Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike (IKSHPK) ka dhënë informatat bazike për Human MetaPneumovirusin.
Në postimin e IKSHPK-së thuhet se ndonëse autoritetet më të larta botërore të shëndetësisë nuk e kanë cilësuar situatën lidhur me Human MetaPneumovirusin si një emergjencë globale shëndetësore, autoritetet shëndetësore kudo kanë forcuar sistemet e monitorimit të sëmundjeve ngjitëse dhe kanë rritur kujdesin.
“Në këtë aspekt, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës, në bashkëpunim me Zyrën e OBSH-së në Kosovë ndan për qytetarët disa nga informacionet bazike lidhur me metapneumovirusin me qëllim që publiku të jenë të informuar dhe të rris masat e kujdesit parandalues”, thuhet në njoftim.
Metapneumovirusi njerëzor thuhet se është virus i zakonshëm respirator. Ai thuhet se është zbuluar për herë të parë në vitin 2001 nga shkencëtarët holandezë. Dihet se shkakton sëmundje të rrugëve të sipërme dhe të poshtme të frymëmarrjes.
HPMV thuhet se ka më shumë gjasa të përhapet nga personi i infektuar tek të tjerët përmes, pikave gjatë kollitjes dhe teshtitjes, kontaktit të ngushtë personal, si puthja, prekja ose shtrëngimi i duarve dhe prekjes së objekteve ose sipërfaqeve që kanë virusin mbi to dhe më pas prekja e gojës, hundës ose syve.
“Simptomat përfshijnë kollë, ethe, kongjestion nazal dhe fishkëllimë. Shumica e rasteve të hMPV janë të lehta, me simptoma të ngjashme me të ftohtin e zakonshëm. Patogjenët respiratorë, përfshirë gripin sezonal, RSV dhe hMPV, mund të paraqesin rreziqe për personat më të ndjeshëm, përfshirë fëmijët e vegjël, personat me imunitet të dobësuar dhe të moshuarit”, thuhet në njoftim.