Nata e ndërrimit të moteve në Kosovë ka kaluar me disa incidente.
Një grua është vrarë aksidentalisht nga bashkëshorti i saj në natën e Vitit të Ri, në fshatin Selishtë të komunës së Gjilanit.
Policia njofton se ka arrestuar të dyshuarin për vrasje.
“Është arrestuar i dyshuari mashkull K-shqiptar, pasi që i njëjti, me pushkë gjuetie, nga pakujdesia, dyshohet se ka qëlluar gruan e tij, viktimën femër K-shqiptare” - thuhet në raportin 24-orësh të Policisë.
Gruaja e vrarë ishte mbi të 50-at.
Prokuroria në Gjilan njofton se prokurori i rastit ka nxjerrë aktvendim për fillimin e hetimeve dhe ka paraqitur kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh.
E, një grua tjetër ka vdekur në një aksident trafiku në rrugën Podujevë-Prishtinë.
Nga ky aksident kanë mbetur të lënduar rëndë edhe tre persona.
Shef i reanimimit në Klinikën Emergjente, Avdush Bajgora, e ka quajtur të tmerrshme natën e 31 dhjetorit të 2018-s, sa i përket aksidenteve në trafik.
E, festa e ndërrimit të moteve u shënua me disa incidente edhe nga përdorimi i mjeteve piroteknike.
Në Klinikën Emergjente në Prishtinë kanë kërkuar trajtim 65 persona.
Mjeku kujdestar, Skender Fetahu, ka thënë se 5 raste ishin nga aksidente trafiku dhe 5 të tjera me lëndime nga mjetet piroteknike.
Nga mjetet piroteknike, një banesë e pabanuar është përfshirë nga zjarri, në Prishtinë.
Në minutat e parë të 1 janarit, flaka i është vënë edhe një stalle në fshatin Brolic të Pejës.
Policia, në raportin 24-orësh, thotë se ankuesi ka thënë se “nipat e tij, duke ndezur fishekzjarrë, aksidentalisht i kanë vënë zjarrin stallës”, vlera e së cilës është rreth 4000 euro.
Rast i ngjashëm është raportuar edhe në fshatin Radostë të Rahovecit.
Aty, ankuesi ka thënë se zjarri kishte kapluar stallën në rrethana të panjohura. Ai ka thënë se vlera e dëmit është rreth 3500 euro.
Edhe Në fshatin Lebushë të Deçanit, po ashtu, është djegur një stallë e bagëtive.