*Teksti dhe storja janë përgatitur në kuadër të projektit “Dëgjonani”!
Për një dekadë rreth 350 mijë shtetas të Kosovës kanë migruar në Perëndim. Ekonomistët thonë se trendi i ikjes ka goditur fort tregun e punës. Kosova është braktisur edhe nga punëtorë mirë të kualifikuar. Në Odën e Mjekëve thanë se brenda dhjetë vjetëve më shumë se një mijë anëtarë të saj e lëshuan Kosovën
Për një çerekshekulli, çereku i popullit të Kosovës ka migruar në vendet e Perëndimit në kërkim të jetës më të mirë. Vetëm në dhjetëvjetëshin e fundit, më shumë se 350 mijë shtetas braktisën shtetin që, sipas drejtuesve të Agjencisë së Statistikave, nuk ka më shumë se 1.5 milionë banorë.
Autoritetet janë krenuar vazhdimisht për pasurinë më të madhe të Kosovës – rininë. Por, janë pikërisht të rinjtë ata që dominuan në radhët para ambasadave të shteteve që lehtësuan dhënien e vizave të punës, e para së gjithash Ambasadës gjermane.
Ekonomisti Visar Vokrri thotë se trendi i migrimit të fuqisë punëtore të Kosovës ka filluar nga viti 2016.
“Po flasim prej vitit 2016 deri në vitin 2022, kur rreth 120 mijë kosovarë kanë marrë leje pune në Gjermani. Pra, ky trend vetëm se pritet të vazhdojë, ndoshta edhe të rritet me liberalizimin e vizave për shkak se tani procedurat janë tejthjeshtësuar, janë lehtësuar jashtë mase për këdo që ka në mendje të largohet dhe të kërkojë punë në vendet e Bashkimit Evropian. Mirëpo po e theksoj edhe një herë, Gjermania mbetet ende destinacioni kryesor”, ka thënë Vokrri.
Në Ambasadën gjermane në Prishtinë treguan se gjatë vitit 2023 kanë lëshuar 56 mijë e 194 viza Schengen për nënshtetas të Kosovës, si dhe 18 mijë e 87 viza nacionale, ndër to viza pune. Të dhëna për vizat e dhëna sivjet nuk janë vënë në dispozicion, ndërkaq bazuar në statistikat e Ministrisë së Jashtme Federale të Gjermanisë, në vitin 2022 Kosova u rendit e pesta, pas Indisë, Turqisë, Serbisë dhe Bosnjë-Hercegovinës për numrin e vizave kombëtare të punës me 9 mijë e 309 gjithsej. Edhe për numrin e vizave me qëllim të bashkimit familjar, Kosova renditet e pesta me 4 mijë e 643, pas Indisë, Turqisë, Libanit dhe Rusisë.
Ekonomisti Vokrri përmend faktorët kryesorë që i bëjnë të rinjtë ta braktisin vendin.
“Në rastin e Kosovës unë konsideroj që janë një kombinim i faktorëve, pra edhe faktorëve shtytës edhe nxitës. Po them nxitës për shkak se Gjermania, e cila veç e mori këtë hap dhe po i prin ndoshta një vale të re të ndryshimeve në Evropë, prapë po e theksoj, sepse unë besoj që pashmangshmërisht edhe vendet e tjera nga Bashkimi Evropian do të përcjellin atë që ka bërë Gjermania”, ka theksuar ai. “Pra, do të mendojnë rreth hapjes së tregut të punës edhe për vendet e tjera për shkak se kanë nevojë për fuqi punëtore. Pra, këta janë faktorët nxitës. Në rastin konkret, në Kosovë është lehtësimi i lëvizjes drejt vendeve të BE-së”.
Viza pune, por më pak se Gjermania, kanë lëshuar edhe shtetet e tjera.
Ambasada e Kroacisë konfirmoi se gjatë 2022-tës ka lëshuar gjithsej 6 mijë e 760 viza, prej të cilave 4 mijë e 216 të tipit D, që lëshohen për qëndrim afatgjatë, e kryesisht për punë ose bashkim familjar. Në vitin e shkuar, në total lëshoi më shumë viza, por për qëndrim për kohë të gjatë, 4 mijë e 116 viza.
Shumë kosovarë punojnë edhe në Slloveni, por Ambasada e këtij shteti nuk iu përgjigj pyetjeve për vizat që ka lëshuar.
