Arbëri

IML-së ende s’i është dhënë leje për vazhdimin e gërmimeve në Kizhevak

Katër ditë kanë kaluar qëkur në Kizhevak të Serbisë janë gjetur mbetje mortore, të cilat dyshohet të jenë të shqiptarëve të Kosovës.

Por institucionet kosovare nuk kanë pranuar akoma ndonjë vendim nga autoritetet serbe se si duhet të veprohet tutje.

Në Institutin e Mjekësisë Ligjore të Kosovës thonë se nuk kanë marrë njoftim zyrtar pavarësisht se ka informacione që Gjykata në Serbi ka urdhëruar hapjen e lokacionit të identifikuar.

“Jemi vazhdimisht bashkë në pritje të vendimi të tillë por gjerë në këtë moment nuk ka ardh asnjë vendim për kur do të shkojmë. Urdhëresa është lëshuar për hapje të terrenit por nuk është specifikuar koha. Ndoshta pres të hënën të fillojmë por zyrtarisht nuk kemi asgjë”, ka thënë për KOHËN Arsim Gërxhaliu, drejtor i IML-së.

Pavarësisht kushteve të papërshtatshme atmosferike, Gërxhaliu thotë se janë të gatshëm që në çdo moment të shkojnë në Kizhevak për të vazhduar gërmimet.

Kurse në Komisionin Qeveritar për Persona të Zhdukur thonë brenda disa ditëve mund të zhvillojnë takim me delegacionin serb për t’i koordinuar veprimet e ardhshme.

Kosova vazhdon t’i ketë 1,643 persona të zhdukur nga lufta e viteve 1998-‘99.