Behram Jashari, nga Prekazi i Skenderajt, i cili ka të mbjella mbi dy hektarë tokë me misër dhe pemë, po pretendon se vetëm pse është pjesë e PDK-së, dhe jo e krahut të kryetarit Bekim Jashari, nuk ka mundur të aplikojë për subvencione të mërkurën në komunë.
Madje, ai thotë se për këtë shkak, kur shkoi për të aplikuar në zyrën për Bujqësi, drejtori Sokol Sallahu tentoi ta sulmojë, duke kërkuar, siç pohon Jashari, nga punëtorët e tjerë që lënda e tij të mos procedohet tutje, raporton KTV.
Pas fjalosjes dhe kacafytjes, Jashari thotë se iu thirr policia.
Por të kundërtën e thonë në komunën e Skenderajt.
Drejtori i Bujqësisë, Sokol Sallahu, thotë se prej momentit kur personi në fjalë ishte paraqitur në zyrë, në vazhdimësi e ka ofenduar atë dhe stafin, derisa me një kapëse letrash, e ka kërcënuar atë se do ta godasë.
Kurse zëdhënësi i kësaj komune, Ramiz Shala, këtë aplikues subvencionesh e quan të sëmurë mental dhe thotë se ai është refuzuar për shkak të sjelljes agresive, e jo qëndrimeve partiake.
Sipas zyrtarëve komunalë, nuk është hera e parë që Behram Jashari paraqitet në këtë komunë dhe shkakton probleme.
Me rastin po merren organet e drejtësisë.