Arbëri

IKSHP: 97.5% të pacientëve të kënaqur me shërbimet shëndetësore. Qytetarët e demantojnë

qkuk

Foto - Ilustrim

Foto: Driton Paçarada

KOHA ka qëndruar të premten në Qendrën Klinike Universitare (QKUK) dhe ka biseduar me pacientët aty. Por, ndryshe prej rezultatit të hulumtimit, pacientët kanë shprehur pakënaqësi në shërbimet të cilat u ofrohen në sistemin publik shëndetësor

Vetëm 2.5 për qind të pacientëve, të cilët marrin shërbime publike shëndetësore në spitalet publike nuk janë të kënaqur me shërbimet që u ofrohen, është rezultati i një pyetësori të hartuar po nga një institucion publik shëndetësor.

Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, kjo matje është bërë një vit më parë nga Instituti i Shëndetësisë Publike (IKSHPK).

“Shumica e popullatës së intervistuar është e kënaqur me shërbimet shëndetësore në Kosovë, ndërsa 2.6 për qind i kanë vlerësuar shërbimet shëndetësore si të këqija dhe vetëm 1.7 për qind si shumë të këqija. Në kujdesin shëndetësor publik përqindja më e lartë e atyre të cilët e kanë vlerësuar shërbimin si të shkëlqyeshëm kanë shfrytëzuar kujdesin parësor (20.1 për qind), ndërsa për të tri kategoritë së bashku (mirë, shumë mirë dhe shkëlqyeshëm) kanë mbizotëruar spitalet publike 97.5 për qind”, ka bërë të ditur Zyra për Informim e Ministrisë së Shëndetësisë.

Gjatë vitit 2023, pacientët vazhdimisht kanë kontaktuar KOHËN dhe janë ankuar për kualitetin e shërbimeve shëndetësore. Ankesat lidhen me mungesë të barnave, me lista të gjata të pritjeve si dhe mungesën e profesionistëve shëndetësorë në orarin e punës. Megjithëkëtë, institucionet nuk janë përgjigjur në pyetjet e KOHËS nëse kjo matje dhe ky rezultat është real.

Për të parë nëse pacientët e kanë këtë kënaqshmëri me sistemin publik shëndetësor, KOHA ka qëndruar në Qendrën Klinike Universitare (QKUK) dhe ka biseduar me pacientët.

Por ata kanë shprehur pakënaqësi në shërbimet që u ofrohen.

“Po çfarte. Ik, ik”, ka thënë njëra nga pacientet, e cila nuk ka dashur të identifikohej.

E një pacient, i cili është i shtrirë në njërën nga klinikat e QKUK-së prej rreth një jave, ka shprehur ankesën se po detyrohet që t’i blejë vetë barnat.

“Barna? Në barnatore po, a aty jo valla. Në spital jo valla. Po na bie shumicën e barnave t’i blejmë. Për staf nuk kam ankesa. Ata nuk kanë faj. S’kanë ku i marrin. Kur nuk ua sjellin, ku t’i marrin ata”, ka thënë pacienti Ilimi Gashi.

Sahit Ramadani, familjar i një pacienti në QKUK, ka treguar se i afërmi i tij ka qenë në program që të operohej të premten në Repartin e Kardiologjisë, porse intervenimi nuk është realizuar.

“Isha te salla, salla ishte e mbyllur. Mjekë s’ka, vetëm një motër ishte aty... Ka qenë i planifikuar të operohej sot. Deri tek dera e sallës ka shkuar, kish qenë salla e zënë. Prej orës 11 jemi duke pritur. Shiko se sa është ora, 15:20. Kisha bërë apel me qenë më të kujdesshëm, sepse na për këtë kemi ardhur krejt, i madh e i vogël”, ka thënë ai.

KOHA në vazhdimësi ka raportuar për raste të pakënaqësive të pacientëve me spitalet publike dhe ato private në Kosovë, ani se matjet e bëra nga IKSHPK-ja kanë të bëjnë vetëm me spitalet publike.