Në raportin e INPO-s mbi aktivitetet e prokurimit gjatë vitit 2023, i cili është publikuar të premten, thuhet se është vërejtur që në aktivitetet e prokurimit të ministrive dhe të Zyrës së Kryeministrit ka ndryshim edhe në vlerën e parashikuar dhe në atë të inicimit të aktiviteteve të prokurimit. Në këtë organizatë kanë përmendur rastin e Ministrisë së Drejtësisë për të cilën kanë thënë se e ka tejkaluar planin për 311 për qind
Mospërputhje ndërmjet planifikimit dhe realizimit të aktiviteteve të prokurimit ka gjetur Iniciativa për Progres (INPO) në ministritë dhe në Zyrën e kryeministrit.
Në raportin mbi aktivitetet e prokurimit gjatë vitit 2023, i cili është publikuar të premten, thuhet se është vërejtur që në aktivitetet e prokurimit të këtyre institucioneve ka ndryshim edhe në vlerën e parashikuar dhe në atë të inicimit të aktiviteteve të prokurimit.
Arbër Kabashi, monitorues në INPO, ka thënë se nga 935 aktivitete të planifikuara nga 17 autoritete kontraktuese, gjatë vitit 2023 janë iniciuar 336 e që kanë rezultuar me 489 kontrata.
“Këto 17 autoritete kontraktuese së bashku i kanë nënshkruar 952 kontrata. Pra, 489 u takojnë kontratave të cilat kanë qenë të planifikuara, ndërsa 463 kontrata, të cilat kanë qenë të paplanifikuara. Për nga vlera, vlera totale e kontratave që janë nënshkrua gjatë vitit 2023 nga 17 autoritete kontraktuese të Qeverisë së Republikës së Kosovës, pra, nga 112 milionë euro, 83 milionë euro është vlera e kontratave të cilat kanë qenë të planifikuara, ndërsa 28 milionë euro është vlera totale e kontratave të cilat nuk kanë qenë të planifikuara”, ka deklaruar Kabashi.
Ai ka theksuar se këto 935 aktivitete kanë pasur vlerë të përbashkët prej 442 milionë eurosh, kurse kontratat të cilat janë nënshkruar dhe kanë qenë të planifikuara kanë vlerën afër 84 milionë euro.
Kabashi ka përmendur rastin e Ministrisë së Drejtësisë, për të cilën ka thënë se e ka tejkaluar planifikimin e prokurimit për 311 për qind.
“Pse e ka tejkaluar? Për shkak se i ka iniciuar dy aktivitete, rrjedhimisht i ka nënshkrua dy kontrata që kanë të bëjnë me përfaqësim ligjor të Ministrisë, të cilat nuk kanë qenë fare në planifikim të prokurimit. Vlera e këtyre kontratave ka qenë mbi 1.2 milionë euro, ndërsa planifikimi i Ministrisë për vitin 2023 ka qenë në vlerë vetëm 700 mijë euro”, ka theksuar ai.
E drejtoresha ekzekutive e INPO-s, Albulena Nrecaj, ka thënë se problemi kryesor i autoriteteve kontraktuese është se nuk i kushtojnë rëndësi planit të prokurimit.
“Problem numër një i cili vazhdimisht është hasur dhe është shpërfaqur edhe nga Organizata INPO, por edhe organizata të tjera, është mungesa e gatishmërisë së institucioneve për t’i kushtuar rëndësi planifikimit të prokurimit. Zakonisht deri më tani çfarë kemi gjetur është që si është i planifikuar buxheti, siç janë edhe përshkrimet nëpër kategori buxhetore ashtu paraqiten edhe në planin e prokurimit. Madje kur vjen faza e implementimit të atij plani apo realizimit të aktivitetit të prokurimit, atëherë autoriteteve kontraktuese iu shfaqen problemet”, është shprehur Nrecaj.
Përfaqësues të INPO-s i kanë shpalosur për gati secilën ministri veç e veç mospërputhjet që i kanë hasur në planifikim dhe në realizimin e kontratave. Raporti po ashtu përmban edhe konkluzionet dhe disa rekomandime se si të eliminohen defektet në prokurim.