pas ndryshimit të Qeverisë, në maj të vitit 2021, Qeveria Kurti ka anuluar konkursin paraprak dhe ka hapur konkurs të ri për të cilin ishte duke u zhvilluar procedura e rekrutimit prej datës 11 tetor 2021.
OShP-ja ka kompetencë, autoritet, pushtet dhe përgjegjësi që të shqyrtojë ankesat nga palët e interesuara lidhur me shkeljet e mundshme të autoriteteve kontraktuese dhe si rrjedhojë mund të kërkojë nga autoritetet që aktiviteti i prokurimit të kthehet në rivlerësim dhe të kërkojë nga to që të anulohet aktiviteti i prokurimit, si dhe të aprovojë vendimin e autoriteteve kontraktuese. Organi Shqyrtues i Prokurimit është organ i pavarur dhe shqyrton të gjitha ankesat e parashtruara me shkrim nga operatorët ekonomikë për proceset e prokurimit.
© KOHA Ditore
Folegjenda: Bordi aktual i OShP-së, që u zgjodh në seancën e fundit të Kuvendit, nuk do të ketë mundësi shqyrtimi për shumicën e ankesave. Kjo, pasi disave tashmë u ka skaduar afati 30-ditësh i vendimmarrjes