Kryetarja e Federatës Sindikale të Shëndetësisë, Tevide Imeri, e ka akuzuar Ministrinë e Shëndetësisë për gënjeshtra e mashtrim.
Derisa ka folur për shqetësimet e punonjësve shëndetësorë në lidhje me kontratat sektoriale që u janë shkëputur, ajo ka thënë se kjo shkëputje ka ndodhur në mënyrë të njëanshme nga ana e ministrisë.
Imeri ka shtuar se që nga 2023-ta u është premtuar se do të nënshkruhen kontratat e reja, por një gjë e tillë nuk ka ndodhur.
“Kontratat sektoriale janë shkëputur para nisjes së implementimit të Ligjit të Pagave, me arsyeshmërinë që po bie ndesh dhe nuk po munden ta harmonizojnë me Ligjin e Pagave, me premtimin që do të bëhet kontrata e re dhe do të jetë edhe më e favorshme sesa kjo që e kemi pasur. Prapë se prapë është shkëputje e njëanshme, nga ana e Ministrisë, me të vetmin arsyetim që po ma problem me ligjin, por doli që është gabim sepse nuk pati asnjë problem. Vitin e kaluar ka qenë premtimi, në fund të vitit 2023 prapë në takimin e fundit të rastësishëm, sepse ministri na ka injoruar, nuk ka dashur të na takojë e të na i dëgjojë shqetësimet. Në atë takim pati thënë se në tremujorin e parë të vitit 2024 do të bëhet kontrata dhe do të nënshkruhet. Nuk e ka mbajtur fjalën, nuk na ka ftuar më kurrë, kanë kaluar gjashtë muaj dhe me insistimin tonë të pandalshëm për të na treguar se çfarë po ndodh, pas shtatë apo tetë muajsh në takim zyrtar ministri na thotë se nuk ka kontratë kolektive për faktin se po përgatitë kontratë kolektive që përfshinë të gjithë punëtorët pa dallim. Ky ka qenë një premtim i kot, ka qenë një gënjeshtër, një mashtrim dhe unë e kam një vërejtje shumë të madhe pse kaq gjatë kanë pritur”, ka thënë ajo.
Ajo tutje ka paralajmëruar hapa tjerë, si protesta, greva apo edhe bojkot, në rast se nuk realizohen kërkesat e tyre.
“Ne nuk na thërrasin në asnjë komision, në qoftë se janë kaq të sinqertë dhe kaq transparentë, pse mbyllen, pse janë kaq diskrete takimet? Jemi takuar sot me Këshillin Drejtues dhe jemi dakorduar të marrim hapa të tjerë. Hapat e tjerë janë protesta, grevat, bojkoti, të gjitha format e mundshme do t’i përdorim sepse nuk na ka lënë rrugë tjetër, në qoftë se nuk realizohen këto kërkesa”, ka thënë ajo.