Numër katërshifror vizash kanë lëshuar edhe shtete si Finlanda. Ambasada e këtij shteti në Prishtinë bëri të ditur se në 2022-tën ka pranuar 2 mijë e 125 aplikacione për leje qëndrimi të parë nga qytetarët e Kosovës, nga to 1 mijë e 270 për punë, e më pak në 2023-tën – nga 1 mijë e 670 aplikacione, 662 kanë qenë për punë. Sivjet, nga 1 janari deri më 15 prill, Ambasada ka pranuar 219 aplikacione, nga të cilat 86 për punë.
Zvicra ka qenë ndër destinacionet kryesore të shqiptarëve për migrim. Por, në Ambasadën e këtij shteti në Prishtinë thanë se qytetarët e Kosovës dhe të shteteve të tjera që nuk janë anëtare të BE-së kanë qasje shumë të limituar në tregun zviceran të punës. Duke u bazuar në të dhënat e Zyrës Qendrore janë lëshuar gjithsej 74 viza pune për qytetarët e Kosovës në 2022-tën, 53 në 2023-tën dhe në tre muajt e 2024-tës 9 viza pune.
Efektet e para
Ekonomisti Vokrri thotë se tregu i punës është goditur nga migrimi.
“Tash veç po i shohim efektet e para në sektorin e ndërtimtarisë, deri diku ndoshta edhe bujqësi, po edhe në sektorin e mikpritjes apo gastronomisë që ne i referohemi. Po vërehet mungesa e fuqisë punëtore. Këtë po e thonë sektori privat, bizneset. Natyrisht, gjatë kësaj periudhe kemi pasur edhe një ndryshim ndoshta të strukturës së emigrantëve nga Kosova. Nuk po flasim tanimë vetëm për punëtorë me shkathtësi më të ulëta, por po flasim edhe për punëtorë mirë të kualifikuar nga sektori i shëndetësisë, për shembull”, ka theksuar ai. “Kemi pasur një numër të madh të punëtorëve shëndetësorë që kanë migruar drejt Gjermanisë kryesisht, por edhe në sektorët e tjerë, si për shembull sektori i ICT-së”.
Migrimi ka prekur veçmas sektorin e shëndetësisë.
Kryetari i Odës së Mjekëve të Kosovës, Pleurat Sejdiu, thotë se trendi i ikjes së punonjësve shëndetësorë përcillet që nga 2013-ta.
“Që nga atëherë e kemi pasur një numër mesatar prej 140 vetave në vit. Në disa vite kanë qenë nga 110. Kështu që nga 2013-ta mund të llogaritet kur kanë filluar me një numër treshifror të largohen nga Kosova dhe ky fenomen po vazhdon”, ka theksuar Sejdiu. “Gjatë këtyre katër muajve të parë ne i kemi 40 kolegë tonë që janë larguar. Përafërsisht 10 në muaj, është ai numri i cili vijnë për t’i plotësuar dokumentet e nevojshme për largim apo për pranim në punë atje dhe si dokument përfundimtar i kompletimit të dokumentacionit është pikërisht vërtetimi prej Odës së Mjekëve që nuk kanë probleme në të kaluarën etiko-profesionale”.
Më shumë se sa mjekë, ka infermierë që largohen.
Sejdiu thotë se numri i këtyre profesionistëve shëndetësorë që braktisin Kosovën, është trefish më i lartë sesa i mjekëve.
“Është një numër më i rritur, por zakonisht shkon 1 me 3. Domethënë nëse te ne janë 10, tek ata janë 30”, thotë ai.
Vetëm vitin e kaluar Sejdiu thotë se Kosovën e kanë lënë 180 mjekë, kurse prej 2013-s janë afro 1 mijë mjekë që kanë shkuar në vendet perëndimore për punësim. Ai e sheh shqetësues për vendin ikjen e profesionistëve shëndetësorë, në shkollimin e të cilëve thotë të ketë investuar shumë shteti.
“Po kostoja është e madhe. Ka kalkulime të ndryshme, nga disa dhjetëra mijë deri në 100 mijë që mund të kushtojë përgatitja e një studenti deri në diplomim dhe të mos flasim specialistë, sepse specializimi është me siguri trefishi i kësaj shume. Domethënë janë shuma të mëdha edhe për shtete të zhvilluara, edhe përkundër që ne e marrim me qetësi atë se ato rroga që po harxhohen në fakultet, ato janë”, ka thënë Sejdiu. “Kjo është një humbje e madhe, duke e pasur parasysh se të gjithë këta janë djem e vajza të reja janë sapo të diplomuar, janë 28-29, 30 vjeç, të gjithë janë në kohën kur krijojnë familje dhe ata po largohen me familje”.
