Arbëri

INDEP kërkon që të sqarohet çështja e marrëveshjes së KEK-ut me KESCO-n

Rryma

Foto: Driton Paçarada

Përpos në veri, kosovarët nuk kanë mundësi të zgjedhin operatorin nga i cili duan të furnizohen me energji. Ligji mundëson liberalizimin e tregut, por kontrata e privatizimit të distribucionit e obligon KEK-un t’ia ofrojë KESCO-s gjithë sasinë e kërkuar të energjisë që prodhohet. As ndryshimet në ligj që janë finalizuar nga Qeveria, nuk saktësojnë nëse do të hiqet barriera për liberalizim faktik të tregut

As me projektligjin e ri për energjinë elektrike, Qeveria nuk ka saktësuar nëse do ta largojë KEK-un nga marrëveshja kontraktuale që ka me KESCO-n, e cila mban peng liberalizimin e tregut të energjisë. Për pasojë, konsumatorët nuk kanë mundësi zgjedhjeje të operatorit, nga i cili duan të furnizohen.

Neni 40 i projektligjit nuk ofron qartësi nëse do të hiqet kjo pengesë.

“Tregu dy palësh i energjisë elektrike është një treg ku blerja dhe shitja e energjisë elektrike kryhet drejtpërdrejt nëpërmjet pjesëmarrësve të tregut të energjisë elektrike nëpërmjet një kontrate dypalëshe për blerjen dhe shitjen e energjisë elektrike”, thuhet në neni 40, paragrafi 3 të Projektligjit për energjinë.

Por, Instituti INDEP ka kërkuar nga Qeveria të sqarojë nëse ky paragraf mbulon marrëveshjen që është në fuqi që nga privatizimi i distribucionit, e sipas së cilës KEK-u ia ofron KESCO-s gjithë sasinë e kërkuar të energjisë që prodhohet.

“Ne duam të sqarojmë nëse me këtë Ligj, ne përfundimisht po e largojmë KEK-un nga një obligim kontraktual që po e pengon liberalizimin e tregut apo po i krijojmë bazë ligjore furnizuesit që këtë marrëveshje ta trajtojë në kuadër të paragrafit 3 të nenit 40 të këtij Projektligji dhe kështu po ia krijojmë bazën ligjore”, thuhet në kërkesën e INDEP-it.

Sipas INDEP-it, Ligji duhet të përcaktojë kohëzgjatjen e marrëveshjeve dypalëshe për të mbrojtur tregun e lirë nga kontratat që i pamundësojnë operatorët e tjerë të furnizimit për të hyrë de facto në treg.

Liberalizimi i tregut të energjisë është mundësuar edhe me ligjin në fuqi, e bazuar në të Zyra e Rregullatorit të Energjisë ka licencuar 8 operatorë që merren me furnizim. Por, me përjashtim të Elektroseverit që vepron në katër komunat veriore dhe që është funksionalizuar së fundmi, asnjë tjetër nuk operon.

Prej dhjetë ditësh, Ministria e Ekonomisë nuk ka treguar se si konsumatorët mund të zgjedhin furnizuesit, përderisa të tjerë nuk janë funksionalë përpos KESCO-s, që favorizohet në furnizim nëpërmjet marrëveshjes mes KEK-un.

E as në Zyrën e Rregullatorit të Energjisë nuk treguan nëse praktikisht mund të hyjë në treg ndonjë furnizues tjetër.

Distribucioni i KEK-ut është privatizuar në vitin 2012, për vlerën prej 26 milionë eurosh. Që nga atëherë, kompania KEDS dhe KESCO kanë monopol në shpërndarje dhe furnizim me energji.