Arbëri

Imeri: BE-ja është “xhuxh diplomatik”, ka dështuar në procesin e dialogut

Profesori i shkencave politike, Dorajet Imeri, e ka quajtur Bashkimin Evropian “xhuxh diplomatik” derisa ka folur për procesin e dialogut Kosovë-Serbi.

Sipas tij, BE-ja ka dështuar në këtë proces. 

“Ai që është lehtësues i këtyre bisedimeve nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, BE-ja nuk flet me një zë në raport me Kosovën. Kjo e ul besimin si një institucion i rëndësishëm në këtë proces. Si është e mundur që një BE gjatë gjithë kohës e pranon një Serbi që nuk ndryshon qasje ndaj Kosovës dhe pretendon se një ditë mund të normalizohen raportet, natyrisht që nuk mund të prodhohet rezultat. Bashkimi Evropian është një xhuxh diplomatik. Ka dështuar në procesin e dialogut”, ka thënë Imeri të mërkurën në “60 Minuta” të KTV-së.

Imeri ka shtuar se pozicioni i Kosovës në dialog është çdo herë e më i heq që nga nisja e tij. 

“Ky dialog e ka humbur tërësisht kuptimin e tij, edhe kur është dizajnuar nuk është menduar se do të prodhojë një paqe të qëndrueshme dhe prandaj si përfundim nuk kemi një rezultat tjetër sesa një konstatim të përgjithshëm se që nga nisja, mënyra e zhvillimit, mënyra se si është trajtuar, si është përdorur si mekanizëm tregon se ka qenë një mekanizëm i mirëmbajtjes së një status-quoje, i ruajtjes së një stabilitetit të paqëndrueshëm. Kosova ka hyrë në një pozicion të tillë që nuk mund të ecë më tej pa e mbyllur këtë cikël të pafundmë negociatash. Kosova nuk duhet të bëjë asnjë hap konkret për aq kohë sa BE-ja ka sanksione të vendosura ndaj saj dhe nuk merr masa ndaj Serbisë për sulmin në Banjskë”, është shprehur ai.