Drojë nga vala e re e ikjeve
Institucionet, si Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, ajo e Punëve të Brendshme dhe Agjencia e Statistikave nuk e dinë numrin e qytetarëve që janë pajisur me viza pune, për bashkim familjar e viza turistike gjatë viteve 2022, 2023 dhe këta muaj të vitit 2024.
E, një raport i Institutit për Politika të Avancuara GAP, i publikuar në janar, tregon se nga viti 2012 deri në vitin 2022 nga Kosova kanë emigruar mbi 338 mijë qytetarë, kurse vetëm në 2022-tën 41,553 qytetarë. Bazuar në këtë dokument, më 2022-tën fuqia punëtore aktive është zvogëluar për rreth 21,500 persona, ndërsa fuqia punëtore joaktive është zvogëluar për diku 14,700 persona.
Sektorët që pritet të preken në masë më të madhe nga largimi i punonjësve në periudhë afatshkurtër dhe afatmesme, sipas raportit, janë ai i ndërtimtarisë, hotelerisë dhe gastronomisë, tregtisë dhe prodhimit. E, të njëjtit sektorë, sipas GAP-it, janë ndër ata me numrin më të lartë të të punësuarve dhe ku produktiviteti i punonjësve është i lartë.
Ekonomistët druajnë nga fluksi i ri i ikjes.
“Në muajt, vitet në vijim do të shohim ndoshta edhe një trend të ri të ikjes së fuqisë punëtore nga ky sektor. Po e them këtë për shkak se deri më tash në muajt e parë të këtij viti kemi qenë në një periudhë ndoshta më të ftohtë në kohën e dimrit, ku aktivitetet në sektorin e ndërtimit në vendet e Bashkimit Evropian ndoshta janë me një intensitet më të ulët. Po e marr shembull prapë Gjermaninë, për shkak se një pjesë e madhe po ikin drejt Gjermanisë për shkak të lehtësirave. Unë pres që tash, me fillimin e pranverës, do të ketë një ikje ndoshta më të theksuar të punëtorëve nga ky sektor”, thotë ekonomisti Visar Vokrri.
Rinia shihet si aset i rëndësishëm në Kosovë. E, hapja e vendeve të Perëndimit kryesisht ndaj vendeve të Ballkanit Perëndimor, sipas ekonomistit Vokrri, tregon për preferencat që i kanë vendet evropiane.
Për këtë ka folur edhe drejtori i Departamentit të Evropës në Fondin Monetar Ndërkombëtar (FMN), Alfred Kammer, i cili ka rekomanduar eliminimin e barrierave në tregun e brendshëm evropian. Në një konferencë për media në muajin prill, duke iu përgjigjur pyetjes së KOHËS se si të ndalet ikja e trurit, Kammer ka thënë se nuk ka zgjidhje të lehta dhe nuk ka zgjidhje të shpejta.
“Kjo ka qenë një çështje e madhe për vendet në rajon dhe këshilla këtu është se edukimi është çelësi, aftësitë janë çelës për popullatën, me qëllim që të gjeneroni vende pune dhe punësim aty. Kjo është një përgjigje e rëndësishme. Dhe pjesa tjetër, çështja fundore, është se duhet ta rrisni produktivitetin, duhet ta shtoni rritjen në mënyrë që të gjeneroni të ardhura që njerëzit i kërkojnë dhe kjo, përsëri, nënkupton të ndërmerren reformat ende të vështira strukturore në shumë prej vendeve dhe ato, në fund, do t’i mundësojnë shtytjet për punëtorët që të rrinë ose që të kthehen”, ka thënë Kammer. “Nuk ka zgjidhje të lehta, kjo është çështja fundore, dhe nuk ka as zgjidhje të shpejta për ta zgjidhur çështjen e ikjes së trurit”.
Shpresa për kthim
Kryetari i Odës së Mjekëve të Kosovës e sheh të pamundur ndaljen e ikjes së trurit. Thotë se këtë nuk kanë mundur ta bëjnë as shtetet e tjera.
“Nuk shohin perspektivë në shëndetësinë në Kosovë në një të ardhme të afërt, por shohin një perspektivë edhe në familje, në shtetet ku janë kah shkojnë. Tash lehtësitë që është kah i bën Gjermania, ku pas tre vjetëve u jep edhe nënshtetësinë, gjatë kësaj kohe po marrin edhe një specializim kualitativ, plus bashkimin familjar. Këto janë të gjitha arsye dhe lehtësira që i japin ato shtete e që te ne nuk vijnë me vite”, ka thënë Sejdiu.
