Shkarkimi i kryetarëve

Ilegalët ua ndalojnë drejtorëve të shkollave serbe të flasin me institucionet për votimin e 21 prillit

Zyrtarë të disa prej institucioneve shkollore në veri të Kosovës nuk kanë pranuar të tregojnë nëse do të lejojnë në to mbajtjen e votimit të 21 prillit. KOHA ka mësuar se strukturat ilegale ua kanë ndaluar atyre të komunikojnë me përfaqësues të institucioneve në prag të votimit.

Institucionet ilegale të Serbisë ua kanë ndaluar drejtorëve të shkollave serbe në Mitrovicë të Veriut, çfarëdo komunikimi me përfaqësues institucionalë të Kosovës, në prag të votimit për shkarkimin e kryetarëve. 

Burime të KOHËS thanë se ky arsyetim është përdorur, kur drejtorët janë kontaktuar për nevojën që më 21 prill t’i hapin shkollat, të cilat KQZ-ja i ka miratuar si qendra votimi.

Por, publikisht, drejtorët kanë refuzuar të flasin nëse do t’i vënë objektet në dispozicion të KQZ-së.
Shkolla fillore e mesme e ulët ‘Sveti Sava’ është në mesin e shtatë qendrave të votimit në Mitrovicë të Veriut të miratuara nga KQZ-ja. Por, votuesit e kësaj qendre do të duhet të shfrytëzojnë ndonjë objekt tjetër, pasi ky i shkollës fillore pritet të mos jetë në dispozicion të tyre për votimin e 21 prillit.

Nëse do të lejojë të mbajë apo jo votimin në këtë objekt, nuk ka pranuar të tregojë drejtori i saj.

Qendër votimi është edhe aneksi i shkollës në Suhadoll të Epërm, por as për këtë objekt informacione nuk ka drejtori.

“Unë e di që shkolla është në listë. Unë e di. Krejt votimet janë bërë këtu. Por me këtë që do të mbahet tash, nuk e di çka do të bëhet. Nuk e di a bën, a s’bën”, ka thënë drejtori.

Nëse do të lejohet votimi për shkarkimin apo jo të kryetarit të Komunës së Mitrovicës së Veriut nuk treguan në Shkollën e Mesme të Lartë Teknike, me arsyetimin se aty nuk është drejtori.

Drejtori mungoi edhe në shkollën fillore të mesme të ulët “Jovan Cvijiq” në Zubin-Potok.

Një zyrtar në këtë objekt shkollor tha se ai nuk kthehet deri të hënën.

Duke u bazuar në burime brenda KQZ-së, KOHA raportoi një ditë më parë se janë pranuar informacione se për votimin e 21 prillit shkollat në veri që menaxhohen nga strukturat ilegale nuk do të jenë në dispozicion.

Një gjë të tillë nuk e kanë konfirmuar zyrtarisht në KQZ e as në katër komunat në veri.

KQZ-ja ka aprovuar listën prej 44 Qendrave të Votimit në Leposaviq, Zubin-Potok, Zveçan e Mitrovicë të Veriut. Më shumë se 30 prej tyre janë institucione shkollore serbe.

Lista Serbe ka bërë thirrje për bojkot të votimit për shkarkimin e kryetarëve, ndonëse pati përkrahur peticionin që i ka hapur rrugë procesit.

Qytetarët në Mitrovicë të Veriut nuk kanë pranuar të flasin nëse do të marrin pjesë në votimin për shkarkimin apo jo të kryetarit Erden Atiq.

KOHA ka mësuar se KQZ-ja të shtunën, me fillim nga ora 11, do të mbajë mbledhje, por që nuk ka arritur të konfirmojë nëse do të diskutohet edhe për telashet që iu kanë dalë me objektet shkollore në veri.