Arbëri

Infektivja e mbushur, shtohet numri i pacientëve që kanë nevojë për trajtim intensiv

Çdo ditë rreth orës 13:00, mjekët e Klinikës Infektive mblidhen për të diskutuar gjendjen e pacientëve të shtrirë në klinikën 1 për rastet me COVID.

Gjendja në këtë klinikë nuk është mirë.

Janë gjashtë pacientë në mjekimin intensiv, me gjendje të rëndë e në moshë të re. Të gjithë janë të pavaksinuar.

Pacienti prapa kësaj dritareje është 31 vjeç. Është hospitalizuar para disa ditëve e nuk ka sëmundje të tjera përcjellëse.

Njëjtë edhe pacienti afër tij që është rreth 40 vjeç.

Shifra të larta të të vdekurve dhe të infektuarve janë regjistruar edhe të martën, e infektologu Lirim Tafilaj, ka thënë se në Infektive nuk ka më vende të lira.

“Për momentin janë të shtrire 119 pacientë. Janë kapacitetet e plota të mbushura. Disa pacientë janë në gjendje të rëndë. Pacientet që kanë nevojë për hospitalizim i orientojmë edhe në klinikat e tjera për COVID”, thotë Tafilaj.

Pjesa më e madhe e të shtrirëve në repartin intensiv të kësaj klinike javëve të fundit, sipas mjekëve, kanë qenë mërgimtarë.

Ky pacient ka ardhur në Kosovë javë më parë nga Zvicra dhe është në gjendje të rëndë.

E një pacient në gjendje më të lehtë thotë se vizita në Kosovë i ka kushtuar me infektim.

“Këtu kom ardhur e kom marrë Covidin në vendin tonë”, thotë Gazmend Zejnullahu, që jeton në Itali.

Gjendja me COVID 19 është përkeqësuar në muajin gusht, ndërsa sfidë mbeten kapacitetet e SHSKUK-për të përballuar numrin e madh të të hospitalizuarve veçanërisht të atyre që kanë nevojë për mjekim intensiv.