Arbëri

Inkurajohen komunitetet joshumicë të aplikojnë në fondin prej 3 milionë eurosh

Nevojtarët nga radhët e komuniteteve joshumicë që jetojnë në rajonin e Prizrenit janë inkurajuar që të aplikojnë në thirrjen publike të Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal për ndërtimin apo rinovimin e shtëpive të tyre.

Por, pjesëtarë të këtyre komuniteteve kërkuan eliminimin e burokracisë, gjatë procesit të aplikimit për ndihmë, si dhe respektim të legjislacionit për përdorimin e gjuhëve.

“Nëse ky projekt jep rinovimin e kulmit, se unë jam vetëm për kulm, mirë. E jo të nxjerr dokumente të shumta në komunë, jo kadastri, jo shtëpia, jo fleta poseduese, të gjitha këto janë shpenzime”, tha Nazif Saliji, qytetar.

“E pashë se aplikacione nuk ka në gjuhën turke. A është ndonjë lëshim, apo nuk është nuk e di”, tha qytetari Haki Rashtana.

Lendrit Qeli nga Zyra për Komunitete e Kthim në Komunën e Rahovecit ka kërkuar sqarime nëse kjo thirrje interferon me atë të Ministrisë për Kthim dhe Komunitete.

“Më herët ka pasë një thirrje nga Ministria e Komuniteteve. Pyetja është a kanë të drejtë personat e njëjtë që kanë aplikuar në MKK me riapliku në Ministrinë tuaj, për shkak se ende nuk kanë marrë një përgjigje shumica prej tyre?”.

Zyrtarët e MAPL-së, bashkë me sqarimet e dhëna, bënë thirrje që të aplikojnë të gjithë pjesëtarët e komuniteteve joshumicë në nevojë, të cilët i plotësojnë kriteret e thirrjes.

“Qëllimi i kësaj thirrjeje publike është që të mbështeten pjesëtarët e komuniteteve pakicë në komuna në ndërtimin dhe rinovimin e shtëpive, për ato familje të cilat janë në gjendje të rëndë ekonomike dhe sociale, të cilat nuk kanë kushte adekuate të banimit, me qëllim që t'u krijohen kushte normale për jetesë normale në vendin tonë”, theksoi Jeton Qela nga MAPL.

Për ndërtimin e shtëpive, ministria ka vënë në dispozicion 2 milionë euro, derisa për rinovimin e shtëpive 1 milion euro. Thirrja është e hapur deri me datën 12 maj 2023.