Në parcelën e ndarë për ndërtimin e stacionit policor në Zubin- Potok, përmes katër kontejnerëve është duke u improvizuar një hapësirë ku do të qëndrojnë forcat e rendit. Shumë shpejt aty pritet të zhvendosen policët, që aktualisht kanë në shfrytëzim një shtëpi private me qira
Instalimi i rrymës e përgatitjet e tjera të fundit janë duke u bërë në katër kontejnerë që do të shërbejnë si stacion policor në Zubin-Potok. Përballë shkollës fillore “Jovan Cvijiq”, në parcelën që është paraparë të ndërtohet objekti i stacionit policor, do ta vazhdojnë punën përkohësisht forcat e rendit, deri në përfundim të ndërtimit të objektit.
Aktualisht Policia operon në një shtëpi private me qira.
Veton Elshani, zëvendësdrejtor i Policisë për veri, ka thënë se nuk ka ndonjë kushtëzim të pronarit të shtëpisë në të cilën ndodhen për t’u larguar, porse interesimi është që policët të zhvendosen përkohësisht në kontejnerë.
“Me siguri që shumë shpejt një kompani do të kontraktohet për ndërtimin e ndërtesës së re të Policisë, e cila do të jetë këtu, në këtë vend, dhe mandej do të vazhdojmë punën normalisht. Sidoqoftë, për ne prioritet ka qenë që të lëvizim nga ajo shtëpi private ku jemi atje”, është shprehur Elshani.
Në afërsi të parcelës është vendosur skica e objektit që do të ndërtohet, si dhe të dhëna në shqip e serbisht lidhur me vendimin për leje ndërtimore. Në mesin e tyre ndodhet edhe dokumenti për kushtet e ndërtimit që ishte nënshkruar në vitin 2020 nga ish-kryetari i Zubin-Potokut, Srdan Vuloviq, pjesëtar i Listës Serbe.
Ndërsa përfundimi i procedurave të lejes ndërtimore, siç theksoi Elshani, është bërë gjatë këtij viti.
“Atë që mund të them është se në vitin 2018 kanë filluar procedurat për ndarjen e pronës, shpronësimin, caktimin në emër të Policisë së Kosovës, ndërsa kanë përfunduar në vitin 2023”, ka thënë ai.
Elshani tutje shtoi se një vend me hapësirë më të madhe do të ishte edhe më mirë për ta.
“Nuk do të thotë që ndoshta ne jemi të kënaqur me 17 ari vend, ndoshta për neve ka qenë mirë me pasë një hektar vend diku tjetër, mirëpo kështu kanë qenë procedurat. Procedurat janë ligjore dhe si të tilla duhet të respektohen”, vlerëson Elshani.
Për të hënën ishte paralajmëruar një protestë nga serbët lokalë për kundërshtimin e vendimit për ndërtimin e stacionit policor, por gjatë së hënës nuk pati ndonjë organizim.
Disa banorë të Zubin-Potokut u shprehën se stacioni policor duhet të ndërtohet në Mitrovicë, e të tjerë thanë se nuk u pengon ndërtimi.
“Lë të ndërtohet, sepse atë e kanë lejuar Vuçiqi dhe Kurti. Po, po Vuçiqi dhe Kurti. Mua nuk po më pengon ndërtimi i stacionit, nuk më ka penguar kurrë dhe as tash nuk po më pengon”, është shprehur një banor serb.
“Stacioni policor duhet të ndërtohet 20 km më poshtë se këtu”, shtoi tutje banori tjetër serb.
Vendimin për ndërtim të stacionit e ka kundërshtuar Lista Serbe të shtunën, duke thënë se një veprim i tillë “është shembull i presionit institucional të Prishtinës ndaj popullit serb”. Sipas partisë që tashmë drejtohet nga Zlatan Elek, vendimi ka për synim përshkallëzimin e situatës në veri.
Pas reagimit të tyre, Policia e Kosovës ka lëshuar komunikatë, përmes së cilës thekson se për ndërtimin e objektit janë ndjekur të gjithë hapat e duhur proceduralë.