Kur janë pyetur se çfarë po bëjnë për të ndalur ikjen e punonjësve shëndetësorë, në Ministrinë e Shëndetësisë e kanë përmendur rritjen e pagave që, sipas tyre, janë ndër më të lartat në rajon. Në përgjigjet me shkrim, zyrtarët e kësaj Ministrie kanë thënë se krahas zhvillimit ekonomik, rritja e koeficientit të pagave do të vazhdojë edhe vitin e ardhshëm dhe se nëse mjekët zgjedhin të punojnë vetëm në sektorin publik parashihet shtesë tjetër në pagë.
Megjithatë, kjo nuk e ka ndryshuar trendin e ikjes së punëtorëve shëndetësorë.
Ekonomisti Visar Vokrri thotë se paga nuk është faktori kryesor shtytës për të ikur nga vendi.
“Kryesisht dominojnë shëndetësia, niveli i shëndetësisë në Kosovë, arsimi, kushtet e punës. Kur e them kushtet e punës, jo domosdoshmërsht po i referohem pagës, pra nivelit të të hyrave, mirëpo orarit të punës, sigurisë në punë, sigurisë në aspektin e kontratës. Ne kemi pasur dhe vazhdojmë ta kemi një shkallë relativisht të lartë të informalitetit në tregun e punës. Diku një e treta e të punësuarve ndoshta janë pa kontrata pune e kështu me radhë. Pra, janë faktorë të shumtë”, ka theksuar ekonomisti Vokrri.
Por ka të rinj si studenti i Shkencave Matematike-Natyrore, Rinor Kiçmari, që besojnë se ikja nuk është zgjidhje.
“Synimi im është që të jetoj në Kosovë, të punoj dhe kontribuoj për vendin edhe komunitetin. Çka synoj unë dhe shoqëria ime, që kemi mendime të ngjashme, është të marrim njohuri jashtë vendit, të shkojmë për studime semestrale, por edhe për përfundimin e një programi shkencor dhe akademik, por pastaj të kthehemi me njohuritë që i marrim nga vendet e tjera mike të Kosovës, qofshin në Evropë, qofshin në Amerikë të kthehemi dhe t’i shërbejmë komunitetit dhe vendit me ato njohuri”, ka thënë studenti Vokrri.
Ai thotë se kualiteti i jetës për të rinjtë që marrin rrugët e Evropës është sfidues.
“Atje kur shkojnë nuk kanë shoqëri, nuk kanë familje, s’kanë përkrahje sociale, nuk e kanë motivin social edhe krejt këto kontribuojnë që të kenë probleme me integrimin, kështu që kualiteti i jetës së tyre mund të jetë më i dobët, sidomos nëse nuk kanë kualifikime, edhe nuk kanë certifikime, të cilat njihen ndërkombëtarisht”, ka thënë Kiçmari.
Rezultatet e anketës së realizuar nga Instituti GAP në dhjetor të vitit 2023 tregojnë se 28 për qind e qytetarëve të Kosovës mbi 18 vjeç planifikojnë të emigrojnë në pjesën e parë të vitit 2024. Grupmosha nën 24 vjeç, sipas Institutit GAP, përbën kategorinë më të prirë me 33.4 për qind për të emigruar.
E, ekonomisti Vokrri jep disa sugjerime për politikat që duhet ndërmarrë në funksion të stopimit të trendit të migrimit.
“Në mënyrë që ta ndalim këtë trend, ne duhet të mendojmë për adresimin e këtyre çështjeve, pra këtyre faktorëve të cilët po i shtyjnë qytetarët që ta lënë Kosovën. Pra, të mendojmë rreth përmirësimit të sistemit shëndetësor, sistemit arsimor, të krijojmë mekanizma për t’u siguruar që kontrata e punës respektohet. Fillimisht të punësuarit i gëzojnë të gjitha të drejtat që duhet t’i kenë sipas legjislacionit në fuqi dhe kësisoj unë besoj gradualisht ne veç do të krijojmë një ambient, i cili është ndoshta më i jetueshëm, më i pranueshëm për qytetarët e Kosovës”, ka thënë ekonomisti Vokrri.
KOHA u ka adresuar pyetje edhe Zyrës së Kryeministrit dhe Ministrisë së Arsimit, se çka janë duke bërë për të ofruar kushte që qytetarët të mos e shohin perspektivën jashtë vendit, por përgjigjet kanë munguar.
E, hulumtimet tregojnë se migrimi i kosovarëve drejt vendeve perëndimore do të vazhdojë edhe për një kohë. Një ilaç për frenimin e trendit nuk është gjetur. Dhe nuk pritet të gjendet edhe për një kohë!