Ministria e Drejtësisë ka bërë kërkesë tek Këshilli Shtetëror për Vlerësim dhe Disiplinë që të shqyrtojë veprimet e drejtorit të përgjithshëm të Shërbimit Korrektues të Kosovës, Nehat Thaçit dhe të vendos për shkarkimin e tij, ndërsa ministrja Albulena Haxhiu ka paraqitur disa shkelje ligjore që ai i ka bërë.
Në një konferencë para mediave Haxhiu ka deklaruar se Raporti i Auditorit ka gjetur disa keqpërdorime të kryera nga Thaçi, në lidhje me një pronë të MD-së në Vushtrri.
“Para disa ditëve kemi pranuar në kabinet një njoftim për shkelje brenda Shërbimit Korrektues për dhënie në shfrytëzim të pronës, për një kompani që nuk i plotësonte kushtet. Bëhet fjalë për 2 ha tokë, dje kemi pranuar raportin e brendshëm të auditorit”, ka thënë Haxhiu.
Zëvendësministri i Drejtësisë, Blerim Sallahu, ka deklaruar se janë ndërmarrë procedurat disiplinore për shkarkimin e drejtorit të përgjithshëm të Shërbimit Korrektues të Kosovës.
Sallahu ka deklaruar që nënshkrues të kontratës për qiradhënie ka qenë ish-ministri i Drejtësisë, Selim Selimi dhe drejtori i SHKK-së, Nehat Thaçi.
Selimi i kërkon Haxhiut që ta publikojë dosjen e plotë të pronës së SHKK-së
Ish-ministri i Drejtësisë, Selim Selimi, ka reaguar pas konferencës së ministres Albulena Haxhiut e cila ka thënë se janë gjetur disa keqpërdorime të kryera nga drejtori i SHKK-së, Nehat Thaçi, lidhur me një pronë të SHKK-së në Vushtrri.
Gjersa i ka quajtur këto akuza me motive “krejtësisht politike” Selimi ka thënë se rasti i tokës së SHKK-së ka filluar para mandatit të tij.
“Dhënia me qira e tokës ka ndodhur me ankand publik. Paratë shkojnë direkt në Shërbimin Korrektues. Tokën e kemi ruajtur, kemi mbrojtur shërbimin”.
Ai ka thirrur Haxhiun që ta publikojë të gjithë dosjen lidhur me atë pronë. Nëse nuk e bën këtë, Selimi ka thënë se, “do ta kërkoj zyrtarisht dosjen dhe do ta publikoj”.
“Njëkohësisht një kopje do ta dorëzoj personalisht në Prokurori. Dosja e ankandit shumë vjeçar e konfirmon këtë gjë”, tha ai.
Selimi ka shkruar në Facebook se vendimi për deklasifikimin e pagesave për të akuzuarit në Gjykatën Speciale e rrezikon mbrojtjen e tyre.
“Gjithashtu me vendimin për deklasifikimin e pagesave për të akuzuarit në Gjykatën Speciale, sot Ministrja ka vendosur që të rrezikojë mbrojtjen e të akuzuarve dhe ta prishë barazinë e armëve, rrjedhimisht duke ndikuar në dobësimin e pozicionit të mbrojtësve të Kosovës”.