Arbëri

Infeksionet seksualisht të transmetueshme, në trend rritës

Spital - QKUK

Spital - QKUK (Foto-Ilustrim)

Foto: Driton Paçarada

Më shumë se dyfish janë rritur rastet e raportuara të infeksioneve seksualisht të transmetueshme në Kosovë në vitin 2023, në raport me një vit më herët.

Shifrat u bënë të ditura në tryezën “Përmbledhje e Politikave: Infeksionet Seksualisht të Transmetueshme (IST) në Kosovë”, e cila u organizua në kuadër të projektit të mbështetur nga CFLI (Canada Fund for Local Initiatives) dhe implementuar nga Action for Mothers and Children (AMC). Siç u tha aty, në vitin 2023 ishin 480 raste të raportuara, ndërsa një vit më herët 178.

Dr. Murat Mehmeti, ekspert në fushën e shëndetit publik i cili është edhe autor i këtij raporti, ka thënë se rritja e numrit flet edhe për marrjen e masave për parandalim, testim dhe trajtim.

“Infeksionet Seksualisht të Transmetueshme (IST) në Kosovë janë një sfidë e madhe për shëndetin publik në vendin tonë. Të dhënat e IKSHP-së tregojnë se ka rritje të raportimit të rasteve nga 178 raste në vitin 2022 në 480 në vitin 2023. Ka një rritje apo një përmirësim të raportimit? Rritja e numrit na flet edhe për marrjen e masave për parandalim, testim dhe trajtim. Përpjekjet aktuale nga Ministria e Shëndetësisë, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike (IKSHP), organizatat ndërkombëtare i kanë përmirësuar ndërgjegjësimin dhe qasjen në testim. Megjithatë, stigma, mungesa e objekteve të mjaftueshme për testim dhe edukimi i pamjaftueshëm seksual janë të pamjaftueshme”, ka thënë Mehmeti.

Sipas Mehmetit, grupet më të rrezikuara janë të rinjtë, gratë, punonjësit e seksit dhe persona të tjerë të cenueshëm.

“IST (infeksionet seksualisht të transmetueshme) transmetohen përmes kontaktit seksual të pambrojtur dhe përfshijnë infeksione bakteriale, virale dhe parazitare. Grupet më të rrezikuara janë të rinjtë, gratë, punonjësit e seksit dhe persona të tjerë të cenueshëm. Ka rritje edhe të HIV/AIDS. Vitin e kaluar kemi pasur 30 raste te reja që janë paraqitur, e që asnjë herë më parë nuk kemi pasur kaq raste . Ka pasur raste të rritjes edhe të Syphilis”, tha ai.

Mehmeti ka thënë se nga 480 raste të raportuara nga viti 2023,  Klamidia është IST më e zakonshme me 52% e rasteve, e pasuar nga HPV.

“480 raste të raportuara nga viti 2023,  Klamidia është IST më e zakonshme me 52% e rasteve, e pasuar nga HPV. Prishtina, Peja dhe Ferizaj kanë numrin më të lartë të rasteve. Gjinia femërore më e prekur (326 raste nga 480). Grup mosha më e atakuar 25-49 vjeçe. Ka mungesë të qasjes në testim dhe trajtim”, ka deklaruar ai.